26 Prill 2024

Odë e lënë në harresë

Shkruar nga Avni Ajeti

Në këtë odë me tipare të thukta shqiptare, u jetësua një pjesë e madhe e historisë së Kosovës, që nga viti 1989 e deri në përfundimin e luftës në këtë pjesë të lashtë të Shqiptarisë.

Kjo odë shqiptare, gjendet në fshatin Balloc të Llapit dhe i takon familjes Osmani, respektivisht Nezir Osmanit.

Kjo odë, tashmë e shkatërruar dhe e lënë në harresë, e nën mëshirën e fatit së bashku me familjen Osmani, flet qartë për një histori prekëse dhe rrënqethëse që lidhet direkt me UÇK-ën dhe me themeluesin e UÇK-ës, kryetrimin Zahir Pajaziti dhe jo vetëm.

Kjo odë dhe kjo familje ka strehuar e ka ushqyer në kohërat më të vështira Hasan Ramadanin, Ali Ajetin, Agron Rrahmanin, e disa të tjerë që sot janë gjallë.

Kujtoj se, në fund të vitit 1995, unë, Zahiri dhe Rrustem Mustafa, sulmuam një patrollë të policisë serbe afër stacionit të autobusëve, të cilët lëviznin me një veturë tipi "Zastava"/101.

Ne u larguam nga vendi ku e kryem sulmin dhe në këtë Llap të madh nga sipërfaqja e banorët, vendin më të sigurt për t'u strehuar e për t'i ikur terrorit serb e gjetëm në këtë odë.

Strehimet e tilla në këtë odë për luftëtarët e lirisë dhe për këtë familje ishin thuajse rutinore. Me shkas e përmenda këtë sulm, ngase disa që ishin strehuar, kishin ngrënë e kishin e kishin pirë e madje ishin larë e shpërlarë në atë vend.

Kishin bërë gjumë e kishin pushuar aty, sot pasi që kanë rregulluar jetën e tyre me forma kompremetuese e korruptuese, nuk e qajnë hallin për këtë strehë e për këtë familje që i mbajti në kohërat më të vështira.

Disa arritën të shkojnë lart e më lart në hierarkinë shtetërore dhe nuk e vunë këtë pjesë të tyre e të kësaj ode e familje nën përkujdesje shetetërore.

Askush pas lufte nuk i doli në ndihmë kësaj familje. As nga niveli i pushtetit qendror e as nga ai lokal nuk qe i zoti t'i vendosi tri shkronja të shenjta aty.

Ne, në kohë të vështira i shfrytëzojmë njerëzit e më pas në kohë të arta personale, lëre më që nuk kujdesemi për ta, por i ndrydhim e i topisim kudo dhe si do që janë.

Madje, e kemi në turp t'i përshëndesim në rrugën e tyre mjerë. Sot, në këtë ditë gushti, vendosa ta vizitoj këtë vend e këtë familje.

I kam vizituar e do të vazhdoj t'i vizitoj, sepse unë nuk e harroj dot kontributin e saj për atëdheun e kombin.

Mbase, kjo odë më kthen në kohë e më mbushë nostalgji për momentet sublime që i kisha me Zahirin.

Në këtë vend, që nga viti 1989 e deri në vitin 1999, jemi strehuar me qindra e qindra në këtë strehë të sigurt. Nuk mund ta harroj, por mundem ta kujtoj dhe këtë po e bëj.

(Autori bashkë luftar i Komandantin Zahir Pajaziti)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)