19 Mars 2024

Në vend të përkujtimit

Një Mikeshë e Veçantë

Shkruar nga Rrjeti i Grave të Kosovës - RrGK

Para një viti, me 19 nëntor 2016, në lokalin Gërmia po mbahej takimi i Lobit të Grave të Kosovës. Aty kah mesdita cingërron celulari i Igos dhe ajo me rrëmbim del përjashtë. Mbetëm të heshtura, nuk dinim ç’po ndodhë.

Pas disa minutave kthehet Igo me sy të përlotur dhe buzët që i dridheshin, na kumton një lajm të pikllueshëm: “Më falni, duhet ta ndërpresim takimin. Sot ndërroi jetë një mikeshë e jona e veçantë, Sevdije Ahmeti”. Nga shqetësimi s’kishte më fuqi ta vazhdonte fjalinë... Mbetëm si të nemitura. Në fytyrat e grave shihej vetëm loti që u rrëshqiste nëpër faqe.

E kush nuk e njihte Sevdije Ahmetin? Atë grua energjike, aktiviste të guximshme, gjithëherë e dashur dhe e buzëqeshur me njerëzit që e rrethonin.

Sevdije Ahmeti, vajza më e privilegjuar nga babai, në familjen e madhe Çarkaxhiu.

Studentja e dalluar e Fakultetit Filologjik – dega e gjuhës angleze.

E para studente që merr bursë për aftësimin e gjuhës në Londër.

Sevdija, bashkëshorte e përkushtuar, nëna e Flamurit dhe Urimit që si djem të ri e kursyen për punët e shtëpisë që ajo të punonte për kauzën e e shenjtë.

Sevdija, shpirti dhe fryma e re në Bibliotekën Universitare.

Sevdija, ideatore e lëvizjes së grave në vitet 1990, që s’pranon të bëhej kryetare se donte të ishte vetëm aktiviste.

Sevdija, bashkëthemeluese e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.

Asnjëherë nuk iu tremb syri kur depërtoi nëpër zonat e luftës për t’i ndihmuar gratë e fëmijët e pambrojtur.

Sevdija, në ballë të të gjitha protestave që organizoheshin për liri e pavarësi.

Sevdija, nënshkruese e shumë pëticioneve për shkeljet e të drejtave të njeriut.

Udhëtoi pa rreshtur për të marrë pjesë nëpër konferencat e grave nga Evropa deri në Pekin, prej nga u nderua me shumë çmime, dekorata e mirënjohje.

Sevdija ishte e para grua e guximshme që u tha ndërkombëtarëve “NDALUNI, ZOT SHTËPIE JEMI NE”.

Sevdije Ahmeti menjëherë pas luftës e ngriti zërin për t’i përkrahur e rehabilituar gratë e dhunuara gjatë luftës.

Vargu i aktiviteteve të saj është i pafund.

Sevdije Ahmetit ia plasën zemrën dhe ia lënduan shpirtin në kohën kur ajo më tërë qenien po shkrihej për Kosovën.

Sevdija aq shumë e deshi Prishtinën, Ulqinin, Vlorën, Prevezën, Strugën dhe Fushat e Korabit.

Gjithmonë do ta kujtojmë me respekt e dashuri.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)