15 Nëntor 2019

Mbollët erë, tani korrni furtunë

Letër e hapur Hashim Thaqit dhe Kadri Veselit

Shkruar nga Sherif Krasniqi

Të nderuar zotërinj,

Këtyre ditëve, kur mbi ju janë sulur shumë hijena që po i duan kokat tuaja, më e pakta që mund të prisni nga unë është kjo “akuzë” publike që sot do t’ua bëjë.

Më vije keq që po ju drejtohem kështu me këtë letër të hapur, për t’ju thënë diçka e shumë çka.

Një fjalë e urtë e popullit tonë thotë: çka të mbjellësh - do të korrësh! Ju mbollët erë, tani korrni furtunë! Më duhet t’ju them se, sot po ju vret buka juaj. Prandaj, kujdes, se, siç thotë populli, mëkati i bukës peshon randë!

E, si u bë kjo punë!?

Për 20 vjet ju i ndatë vlerat e luftës, të lirisë dhe të shtetndërtimit me njerëz të gabuar; me ata të cilët gjithmonë ia kanë kthyer shpinën këtij populli e këtij vendi, e kanë tradhëtuar këtë popull e këtë vend sa herë kanë dashur, dhe të mirat e tij i kanë keqpërdorur për qëllimet tyre të errëta.

Pak është t’ju thuhet: “tani mirë po ua bëjnë”!

Ju i besuat hijenave të politikës; atyre të cilët kurrë nuk besuan në idealin e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës; ju i besuat atyre që gjithmonë ju kanë parë e ju kanë trajtuar me përbuzje e dyshim!

Veprimtaria juaj çerekshekullore në shërbim të lirisë dhe shtetndërtimit, në sytë e tyre s’ka qenë tjetër veçse tallje e përbuzje ... dhe ju këtë kurrë s’e kuptuat ... ndoshta e keni kuptuar - e nëse është kështu - aq më keq, sepse na mashtruat edhe ne bashkëluftëtarëve tuaj.

Sot përball jush i kanë hequr maskat shumë hijena të politikës, shumë argatë mediatikë të dreqit e të birit, shumë mercenarë të drejtësisë e të pushtetit ... dhe po kërkojnë kokat tuaja. Tani ata po i tregojnë fytyrat e vërteta.

Në krye të krejt kësaj maskarade s’ka se si të mos jetë vetë kryeideatori dhe kryefrymëzuesi u luftës së përheshme kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës: Veton Surroi, ndërkaq pas tij radhiten edhe dhejtëra sivëllezër të tij që flasin shqip por mendojnë serbisht.

Sot nuk dua ta bëjë avokatin për ju, por dua t’ju sjell ndërmend disa “mëkate” që i bëtë për këto 20 vjet.

Në fushën e politikës ju jo vetëm që i amnistuat argatët e devotshëm të Titos e Millosheviqit, por atyre u rezervuat edhe privilegje.

Në kohën kur mësuesit dhe frymëzusit e vërtetë të idealeve tuaja kombëtare dergjeshin të injoruar dhe të harruar nga shteti (larg nga Qeveria, nga Parlamenti, nga Presidenca), ju u pajtuat që në krye të isntitucioneve të viheshin ish-komunstët dhe aparatçikët e Serbisë.

U bëtë të verbër dhe nuk patë, siç thotë populli “nasihat” kur në majën e pushtetit të drejtësisë përsëri erdhën argatët e devotshëm të Lidhjes së Komunistëve Jugosllav.

U bëtë të verbër dhe nuk patë “nasihat” kur këta ish-argatë të Serbisë iu sulën shokëve tuaj të luftës, duke i dënuar me burgje sikur në vitin 1981.

As nuk ishte parë e as nuk ishte dëgjuar kurrkund: prokurorët e kohës së Titos e të Millosheviqit sërish i ndiqnin shqiptarët pa kurrfarë mëshire; ata i dënuan pamëshirshëm ish-luftëtarët e UÇK-së sipas devizës serbe: “dënoni pa mëshirë qytetarët e rendit të dytë”!

Djemtë e luftës u ndoqën nga këta prokurorë pa kurrfarë mëshire, ndërkaq dosjet e kriminelëve serbë i hodhën pas shpine. Për turpin e Zotit, kryesit serbë të masakrave mbi popullin tonë u falën, por jo dhe luftëtarët e lirisë.

Zotërinj, Thaçi e Veseli, gjallë keni qenë ju në atë kohë, tash ata po i duan kokat tuaja. Jugosllavët nuk ju falin!

UJDI-i (Udruzenje za Jugosllvavensku Demokratiku Inicijativu) nuk ju falë për të bëmat tuaja, sespe ju dhe ish-luftëtarët e UÇK-së e keni rrënuar ëndrrën jugosllave.

A e shihni se sa me pezm po reagon kompania e Veton Surroit “Koha Group” tani kur ka një përpjekje dhe një bashkërendim të klasës politike për ta institucionalizuar kërkesën e drejtë të Kosovës për ta dëshmuar e dokumentuar krimin e gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët?

Streha e jugosllavëve “Koha Group Company” është e shqetësuar për faktin se shprushja në të kaluarën rrënon mitin e rrejshëm të Surroit dhe sivellezërve të tij ideologjikë e politikë.

A e shihni se sa me pezm dhe nervozë reagon Surroi dhe sivëllezërit e tij ideologjikë e politikë sa herë që ka përpjekje brenda shoqërisë kosovare për të nisur një proces purifikimi nga e kaluara, një proces të çeljes së dosjeve dhe vetting-ut?

Surroi e din mirë se çfarë të zezash fshihen në dosjet e së kaluarës, sidomos për babanë e tij (biologjik), komunist dhe shërbëtor të Serbisë gjerë në grahmën e fundit, për babanë e tij politik dhe ideologjik, Fadil Hoxhën, mbi të shpirtin e të cilit rëndon gjaku i dhjetëra mijërave shqiptarëve të masakrave të Anamoravës e Drenicës nga viti 1945 deri më 1949.  
        
Qershori i vitit 1999 Veton Surroin e gjeti, si i thonë një fjale popullore, pa brekë, por në vitin 2007 pasuria e tij u bë 40 milionëshe. Si u bë kjo punë kështu? Gjatë kësaj kohe kush përfitoi dhe si përfitoi?

Si i bëri Veton Surroi vetëm për më pak se 10 vjet 40 milionë pasuri? Kjo mbase kurrë nuk do të merret vesh, sepse zagarët e drejtësisë “qëlluan” shokë ideologjikë të tij e sidomos të të babllarëve të tij.

Veton Surroi nuk ju falë sepse ai me kohë e ka quajtur luftën tuaj fashiste, tek ju ai ka parë gjithmonë rrezikun e të bërit Kosovën Shqipëri.

E, të bërit Kosovën Shqipëri është makthi më i madh për Veton Surroin. Ëndrra e tij e madhe nuk është shqiptarët në një shtet, por jugosllavët në një shtet.
 
Surroi nuk ju falë, sidomos për luftën tuaj, sepse ajo i dha fund administrimit të shtetit serb dhe Kosova u bë zojë më vete. Lufta e juaj bëri që të dështojë projeksioni autonomist i Surroit dhe i shumë shokëve të tij.

Surroi nuk ju duron dot të jeni në ballë të këtij vendi, për shkak se, siç e ka thënë aq shpesh, sidomos në librat e tij, ju jeni “historianë” nga Drenica, e ai është djalë sheherliu.

Nuk ju duron Veton Surroi, sepse ai është bir i një sëre që ka shërbyer në të gjitha oborret e sunduesve të këtij populli, që prej krajlit të Serbisë, të Rankoviqit e të Titos, e deri tek zyrat e shokut Azem Vllasi e Rrahman Morina. 

Dhe mirë ua bënë që s’ju duron, sepse pas luftës ju i amnistuat të gjithë gjyhnaçarët e zullumçarët e lirisë së Kosovës.

Edhe “babain” politik e ideologjik të Veton Surroit, Fadil Hoxhën, ju e falët. Ju e falët atë për mëkatet e tij të tipit “bira e minit shtaqind grosh”, bile e varrosët në Gjakovë me nderime ushtarake të Ushtrisë së Kosovës. A e meritoi atë nderë Fadil Hoxha?

Dhe mirë ua bënë që s’ju duron tani pinjolli i Fadil Hoxhës Veton Surroi, sespe media e tij (në të cilën ju ende shkoni sikur në Teqe të Babës Sheh) gjithmonë ka qenë për juve sikur dera e UDB-së.

Sot ajo media është vënë në krye të një lufte speciale për t’ju diskredituar publikisht, dhe atë me çdo kusht, duke inskenuar e fabrikuar informacione të pavërteta, krejt sipas shkollës së TANJUG-ut.

E, si u bë kjo punë!?

Pasuria 40 milionëshe e Surroit të mos quhet hajni e korrupsion?

Të bëmat e tij politike në dëm të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës askush të mos guxojë t’i hetojë?

Për shpifjet, falsifikimet, manipulimet, shantazhet me videoincizime etj., të cilat po terrorizojnë opinionin, askush të mos kërkojë llogari dhe përgjegjësi?

Ku është Këshilli i Mediave, ku është Prokuroria, pse heshtin? Si u bë kjo punë, kush e paska kapur shtetin?

Të nderuar zotërinj, Thaçi e Veseli, përderisa institucionet që ju drejtoni nuk arrijnë t’i dënojnë krimet e të gjitha ngjyrave e fyryrave, qofshin ato të tito-komunistëve, qofshin ato të socialistëve të Millosheviqit, shoqëria e Kosovës dhe sistemi ynë shtetëror do të mbeten peng e hipotekave të së kaluarës.

Dhe e fundit, përderisa institucionet që ju i drejtoni nuk arrijnë që ta dëshmojnë dhe dokumentojnë të vërtetën e së kalurës, ju do të vazhdoni të jeni njerëzit më të keqkuptuar të historisë më të re shqiptare.

Për argatët kosovarë të Serbisë, për sa të jeni gjallë, do të jeni vrasës, kriminelë, e çka mos tjetër.

Është koha e fundit që  seriozisht t’i kundërviheni këtyre hijenave me guxim për të vëretën.

/Autori është mësues veteran, ish-i burgosur politik dhe ish-ushtar i UÇK-së/

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 nëntor 2019  - Klinika e Neonatologjisë dhe Shoqata e Neonatologëve të Kosovës, organizojnë Konferencën e I-rë nderkombëtare. (Hotel Garden, ora 9:00)

- Policia e Kosovës në shënim të ditës botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, në bashkëpunim me Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve , do të mbaj tryezë për shënimin e kësaj dite. (Salla Orion në Prishtinë në afërsi të Kino ABC, ora 9:30)

- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizon tryezën dhe punëtorinë me temën “Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë”, mbështetur nga Projekti HERAS i cili përkrahet nga Qeveria e Austrisë. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale mban punëtorinë lidhur me “Udhëzuesin për miradministrimin e aktiviteteve minerare dhe mjedisore. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, përmes projektit Interdev 2, organizon një panair me shoqatat e grave prodhuese për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Sipërmarrësisë së Grave. (Qendra Kulturore në Viti, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, gjenerata e dytë 2019. (Kazerma 'Adem Jashari' në Komandën e Forcave Tokësore në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuniteti artistik organizon takim përkujtimor për regjisoren Arzana Kraja. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizon ceremoninë e hapjes të minibibliotekës së lagjes Ulpiana. (Te fontana në lagjen Ulpiana, ora 12:00)

- Kryetarja e KQZ-së dhe anëtarët, presin në takim deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, anëtarë të Komisionit të Reformës Zgjedhore: znj. Rudina Hajdari, Myslim Murrizi dhe Ralf Gjoni. (Selia e KQZ-se, ora 12:00)

- Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, do të nënshkruajë gjashtë Udhëzime Administrative që avancojne fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës. (Zyret e Agjencisë Kadastrale të Kosoves, ndërtesa e Arkivit të Kosovës, ora 14:00)

- Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, do të mbajë një konferencë për media në të cilën do të prezantohet raporti nga muaji korrik deri në muajin tetor për Gjykatën Themelore të Gjilanit, së bashku me Degët e saja. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 14:30)

- Mbahet marsh përkujtimor në këmbë nga Lagja Arbëria, rrugës Fehmi Agani deri te Teatri Kombëtar ku do të bëhet ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor. (Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, ora 18:00)

- Mbahet stërvitja e Kombëtares së Kosovës. (Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, ora 18:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës organizn hapjen e ekspozitës individuale të autores Lumjetë Havolli, e titulluar "Is This Me...Or i Do it For You Only!?". (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social feston hapjen e Linjës telefonike për parandalim të vetëvrasjes "Linja e Jetës" në Kosovë! (Menza Ramiz Sadiku, ora 21:00)