26 Prill 2024

Gëzuar Ditën e Flamurit dhe Festën e Pavarësisë!

Shkruar nga Gani Qarri

Pikërisht sot dhe më këtë 28 Nëntor, mbushen plot 105 vite nga data e shenjtë e ngritjes për herë të parë të Flamurit Kombëtar dhe aktit historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë Etnike.

Po sot dhe me këtë datë, shënohet edhe ditëlindja e kryekomandantit legjendar Adem Jasharit si dhe dalja e parë publike e UÇK-s, në Kosovë.

Megjithatë dhe përkundër krejt shenjtërive që kjo festë kombëtare mbërthen në vete, ishte pikërisht Hashim Thaqi ai, i cili për vite me radhë, arbitrarisht dhe pa asnjë të drejtë, i privoi shqiptarët e Kosovës, nga ky gëzim i veçantë, nga gëzimi më i madh që ata përherë kanë ndjerë dhe përjetuar më çdo 28 Nëntor.

Kështu ai edhe u përpoq ti ndante shqiptarët e Kosovës nga historia, nga ëndrrat dhe shpresat për një shtet të përbashkët etnik, si dhe ardhmëri më të mirë e më të sigurte për të gjitha pjesët e kombit dhe trojeve etnike të atdheut tonë, me qëllimin e vet të keq dhe egoist, që çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën, të filloi e mbaroi vetëm me emrin e tij.

Ndaj, hare të veçantë me këtë 28 Nëntor, për rikthimin e serishëm të krye- festës kombëtare në truallin dardan, dhe vendosjen e saj në vendin kryesor të festave shtetërore nga kryeministri aktual Ramush Haradinaj, me siguri do të përjetojnë sidomos shqiptarët e Kosovës.

Festë e cila i bashkon dhe bënë një të gjithë shqiptarët, kudo gjenden ata në botën mbarë, për kurorëzimin e rrugëtimi të gjatë mbi 500 vjeçar dhe pavarësimin e popullit tonë.

Një ditë e madhe e cila përveç gëzimit dhe krenarisë, na obligon edhe para historisë, për mbajtjen gjallë dhe përmbushjen e amanetit të Rilindësve tanë, që liria të shtrihet në çdo cep të trojeve arbërore dhe kudo që flitet e jetohet shqip.

Shumica e shqiptarëve atdheun e deshën shumë e pa hile gjithmonë dhe i dolën zot atij në të gjitha kohët dhe vendet kudo që ata jetuan e vepruan.

Madje kontributin më të madh për ruajtjen e lëvrimin e gjuhës dhe shpëtimin e vendit të vet, patriotët shqiptar e bënë kryesisht nga mërgimi, siç veproi atëbotë edhe Naum Veqilharxhi, i cili për të quar në vend punën e nisur kombëtare, u detyrua të shpërngulej në Rumani, ku shkroi edhe Alfabetaren (Abetaren) e parë e të dytë dhe ua shpërndau ato bashkëkombësve të vet në atdheun e robëruar.

Po ashtu edhe Andon Zako Çajupi, studimet për drejtësi i mbaroi në Zvicër ku mori edhe titullin e doktorit të drejtësisë, prej nga më vonë u zhvendos në Egjipt, por ai edhe larg atdheut, kudo që vajti, punoi e u angazhua me të gjitha mundësitë për të mirën e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë, deri në vdekjen e tij më 1930.

Njëjtë veproi edhe Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), i cili pikërisht vitin që pritej të shpallej Pavarësia Kombëtare, Himnin e Flamurit me titullin "Betimi në Flamur", do ta botonte që më 21 prill të vitit 912 në të përditshmen "Liria e Shqipërisë" e cila atëbotë dilte në Sofje, ani se ai punonte dhe vepronte në Rumani.

Edhe Faik Konica, apo themeluesi i kritikës letrare shqiptare, veprimtar poliglot, gazetar publicist, politikan, diplomat e njeri me kulturë të lartë,i cili do të bëhej edhe shembull i mendësisë së re shqiptare, megjithëse pothuajse gjatë gjithë kohës, jetoi në vende të huaja, me mëndje e zemër, ai punoi dhe u angazhua për Shqipërinë, deri në ditën e vdekjes më 1942, në Uashington.

Ndërsa Mit`hat Frashëri, i biri i Patriotit Abdyl Frashëri, pasi ndjeu për obligim që përveç kontributeve tjera kombëtare e shtetërore, për të qenë sa më i përgatitur që ta njohë dhe shërbejë sa më mirë vendit të vet, studioi me kujdes të veçantë edhe historinë e Shqipërisë, ai në shenj dashurie e respekti ndaj atdheut, më 4 Prill të vitit 1929, me një testament personal do ti dhuronte shtetit shqiptar të gjithë pasurin që pati, për krijimin e institutit të parë albanologjik, megjithëse atdheu i tij i dashur-nën regjimin komunist të Enver Hoxhës, edhe atë do ta dëbonte nga vendi, për të vdekur në rrethana të dyshimta më 1949 në Nju Jork të SHBA-s.

Madje, pothuajse njëjtë si në kohët e më hershme të patriotëve më të mëdhenj të kombit, edhe në vitet e më vonshme dhe këto që ne të gjithë bashkë i pamë e përjetuam, shumica e mërgimtarëve dhe sidomos atdhetarët e njëmendët, jo vetëm se vepruan ngjashëm, por sakrifikuan edhe më tepër se sa paraardhësit e tyre në mërgim, të cilët asnjëherë nuk mundi as arriti ti pengoi distanca mijëra-kilometërshe me vendlindjen dhe atdheun, atentatet, vrasjet as kërcënimet e armikut, duke sakrifikuar edhe jetën për atdhe.

Shembuj të tillë kemi mjaft, duke filluar që nga Vebi Ibrahimi, ish stërnip i Idriz Seferit dhe nënkryetar i atëhershëm i organizatës "Besëlidhja Kombëtare" me seli në Belgjikë, i cili për shkak të veprimtarisë kombëtare, më 10 tetor të vitit 1981, do të vritej nga UDB-a, jugosllave në qendër të Brukselit.

Fat të njëjtë, do të pësonte edhe Enver Hadri, duke u ekzekutuar edhe ai, për shkak të veprimtarisë kombëtare, nga UDB më 25. Shkurt të vitit 1990, po-ashtu në Bruksel të Belgjikës.

Nga bashkëpunëtorët e UDB-s, për angazhim të njëjtë do të vriteshin edhe Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla më 17 janar të vitit 1982, në Untergrupenbach të Gjermanisë.

Pra këta dhe shumë emra tjerë të ndritur, të njohur e të panjohur tërësisht, u ekzekutuan dhe ranë burrërisht, pa ju trembur syri kurrë, duke u shuar njëri pas tjetrit,për atdhe dhe çështjen kombëtare, eliminimi i të cilëve nisi pa kaluar asnjë vit i plotë nga shpërthimi i demonstratave studentore të 26 Marsit të vitit 1981, për Republikën e Kosovës në Prishtinë, e përfundoi gati rreth 10 vite më vonë dhe vetëm atëherë, kur ishte në prag vet shpërbërja e ish Jugosllavisë.

Të gjithë patriotët e kombit, krejt përpjekjet dhe punën e tyre të palodhshme, për vite e dekada me radhë, pa marrë parasysh çmimin dhe sakrificat që u dashtë ti paguanin duke flijuar edhe jetën e tyre të shtrenjtë, gjithmonë i orientuan ato drejtë dhe vetëm me një dëshirë e qëllim, për ti dalë sa më mirë zot kombit dhe arritur lirinë e atdheut, në mënyrë që edhe ne sot, të mund të festojmë dhe gëzojmë në vendin tonë-të lirë.

Ndaj edhe me këtë rast, njëjtë si shumica e mërgimtarëve shqiptar, të cilët jetojnë me mallin e pashuar për atdhe dhe vendin e të parëve të vet, shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Iliridë, Çamëri, trojet tjera shqiptare si dhe diasporë e botën mbarë, kudo që ata jetojnë e punojnë, u shprehë Urimet më të përzemërta dhe them solemnisht edhe me këtë 28 Nëntor, Gëzuar Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë Kombëtare!.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)