26 Prill 2024

Bashkëpunimi “eurointegrues” rajonal po e izolon Kosovën

Shkruar nga Milazim KRASNIQI

Serbia në njërën anë luan rolin e shtetit që synon t’i arrijë standardet evropiane nëpërmjet bashkëpunimit rajonal, ndërsa në anën tjetër e vazhdon politikën piromane, duke e mbajtur një pjesë të Ballkanit Perëndimor si vrimë të zezë të kontinentit. Nëse Kosova është “pjesa më e errët e Evropës”, sikundër ka thënë ministri i Jashtëm i Serbisë, ajo është e tillë për shkak se Serbia është sponsore e terrorizmit shtetëror në truallin e Kosovës.

Vizita zyrtare që i bëri Serbisë ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, inkuadrohet në aktivitetet intensive që kanë ndodhur në dy muajt e fundit në kuadër të përpjekjeve të diplomacinë serbe, për ta çuar përpara integrimin e saj në Bashkimin Evropian. Vizita e Ilir Metës do të interpretohet si një arritje e re e Serbisë në rrugën e saj të integrimit evropian, në të cilën duhet të eliminohen kontestet me fqinjët, përkatësisht duhet të thellohet bashkëpunimi rajonal.

Kryetari i Komisionit Europian, Hoze Manuel Baroso, pati deklaruar, gjatë takimit me kryeministrin e Serbisë, Mirko Cvetkoviqin, se “marrëdhëniet e mira me fqinjët dhe zgjidhja e çështjeve bilaterale janë elemente kyçe të eurointegrimeve”. Edhe Herman van Rompui i pati rekomanduar Cvetkoviqit:  “Shpresoj se Serbia do të ketë ndikim pozitiv për stabilitetin e rajonit. Bashkëpunimi i mirë rajonal është i rëndësishëm për BE-në. Njëherësh, kjo është një çështje themelore në proceset e stabilizim-asocimit”. 

Vetëm dy javë pas vizitës të Cvetkoviqit në Bruksel dhe rekomandimeve që ia dhanë në formë të recetës Baroso e Rampui, ndodhi vizita e Metës në Serbi, si një përmbushje e “elementeve kyçe të eurointegrimeve” nga ana e Beogradit zyrtar. Po të mos ishte obligues respektimi i kësaj recete, zor se do ta rrethonte ministrin e Jashtëm të Shqipërisë gjithë ajo pritje miqësore ne Beograd, e cila në disa raste dukej si pritje “vëllazërore” e kohëve parainformbyroiste të marrëdhënieve të drejtuesve komunistë të të dyja vendeve.

Pjesëmarrja e Metës në nderimet e ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiqit, në shtatëvjetorin e vrasjes së tij, takimi me zonjën Ruzhica Gjingjiq dhe akordimi i bashkëpunimit me fondacionin që ajo drejton, ia dha Metës tretmanin e “njeriut të shtëpisë” në sytë e qeveritarëve serbë. E drejta, Ilir Meta ka pasur raporte të mira me ish-kryeministrin Gjingj, por inkuadrimi i tij në ceremonitë shtetërore e familjare, ka ndodhur vetëm këtë  herë, e jo edhe në vitet e shkuara, gjë që lë të nënkuptohet se është bërë për nevojat e qeverisë serbe.      

Edhe vizita e Metës në Luginën e Preshevës dhe tonet optimiste për të drejtat e shqiptarëve që u shqiptuan në takime me udhëheqësit shqiptarë të atjeshëm, inkuadrohen në idilin e ri të marrëdhënieve “fqinjësore”, për të cilin Beogradi ka shumë nevojë. Jashtë këtij konceptimi, Shqipëria e Serbia tashmë nuk janë fare shtete fqinje, sepse askund nuk kufizohen njëra me tjetrën. Rrjedhimisht, në kushte normale përkujdesja për shqiptarët në Luginën e Preshevës do të duhej t’i takonte Kosovës, për shkak të afërsisë gjeografike dhe lidhjeve të shumëfishta të saj me Luginën e Preshevës.

Por, këtë rol Kosova nuk është në gjendje ta luajë, për shkak të marrëdhënieve skajshmërisht të këqija me Serbinë. Prandaj, edhe është mirë që ka ndodhur angazhimi i Tiranës zyrtare për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe kjo duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Por, është shumë i rëndësishëm konteksti i angazhimit. A po të ndodhë ai angazhim për nevojat e Serbisë, që t’i përmbushë “elementet kyçe të eurointegrimeve”, apo do të ndodhë për shkak të rolit që dëshiron  të luajë Shqipëria si shtet amë edhe i shqiptarëve të Luginës së Preshevës? Qoftë dhe për ta kompensuar detyrën, të cilën Kosova nuk po arrin ta kryejë ndaj tyre.

Sidoqoftë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë e Serbisë, qoftë kjo dhe vetëm për nevojat e Serbisë në rrugën e saj të eurointegrimeve, mund të sjellë efekte pozitive në rajon. Mund të kontribuojë për shtendosjen e marrëdhënieve serbo-shqiptare, gjë që është kusht për çuarjen përpara të procesit të integrimeve euroatlantike të të dyja kombeve. Por, ky kontribut mund të realizohet vetëm nëse këto marrëdhënie të reja ndërmjet Serbisë e Shqipërisë nuk bëhen përjashtuese ndaj pranisë së Republikës së Kosovës në bashkëpunimin rajonal dhe në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Në të kundërt, pra nëse Kosova përjashtohet, ose vetëm nëse minimizohet rëndësia e saj në kuadër të këtyre marrëdhënieve, komplikimet mund të jenë afatgjatë. Në fakt, Serbia është shumë e interesuar që Kosovën ta shndërrojë në një konflikt të ngrirë dhe ta  përjashtojë tërësisht nga bashkëpunimi rajonal. Deklaratat e ministrit serb, Vuk Jeremiqit, se Serbia në rast se do të detyrohej të zgjidhte ndërmjet Kosovës dhe integrimit evropian, do ta zgjidhte Kosovën, janë në funksion të kushtëzimit të Bashkimit Evropian, për ta lënë anash Kosovën dhe, veçmas, deklarata e tij e para do kohëve në mbledhjen e Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut në Gjenevë, me ç’rast ai tha se “Kosova është pa dyshim pjesa më e errët e Evropës”, e bën të qartë këtë strategji të fshehtë për ngrirjen e konfliktit.

Nëse Kosova do të kualifikohej si “pjesa më e errët e Evropës”, ajo do të mund të mbahej në karantinë. Nëse arrin që ta shndërrojë në një konflikt të ngrirë, pa u implikuar në këtë mes shtetet e tjera fqinje dhe veçmas Shqipëria, Serbia do të integrohej në Bashkimin Evropian pa marrë obligime që ta respektojë statusin e Kosovës si shtet i pavarur, sepse në atë rast do të ishte një konflikt i ngrirë.

Ndërsa, mbetja e Kosovës si konflikt i ngrirë, do ta linte jashtë procesit të integrimeve dhe pas disa vjetëve të kolapsit të saj, do të provohej të hapej një proces i ri negociatash për statusin e saj. Ai proces do të ishte i shoqëruar me ofertën/shantazhin ndaj Kosovës, që të bëjë koncesione në rast se dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian. Sot për sot nuk mund të dihet saktësisht se cilat kërkesa do të ishin në tavolinën e ofertës/shantazhit, por mund të jetë që do të ishte çështja e veriut të Kosovës.

Ndërsa, çështja e veriut të Kosovës, e shkëputur nga çështja e Luginës së Preshevës, shumë më lehtë do të mund të bëhej pre e kalkulimeve për ndarjen e Kosovës. Prandaj, edhe tonet e reja në marrëdhëniet e Serbisë me Shqipërinë, njërën nga objektivat e kanë shkëputjen e çfarëdo lidhjeje në mes të Luginës së Preshevës dhe zhvillimeve të tashme e të ardhshme në Kosovë. Pra, edhe nga kjo anë mund të pandehet se ka elemente të një defaktorizimi dhe izolimi të ri të Kosovës edhe brenda vetë Ballkanit Perëndimor.

Një gjë është e sigurt: trendët e tillë izolues dhe injorues ndaj Kosovës do të rriten edhe më shumë në të ardhmen, nëse vetë Kosova nuk e ndryshon dinamikën e vet të veprimit politik e shtetëror. Nëse nuk ndodh një ofensivë e fuqishme e fuqizimit të brendshëm, me anën e një partneriteti të ri me bashkatdhetarët që janë të shpërndarë në Evropë, në Turqi e në Shtetet e Bashkuara, varfëria e papunësia do të rriten e kjo do ta minojë stabilitetin e  shtetit të ri.  Nga ana tjetër, nëse qeveria nuk i shpall luftë të fortë korrupsionit dhe nëse nuk e fiton atë luftë, imazhi i shtetit të ri do të zbehet e do të hapet  mundësia e trajtimit të Kosovës si shtet i dështuar, për të cilin duhet të kërkohen opsione të reja. 

Të gjithë ata që nuk duan ta shohin realitetin në sy dhe që nuk duan të bëjnë ndryshime, mund të thonë se këto janë “teori të konspiracionit”. Por, këto në të vërtetë janë observime kritike të zhvillimit të ngjarjeve brenda një logjike politike dhe historike, e cila është e qartë. Ata që nuk i shohin detajet, që nuk i vërejnë nuancat, që nuk arrijnë ta krijojnë mozaikun dhe ta kuptojnë përmbajtjen e tij, mbeten indiferentë me këto zhvillime. Fatkeqësisht ata janë shumicë në Kosovë.

Dhe ne jemi kështu si jemi, për shkak të tyre.  Edhe sulmet më të fundit në pikën kufitare 31 në veri të Kosovës, vetëm një ditë pas vizitës së Ilir Metës në Serbi, e cila u shpall shumë e suksesshme për bashkëpunimin rajonal, inkuadrohen në këtë mozaik, në të cilin me pak përpjekje intelektuale mund të shihet qartë loja dyfytyrëshe e Serbisë. Serbia në njërën anë luan rolin e shtetit që synon t’i arrijë standardet evropiane nëpërmjet bashkëpunimit rajonal, ndërsa në anën tjetër e vazhdon politikën piromane, duke e mbajtur një pjesë të Ballkanit Perëndimor si vrimë të zezë të kontinentit.

Nëse Kosova është “pjesa më e errët e Evropës”, sikundër ka thënë ministri i Jashtëm i Serbisë, ajo është e tillë për shkak se Serbia është sponsore e terrorizmit shtetëror në truallin e Kosovës. Por, nëse Serbia po del e palagur nga kjo lojë dyfytyrëshe, ndërsa Kosova po zhytet në izolim, nuk është faji i vetëm i Serbisë, por edhe i barosove, i rampuive e metëve, që po i mbyllin sytë para këtij konspiracioni kundër Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)