01 Dhjetor 2020

A jemi gati për Agjendën e Gjelbër Evropiane?

Shkruar nga Afrim Berisha

Këto ditë në Samitin e Sofjes, vendet e Ballkanit Perëndimor nën patronatin e Bashkimit Evropian, nënshkruan “Agjendën e Gjelbër”, një marrëveshje që synon përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit dhe kalimin në një ekonomi të gjelbër për vendet e rajonit.

Kjo marrëveshje e shoqëruar edhe me një udhëzues për zbatim, konsiderohet si një katalizatorë drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të rajonit dhe fuqizimit të mbrojtjes së mjedisit, duke shtyrë përpara përpjekjet për dekarbonizimin dhe tranzicionin e energjisë së pastër deri në vitin 2050.

Në fjalën e tij gjatë Samitit, Zëvendës Presidenti i Bashkimit Evropian, Jozef Borel tha ndër të tjera se: “Ballkani Perëndimor është në zemër të Evropës dhe e ardhmja e tyre është në Bashkimin Evropian. Kjo është arsyeja pse angazhimi ynë ka qenë, dhe mbetet, kaq i fortë. Ne kemi një interes të përbashkët në integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe në rritjen e prosperitetit, drejtësisë dhe sigurinë e tyre ".

Kjo marrëveshje erdhi pasi që paraprakisht ishte iniciuar në Samitin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor të mbajtur në Zagreb në maj 2020, dhe ku më pastaj u  mbështeten nga një Plan Ekonomik dhe Financiar të miratuar nga Komisioni Evropian më 6 tetor 2020.

E gjithë kjo e kishte si pikënisje Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane “The European Green Deal”, të Komisionit Evropian, që ka si synim qe deri në vitin 2050, ta bëjnë ekonominë e BE-së të qëndrueshme dhe neutrale ndaj klimës, përmes një grupi iniciativash dhe reformash politike dhe financiare me qëllime gjithëpërfshirëse.

Nënshkrimi i marrëveshjes rajonale për Agjendën e Gjelbër u pasua nga një deklaratë obligative për të gjithë liderët e vendeve të rajonit, që ndër të tjera parashikon mbrojtjen nga  ndotja e  ajrit, ujit dhe tokës si një interes i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Kjo deklaratë gjithashtu përfshin edhe përkushtimin për të zbatuar politika për të minimizuar ndikimin negative të bujqësisë në mjedis dhe klimë, dhe angazhimin për të siguruar ushqim të shëndetshëm me çmime të volitshme për qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe tregjet e eksportit.

Me këtë deklaratë, vendet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu pranojnë politikat evropiane për zbatimin e një strategjie afatgjate për klimën dhe propozimin e aktiviteteve konkrete  për të ndaluar humbjen e biodiversitetit, mbrojtjen dhe rivendosjen e ekosistemeve dhe diversitetin biologjik.

Çka përmban agjenda e gjelbër për Ballkanin Perëndimorë dhe çka ofron ajo?

Agjenda e Gjelbër përbehet nga pesë shtylla kryesore e ku secila nga to ka objektiva të cilat shoqërohet me veprimeve konkrete të mbështetura nga mekanizmat dhe instrumentet financiare të përkatëse.

Shtylla e parë është ajo e dekarbonizimit që përfshinë objektivat për klimën, energjinë dhe lëvizshmërinë.

Në kuadër të kësaj shtylle do të lehtësohet përafrimi me Ligjin e BE-së për Klimën, duke ndihmuar vendet e rajonit në përgatitjen dhe zbatimin e përshtatjes afatgjate për klimën përmes planeve kombëtare për energji dhe klimë, zbatimin e Skemës së Tregtimit të Emetimeve, gjetjen e  alternativa për zëvendësimin e lëndëve djegëse fosile, zhvillimin e skemave për eficencën e energjisë në ndërtesa, lehtësimin e procesit të tranzicionit të energjisë dhe dekarbonizimin e sektorit të energjisë, zbatimin e reformave në transportin hekurudhor dhe zhvillimin e transport me miqësore me mjedisin, zbatimin e planeve të qëndrueshme të lëvizjes urbane, dhe iniciativa tjera të kësaj natyre.

Shtylla e dytë ka të bëjë me sektorin e ekonomisë qarkore dhe përfshinë objektivat për prodhim dhe konsum të qëndrueshëm.  

Në kuadër të kësaj shtylle mbështetja do të ofrohet për përmirësimin e qëndrueshmërisë së prodhimit të lëndëve të para dhe në zhvillimin e disa industrive kryesores sikurse janë energjia e rinovueshme dhe turizmi, pastaj mbështetja për zhvillimin e strategjive të ekonomisë qarkore (parandalim i mbetjeve, riciklimi, ripërdorimi, riparimi dhe riprodhimi), menaxhimi i integruar i mbeturinave, parandalimi i ndotjes plastike, dhe iniciativa të ngjashme.

Shtylla e tretë përfshinë reduktimin e ndotjes me objektivat për mbrojtjen e ajrit, ujit dhe tokës. Në kuadër të kësaj shtylle vendet e rajonit do të ndihmohen në zhvillimin dhe zbatimin e Strategjive të Cilësisë së Ajrit, zbatimin e teknologjive të pastra, fuqizimin e rrjeteve të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe ujit, përfshirjen në rrjete dhe marrëveshje pan-evropiane dhe ndërkufitare të monitorimit të mjedisit dhe investime në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura dhe teknologji tjera për reduktimin e ndotjes.

Shtylla e katër përfshinë reformat në sektorin e bujqësisë me objektivat për sisteme ushqimore dhe zonat rurale të qëndrueshme.  

Në kuadër të kësaj shtylle është planifikuar përkrahja në përafrimin e sektorëve agro-ushqimor dhe të prodhimit primar me standardet e BE-së, siguria ushqimore, forcimi i kontrolleve sanitare përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor, etiketimi i produkteve ushqimore, të drejtat e konsumatorit, promovimin e ushqimit të qëndrueshëm, bujqësisë ekologjike dhe organike dhe zvogëlimin e përdorimit të kimikateve, pastaj mbështetja e prodhuesve dhe përpunuesve të sektorit agro-ushqimor për të lehtësuar transferimin në teknologji inovative dhe miqësore me mjedisin.

Shtylla e pestë është ajo e biodiversitetit dhe përfshinë objektivat për mbrojtjen dhe restaurimin e ekosistemeve.

Përmes kësaj shtylle do të mbështetet rajoni në zhvillimin dhe zbatimin e një Plani të Veprimit për Biodiversitetin e Ballkanit Perëndimor, përgatitjen dhe zbatimin e një plani për Restaurimin e Peizazhit, zhvillimin e analizave të përfitimeve nga biodiversiteti dhe zgjidhjeve të bazuara në natyrë,  forcimin e mekanizmave për bashkëpunimin rajonal për ruajtjen e biodiversitetit, angazhimet në kuadër të Konventës së Kombeve të Bashkuara për bidoversitetin, shkëmbimin e njohurive midis vendeve të Ballkanit Perëndimorë dhe qendrave kërkimore të BE-së, apo edhe në ngritjen e Qendrave të Informacionit për Biodiversitetin në Ballkanin Perëndimor.

Si do të ofrohet ndihma për mbështetjen e Agjendës së Gjelbër?

Pakoja Ekonomik dhe Financiare në mbështetje të implementimit të zbatimit të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor e miratuar nga Komisioni Evropian kap shumën fillestare prej 9 miliardë EURO për vitin 2020, me synimin që kjo shumë të rritet në 20 miliardë euro për periudhën 2021-2027.

Bashkimi Evropian do të mbështesë zbatimin e saj  përmes  disa instrumenteve financiare sikurse janë: Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA III), Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, Fondi Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus (EFSD+) dhe instrumente tjerë financiarë të BE-së.

Programe dhe mekanizma tjerë të zbatimit të marrëveshjes do të jenë edhe reformat në administratën publike, reformat në menaxhimin e financave publike, reforma në ekonominë e gjelbër, përmirësimi i qeverisjes mjedisore, skema e tregtimit të emisioneve apo edhe bashkëpunimi përmes organizatave dhe trupave regjionale sikurse janë Programi Rajonal për Bashkëpunim, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, Traktati i Komunitetit të Energjisë etj.

Padyshim që edhe kampanjat e vetëdijesimit dhe reformat në sistemin e edukimit për mjedisin dhe klimën do të jenë pjesë shumë e rëndësishme e procesit të implementimit të agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Cilat do të jenë përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshje?

Agjenda e Gjelbër është shumë e mirëseardhur për sektorin e mjedisit në Kosovë, kur dihet mbështetja e ulët që ka ky sektor nga buxheti i Kosovës.

Përfitimet kryesore që mundë të pret Kosova, nga Agjenda e Gjelbër do të jenë në radhë të parë investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe në dekarbonizimin e sistemit energjetik, duke mbështetur projektet e bazuara në energji të gjelbër por edhe ato në eficencën e energjisë.

Dekomisionimi apo mbyllja e Termocentralit Kosova A, patjetër që duhet të jetë në agjendën e projekteve të Kosovës në këtë sektor, sikurse që duhet të përfundojë edhe procesi i rehabilitimit dhe vendosjes së filtrave në Termocentralin Kosova B.

Në këtë kontest Kosova duhet të kërkojë mbështetje për hartimin dhe implementimin e Planin Kombëtarë për Energji dhe Klimë, duke vendosur objektiva të qarta për reduktimin e emetimeve të karbonit nga sektori i energjisë.

Transporti multimodal, zgjedhjet e gjelbra, alternative dhe miqësore me mjedisin në fushën e transportit dhe lëvizshmërisë janë po ashtu prioritete që do të duhej të gjejnë mbështetje. Do të ishte me rëndësi që të shohim projekte konkrete në zonat e mëdha urbane që ofrojnë zgjedhje të gjelbra për transportin publik.

Investimet në sektorin e mbeturinave me fokus në sistemin e ndarjes së mbeturinave, dhe në ndërtimin e impianteve për riciklimit e mbeturinave duhet të jenë fusha me prioritet ku duhet të fokusohet Kosovë.

Në këtë kontest duhet ti jepet prioritet projekteve që synojnë të eliminojnë format e vjetra të menaxhimit të mbeturinave sikurse janë rehabilitimi i deponive sanitare të mbeturinave dhe eliminimi i deponive ilegale të mbeturinave. Projektet që synojnë eliminimin e dhe reduktimit e ndotjes nga plastike, apo edhe ato për rimbursimin e mbetjeve nga ambalazhet do të ishin me interes të veçantë.

Investimet në teknologji të pastra që synojnë të ulin ndotjen e ajrit, investimet në sisteme të ngrohjes qëndrore për zonat e mëdha urbane, investimet për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura apo edhe investimet në sektorin e bujqësisë organike padyshim që do kenë prioritet në kuadër te mbështetjes.

Kosova do të përfitojë nga ky proces edhe përmes ekspertizës në përafrimin e legjislacionit nacional me acquis communautaire të BE-së, dhe këtu përveç harmonizimit të legjislacionit aktual të sektorit të mjedisit me Direktivat e BE-së, do të duhej ti kushtohej vëmendje edhe ligjeve të reja sikurse është ligji për klimën.

Cilat do të jenë sfidat kryesore të Kosovës në zbatimin e marrëveshjes dhe përfitimeve të saj?

Janë një varg sfidash dhe problemesh me të cilat pritet të përballet Kosova gjatë procesit të implementimit të Agjendës së Gjelbër.

Në radhë të parë janë problemet politike dhe paqëndrueshmëria qeverisëse që bëjnë që Kosova të mos e këtë vëmendjen e duhur për agjendën e gjelbër dhe futjen e zbatimit të saj në prioritetet qeverisëse.

Zbehja e rolit të Ministrisë së Mjedisit, duke e bashkuar atë me ministri të tjera është një çështje tjetër që në mënyrë indirekte e zvogëlon mundësinë për të ju qasur në mënyrë me serioze kësaj agjende.

Burokracia dhe kapacitetet e limituara institucionale për të hartuar plane, programe dhe projekte dhe për të përfituar mbështetje për fushat e marrëveshjes janë një sfidë tjetër që kërkon vëmendje.

Tranzicioni i ngadaltë dhe me shumë probleme në të gjitha fushat zhvillimore përfshirë edhe tranzicionin e energjisë dhe tranzicionin e ekonomisë së gjelbër, padyshim që do të jenë një pengesë tjetër në zbatimin e marrëveshjes.

Andaj për të lehtësuar këtë proces dhe për të bërë më efektiv përfitimin nga kjo marrëveshje, Kosova do të duhej të hartojë një plan kombëtarë për zbatimin Agjendës së Gjelbër dhe të formojë një trup ndërqeveritarë që do të koordinonte proceset që ndërlidhen me implementimin e agjendës.
 
/Autori është Dr. i Shkencave Mjedisore/

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Dhjetor 2020

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë në të cilën do të behët plotësimi i listës së dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)

- Drejtorit të AKI-së raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë lidhur me gjendjen e sigurisë në vend. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 9:30)

- Campus France, Ambasada Frnceze në Kosovë, Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Universiteti i Prishtinës organizojnë Panairin e tretë Universitar Francez në Kosovë. (online -https://tourneebalkanskosovo.com, ora 10:00)

- Mbahet edicioni i 5-të virtual i Green Business Expo. (Businessexpo.greenkosovo.com, ora 10:30)

- Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2019, për Ministrinë e Shëndetësisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike diskuton lidhur me rekomandimet e dala nga “Raporti për vendin për vitin 2020, i Komisionit Evropian” me të ftuar ministrat dhe përfaqësuesit e agjencive të pavarura. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtorin e Departamentit të mjedisit dhe ujërave Muhamet Malësiu dhe drejtorin e Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, Gani Berisha lidhur me lejet e lëshuara për operimin e dy hidrocentraleve nga kompania “Kelkos Energy”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 11:00)

- Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëkohësisht, kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, i shoqëruar nga deputetja Eliza Hoxha, mbajnë konferencë për media në të cilën do të flasin për shtatoren e re të Skënderbeut, punën e dobët artistike dhe lokacionin jo adekuat. (Zyret e PDK-së në Prizren, ora 11:00)  

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 13:00)

- Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, do të mbajë konferencë për medie. (Te stacioni i autobusëve urbanë “Katedralja”, ora 13:00)

- Zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë raportojn para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis rreth importimit të vajit të palmës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon diskutimin online "Kuvendi përballë dialogut Kosovë-Serbi”, me deputetët e Kuvendit të Kosovës. (Paltforma Zoom dhe Live në faqen e KDI-së në Facebook, ora 13:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) mban diskutimin “Rimëkëmbja nga viti 2020: Si të rindërtojmë ekonominë dhe politikat sociale në vitin 2021?”. (Hotel Sirius, ora 17:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti mban konferencë për media lidhur me menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 17:00)