16 Dhjetor 2019

Qendra e Edukimit Jo-formal me jetëgjatësi 100 vjeçare

Gjakovë, 11 korrik - Sot në fshatin Pjetërshan të Gjakovës, është bërë vënia e gurthemelit për ndërtimin e Qendrës së Edukimit Jo–formal, projekt ky i financuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit. Në  këtë ngjarje, pjesëmarrës ishte ministri i Kulturës, Rinisë, dhe Sportit Kujtim Gashi.

 

Pas vënies së gurthemelit për ndërtimin e kësaj qendre ministri Gashi theksoi se fillimi i këtij projekti përbën njërin ndër programet me interes nacional për të rinjtë e Republikës së Kosovës.

 

“Ky projekt do të krijon kushte fizike të një qendre rezidenciale e cila mund të përdoret gjatë tërë vitit nga shkollat, OJQ-të, institucionet qeveritare, institucionet private, mediat, programet rajonale, etj., duke ndjekur shembullin e avancimit të rinisë në shtetet e Evropës dhe SHBA-së”, tha ministri Gashi.

 

Ai po ashtu tha se Qendra e Edukimit Jo- formal e cila ka filluar të ndërtohet është projekt i cili do të ketë jetëgjatësi 100 vjeçare dhe është krijuar për të ju shërbyer shumë gjeneratave në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Stafi i kësaj qendre janë të rinj dhe të reja nga vendi ynë të trajnuar që nga viti 2016 në vendet e perëndimit, specifikisht në: SHBA, Angli, Zvicër, Francë, Danimarkë dhe Finlandë", tha Gashi.

 

Gjithashtu ministri bëri me dije se vlera për ndërtimin e kësaj qendre është mbi një milion euro ku pjesa më e madhe e investimeve është mbështetur financiarisht nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport.

 

Ministri po ashtu sqaroi se kjo qendër do të ketë në kapacitetin e saj 90 shtretër dhe se këto ambiente do të përmbajnë salla të trajnimeve, terrene sportive, amfiteatër, kuzhinë tradicionale, hapësira për aktivitete të gjelbërta, hapësira për programe të punësimit dhe inovacionit etj.

 

“Programet të cilat do të ofrohen janë tërësisht të bazuara në edukimin jo-formal. Aktivitetet e planifikuara për 5 vjeçarin e parë janë trajnime të punësimit dhe inovacionit, aktivitete të lidershipit dhe punës grupore, aktivitete të mbrojtjes së ambientit, programe të shkëmbimit të rinisë me vende të Evropës dhe SHBA-së, kampe për të rinjtë dhe të rejat nga Diaspora, kampe të fundjavës për shkollat publike, kampe për fëmijët dhe të rinjtë e të rejat nga familjet me ndihma sociale”, tha ndër të tjera ministri Gashi.

Ky projekt kapital në Kosovë mbështetet edhe nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, Komuna e Gjakovës, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Fondacioni Lorik Cana 5 dhe Fondacioni Ipko Foundation. Ndërsa partnerët ndërkombëtar që mbështesin këtë projekt janë: Ys Men Region Denmark, YMCA USA, YMCA Frost Valley, YMCA Finland dhe YMCA England.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 dhjetor 2019

- Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë dhe Komiteti Lokal për Siguri Publike nga komuna e Vushtrrisë organizon takimin e nëntëmbëdhjetë të Këshillit Ekzekutiv të Komiteteve Lokale për Siguri Publike. (Hotel Emerald, ora 10:00) 
 
- Komuna e Deçanit dhe Ministria e Arsimit vendosin gurthemelin për ndërtimin e objektit të ri të Shkollës Fillore të Mesme dhe të Ulët 'Lidhja e Prizerenit'. (Deçan, ora 12:00) 

 

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore për Klinikën e Neonatologjisë dhe Pediatrisë në Spitalin e Mitrovicës, pajisje keto të financuara nga partneri jonë Raiffeisen Bank në Kosovë.  (Spitali i Mitrovicës, Klinika e Neonatologjisë, ora 14:00)