17 Janar 2018

MKRS për vitin 2018 ka një rritje buxhetore për sektorin e rinisë

Prishtinë, 4 janar - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim një grup të të rinjve vullnetarë të organizatës  “Let’s Do It Kosova”.

Në këtë takim u diskutua gjatë rreth kushteve të punës vullnetare të të rinjve të Kosovës. Ministri Gashi iu uroi mirëseardhje përfaqësuesve të organizatës “Let’S Do It Kosova”.

Ai i njoftoi të pranishmit se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2018 ka një rritje buxhetore për sektorin e rinisë dhe se prioritet i Ministrisë për këtë vit do të jetë rinia.

Po ashtu ministri i njoftoi edhe me një program që pritet të themelohet në kuadër të Ministrisë së Rinisë i cili do të quhet Fondi Rinor, si dhe planifikimin për ndërtimin e një Qendre të Edukimit Jo-Formal për të rinjtë, e cila do të jetë qendra më e madhe rinore në rajon.

Ministri po ashtu theksoi se duke qenë se  Udhëzimi Administrativ për Vullnetarizmin ka hapësira dhe zbrazëti të mëdha, po punohet në ndryshimin e këtij Udhëzimi Administrativ por edhe për hartimin e një Ligji për vullnetarizmin i cili do të përfshijë edhe çështjen e rinisë, ku theks të veçantë do të ketë njohja e punës vullnetare si përvojë e punës, si dhe do të pajisen vullnetarët me kartelën e vullnetarit.

Ai tha se bashkërisht edhe me organizatat tjera, me një bashkëpunim të jashtëzakonshëm do t’i shtyjmë proceset përpara dhe se MKRS-ja do të jetë mbështetëse e madhe e punës vullnetare të të rinjve.

Të rinjtë vullnetarë e njoftuan ministrin se problemi kyç me të cilin përballen janë kostoja e lartë për realizimin e aktiviteteve si pasojë e së cilës shumë ide dhe projekte të tyre mbesin të parealizuara.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i kësaj organizate Luan Hasanaj, falënderoi Ministrin Gashi për pritjen. Ai po ashtu falënderoi ministrin për gatishmërinë për të bashkëpunuar duke u shprehur se do të punohet shumë në rritje të këtij bashkëpunimi në mënyrë që të realizohen aktivitetet e tyre vullnetare.

Gjithashtu ai  vlerësoi edhe iniciativën për ndërtimin e një Qendre Rinore me përmasa rajonale, si një nevojë shumë e madhe e të rinjve të cilët aktualisht kanë mungesë të hapësirave për zhvillimin e aktiviteteve rinore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 Janar 2018 - Mbahet mbledhje e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët shqyrtimi i projektligjit për ndërmarrjet sociale. (Ndërtesa e Kuvendit, sallaN 303, ora 10:00)

- Në kuadër të organizimeve në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nesër më 17 janar 2018, zhvillohen homazhe te shtatorja e Skënderbeut. (Shtatorja e Skënderbeut, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit të punës së Komisionit, për vitin 2017 si dhe shqyrtimi i draft-planit të punës së Komisionit, për vitin 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Për nder të 18 vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, do të mbahet shënimin simbolik të këtij përvjetori, në të cilin pjesëmarrës do të jenë Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, Ministri i Financave Bedri Hamza, palët e interesit dhe donatorët. (Qendra e Shërbimit të Tatimpaguesve, ish-ndërtesa e Gërmisë, ora 11:00) 

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit,  salla  C 301, ora 11:00)

- Prezantohen projektet e studentëve, të cilët do të pasqyrojnë punën që është bërë gjatë semestrit dimëror 2017/18. (Fakulteti i Edukimit, ora 11:00)

- Mbahet mbledhje e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Tatimin në Pronën e Paluejtshme, me raport amandamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Finanaca. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 12:00)

- Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj do të vizitojë kompaninë e prodhimit të produkteve farmaceutike “Trepharm”. (Hapësirat e “Trepharm” në Sllatinë, ora 12:30)

- Komuna e Gjilanit ben zbulimin e bustit te heroit Gjergj Kastrioti - Skenderbeu. (Sheshi kryesore para zyres se kryetarit ne Gjilan, ora 13:00)

- Mbahet Akademi kushtuar 550 vjetorit të Skënderbeut, me ç ‘rast do të promovohet pulla postare e Postës së Kosovës dhe Postës së Maqedonisë në të cilen do të nderohen edhe figurat e shquara të shqiptarëve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 36-vjetorin e vrasjes së tyre. (Teatri Kombëtar të Kosovës, ora  15:00)

- Komuna e Gjilanit organizon akademin e Flakes se Janarit 2018, qe i kushtohet 550 vjetorit te vdekjes se heroit kombetar Skenderbeu dhe 50 vjetorit te protestave masive per flamurin kombetar. (Teatri i Qytetit, ora 16:00)

- Muzeu i Kosovës, me nismën e "Museum Illyricum" - Zvicër, organizojnë ekspozitë me libra; pulla dhe bankënota nga mesjeta e deri në vitet '30-ta. (Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, ora 18:00)

- Hapet ekspozitë 55 portrete për 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. (Swiss Diamond Hotel, ora 18:00)

- Në 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Skenderbeu dhe 50 vjetorit të protestave masive për flamurin kombëtar organizon aktivitetin Peneli i Flakes. (Teatri i Qytetit të Gjilanit, ora 19:00)