29 Nëntor 2020

Mbahet festivali kombëtar i letërsisë

Prishtinë, 23 tetor - Dje në Podujevë u mbajt Festivali Kombëtar i Letërsisë i organizuar nga Shoqata Kulturore “Prokult” nga Podujeva.

Në këtë event kulturor i cili tashmë është bërë tradicional, ngase këtë vit u mbajt për të nëntën herë, pra ishte Edicioni i IX-të, morën pjesë shumë krijues letrar dhe artdashës nga të gjitha anët e vendit.

Në këtë manifestim letrar, i cili çdo vit mbahet në muajin tetor, sivjet kishte shumë më pak pjesëmarrës, për shkak të pandemisë, meqë nuk lejohet numër i madh i pjesëmarrësave në evente kulturore, por lejohet deri në 50 veta dhe duke qëndruar me maska dhe në distancë.

Fillimisht Festivalin e hapi kryetari i Shoqatës Kulturore “Prokult”, Fatmir Halimi, i cili tha se sivjet Festivali mbahet në numër të kufizuar të pjesëmarrësve për shkak të virusit korona Covid 19.

Ai i falënderoi të gjithë të ftuarit që kanë gjetur kohë dhe i janë përgjigjur ftesës për ta madhështuar këtë Festival Letrar.

Halimi shtoi se në kuadër të këtij Festivali do të ketë tri çmime letrare me emrin e gazetarit dhe krijuesit Milazim F.Kadriu, i cili ka ndërruar jetë vitin e kaluar.

Pra, ndahen çmimi i parë për poezi “Milazim F. Kadriu”, çmimi i dytë për poezi “Milazim F. Kadriu” dhe çmimi i tretë për poezi “Milazim F. Kadriu”. U caktua juria nga tre veta: Profesori Fetah Sheholli, poetja Mevlyde Mezini Saraqi dhe gazetari e poeti Ahmet Pllana.

Moderatori, profesori Abdullah Blakçori, e udhëhoqi për mrekulli tërë Festivalin, duke thënë fjalë të mrekullueshme për secilin pjesëmarrës krijues të cilin e ftonte për të lexuar poezinë e tij.

Festivalin e bëri madhështor edhe pjesëmarrja e ish kryetares së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK) dhe ish deputetja e Parlamentit të Kosovës dhe veprimtarja e çështjes kombëtare, znj. Flora Brovina.

Për fillim për mysafirët u dha një valle nga valltaret e Shoqërisë Muzikore “Flaka e Llapit” nga Podujeva, të cilën e udhëheq njeriu i kulturës, Nebih Bala. Më pas moderatori Blakçori i ftoi poetët të lexojnë poezitë e tyre.

Lexuan këta poetë: Bislim Aliu, Albina Idrizi, Ahmet Pllana, Fadil Curri, Gani Azemi, Nora Lokaj, Hamit Majkovci, Dibran Fylli, Shaban Pllana, Mevlyde Mezini Saraqi, Fadil Halimi, Fehmi Berisha, Naxhije Kiqina Krasniqi, Rabije Bytyqi, Zymer Haliti, Majlinda Kovaqi, Violetë Krasniqi, Abdullah Troshupa, Ymrije Beqiri, Faik Musa, Nazim Bala, Esat Loshaj, Rrahim Sadiku, Nebih Potoku dhe Fatmir Halimi. Pas deklamimit të poezive nga poetët, u ndanë tri çmimet për poezi.

Sipas vlerësimit të jurisë Çmimin e parë letrar për poezi “Milazim F. Kadriu” e mori Bislim Aliu nga Podujeva, Çmimin e dytë për poezi “Milazim F. Kadriu” e mori Albina Idrizi nga Gjilani dhe Çmimin e tretë e mori Majlinda Kovaqi nga Vushtrria.  

Në kuadër të këtij takimi letrar u bë edhe promovimi i librit “Guri pikon fjalë” i autorit Fehmi Berisha. Referues të këtij libri ishin profesor Islam Gegaj dhe krijuesi Fatmir Halimi.

Gegaj tha se autori Fehmi Berisha me librin e tij me poezi “Guri pikon fjalë”, e ka dëshmuar veten si një krijues i denjë, meqë autori nuk ndalet së shkruari, ndonëse jeton dhe punon në Zvicër.

Ai deri më tani ka botuar tre libra, kurse libri “Guri pikon fjalë” është libri i katërt i tij. Ai tha se autori shkruan poezi nga përjetimi duke qenë i frymëzuar nga ëndërrat që ka pasur për lirinë, por që ka kontribuuar për lirinë edhe vet.

Ndërkaq, krijuesi Fatmir Halimi, tha se përmbledhja poetike “Guri pikon fjalë” ka një titull me një diskurs kritik që mund të konceptohet në dy rrafshe, në atë letraro-artistik dhe në rrafshin historiko-politik. Në fund të këtij eventi kulturor për mysafirët u dha një koktej rasti.       

Shkruar nga Ahmet Pllana
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 Nëntor 2020

- Komisioni Qendror Zgjedhor mban konferencën e parë për media lidhur me hapjen e vendvotimeve. (Ndërtesa e KQZ-së, ora 8:00)

- Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Podujevës Naim Fetahu, do të votojë në shkollen fillore “Esat Mekuli”. (Fshati Dobratin në Podujevë, ora 10:00)

- Komisioni Qendror Zgjedhor mban konferencën e dytë për media lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 11:00. (Ndërtesa e KQZ-së, ora 11:30)

- Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Podujevë, mban sot konferencë për media. (Sheshi i qytetit, para shtatoreve të katër heronjëve, ora 12:00)

- Komisioni Qendror Zgjedhor mban konferencën e tretë për media lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 15:00. (Ndërtesa e KQZ-së, ora 15:30)

- Komisioni Qendror Zgjedhor mban konferencën e katertë për media lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 19:00. (Ndërtesa e KQZ-së, ora 19:30)