05 Korrik 2022

Lumbardhi hapë sezonin e programeve që kremtojnë 70-vjetorin e kinemasë

Prizren, 25 maj - Fondacioni Lumbardhi hapë sezonin e programeve që kremtojnë 70-vjetorin e kinemasë me promovimin e librit “Lumbardhi: një histori episodike” dhe fillimin e programit të filmit LXX në ekran të madh sot në Kino Bahçe.

“Lumbardhi: një histori episodike” nga Bengi Muzbeg dhe Tevfik Rada, flet për takimin dhe ndërveprimin midis Kino Lumbardhit dhe Prizrenit, prej rrethanave që sollën te hapja e kinemasë në vitin 1952 e deri te ndalja e aktivitetit pas falimentimit të ndërmarrjes shoqërore “Kino Bistrica” në fillim të shekullit të ri.

I botuar në kuadër të hulumtimit shumështresor “Kinofigurimi” që trajton historinë e Kino Lumbardhit dhe zhvillimin e kinemasë në Kosovë, bazuar kryesisht në studime arkivore dhe kujtime të protagonistëve të episodeve të ndryshme të kinemasë, libri tenton ta vendosë zhvillimin e kinemasë në kontekst politik dhe kohor, e ta kuptojë rëndësinë shoqërore dhe historike të kinemasë dhe pamjeve lëvizëse në raport me qytetin dhe realitetin politik të vendit.

Pas promovimit të librit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi ta përcjellin fillimin e shfaqjeve të programit LXX në ekran të madh, të bashkëkuruar nga Bengi Muzbeg, Kumjana Novakova dhe Veton Nurkollari.

Përzgjedhja e filmave është bazuar në listat e filmave të shfaqur në kinemanë Lumbardhi gjatë pjesës së dytë të shekullit XX, që përfshinë një gamë të gjerë të zhanreve, prej filmave propagandistikë jugosllavë e hollywoodianë, deri te filmat artistikë europianë, melodramat turke, indiane e meksikane.

Sezoni veror i shfaqjeve hapet me Beteja e Neretvës (1969) me regji të Veljko Bulajić, film historik i bazuar në ngjarje nga Lufta e Dytë Botërore, njëkohësisht edhe filmi më i shtrenjtë i prodhuar në ish-Jugosllavi, i nominuar për shpërblimin Oskar, me një ekip ndërkombëtar e rajonal të aktorëve, prej Orson Welles e deri te Faruk Begolli. Para filmit, fjalën do ta marrin drejtorja e Qendrës Filmike të Sarajevës, Ines Tanović, si dhe kuratorët e programit të filmit.

Mes 25-29 maj, për pesë ditë rresht, programi LXX do t’i shfaqë edhe filmat “Loves of a Blonde”, “Era dhe Lisi”, “Dry Summer” dhe “Once upon a time in the West”, me fillim nga ora 20:30 në Kino Bahçe, ndërkohë që programi do të vazhdojë deri në muajin shtator, me mbi 40 shfaqje filmike të prezantuara në orare dhe formate të ndryshme.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 korrik 2022

- Mbahet takimi në mes të delegacionit Amerikan të MCC-së dhe atij të Republikës së Kosovës në lidhje me programin Kompakt të MCC-së. (Ndërtesa e Qeverisë, Salla - P38, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton propozim-amendamentet për Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca mban konferencë për media me rastin e përfundimit të sezonit auditues 2021/22 dhe procesit të publikimit të 121 raporteve të auditimit. (Ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Lagjja Arbëria, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Rektori i Universiteti të Prishtinës Naser Sahiti dhe U.D Sekretari i Përgjithshëm, Besfort Krasniqi raportojnë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës mban konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga monitorimi i punës së Kuvendit për gjashtë muajt e parë të sesionit pranveror me fokus në çështjen e mungesës së kuorumit dhe shqyrtimit të projektligjeve. (Zyrat e Institutit Demokratik të Kosovës, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë do të lansoj edicion e 22-të të Përmbledhjes Pulsi Publik. (Salla e konferencave të UNDP-së, ora 11:00)

- UBT nënshkruan dy marrëveshje shumë të rëndësishme me dy universitete nga shteti i Iowa-s, me University of Northern Iowa dhe University of Iowa. (Kampusi i UBT-së, Lipjan, tek QMI, ora 12:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione prezanton draftligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Baza Gjinore, nga eksperti Hilmi Jasahri, i angazhuar nga UN Women. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës njoftohet rreth ndërrimit të anëtares së PDK-së Eliza Hoxha me deputetin Abelard Tahiri si dhe diskuton rreth emrave të ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim ambasadorin japonez, Akira Mizutani. (Kabineti i kryetarit, 13:30 - mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)