02 Korrik 2020

Degradimi i trashëgimisë kulturore vazhdon të rrezikojë jetën e qytetarëve

Prizren, 16 qershor - Shembja e shtëpisë së familjes Kasëmllari në Qendrën Historike të Prizrenit me 29 maj 2020, me ç’rast janë lënduar dy anëtarë të kësaj familjeje është tregues se si lejimi i degradimit të vlerave të trashëgimisë kulturore po vazhdon të rrezikojë jetën e qytetarëve.

Për më shumë institucionet përgjegjëse si duket nuk kanë nxjerrë mësime të duhura nga ngjarja tragjike e katër viteve më parë, kur në atë kohë tre vjeçarja Xheneta Gashi, kishte humbur jetën nën rrënojat e një shtëpie të vjetër në Zonën Historike të qytetit.

Mungesa e mbrojtjes dhe menaxhimit efikas të monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren prej kohësh i ka shndërruar ato në ndërtesa të rrezikshme për jetën e qytetarëve të rëndomtë, ani pse legjislacioni në fuqi mundëson veprime drejt mbrojtjes dhe menaxhimit më efikas të tyre.  

Në bazë të shkresave që EC Ma Ndryshe i ka siguruar nga organet komunale të Prizrenit përmes qasjes në dokumente publike del se rreziku për banorët e shtëpisë së familjes Kasëmllari ishte konstatuar në maj të vitit 2018, në raportin e Inspektorëve të Preventivës të datës 23 maj 2018 (nr 49/2018). Drejtoria për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit në përgjigjen me shkrim ka theksuar se pas këtij  raporti, DES “në mungesë të kodeve buxhetore për ndërhyrje në objektet ku paraqitet rreziku, kemi dërguar lëndën me Akt përcjellës më datë 07.06.2018 në Drejtorinë e Mirëqenies Sociale pasi që në këtë drejtori ka qenë kodi për shtëpitë në raste emergjente dhe ne nevojë”. 

“Po nga kjo drejtori kemi pranuar përgjigjeje me datë 07.06.2018, ku ende nuk ishte realizuar procedura tenderuese me kompanitë për të realizuar projekte nga shtëpitë që paraqesin rrezik”, thuhet në përgjigjen e DES-it. Kjo drejtori ka theksuar se “për të marrë masat me kohë dhe për tu ruajtur struktura arkitektonike e këtyre objekteve që konsiderohen të mbrojtura, QRTK duhet që për çdo objekt neve si Komunë të na u prezantohen skica, apo projekte për ndërmarrjen e masave emergjente për eliminim të rrezikut, po ashtu institucioni i QRTK-së duhet të hartojë projekte për restaurim të këtyre objekteve të cilat i deponon Komunës së Prizrenit dhe palës”.

Ndërkaq QRTK në Prizren ka njoftuar se gjatë muajit shtator të vitit 2018 është pranuar kërkesa për ndërtimin e shtëpisë individuale në këtë ngastër kadastrale.

Sipas QRTK-së lënda është trajtuar nga Komisioni i QRTK-së në Prizren dhe në tetor të vitit 2018 është refuzuar kërkesa për ndërtim të shtëpisë individuale, pasi që ndërtimi i objektit të ri nënkupton rrënimin e shtëpisë së vjetër tradicionale.

Me këtë rast pala është njoftuar se ndërhyrjet e lejuara në këtë kategori objektesh janë aplikimet plotësuese sikurse restaurimi dhe renovimi.

"Me qëllim të mënjanimit të rrezikut dhe sigurimit të ndërtesës dhe banorëve, dhe duke u bazuar në Ligjin Nr.04/L-066, neni 9 dhe 13, dhe në bazë të Ligjit Nr.02/L-088, neni 4.10 dhe 4.11, Komisioni i QRTK-Prizren ka kërkuar nga pala dhe nga DES e Komunës së Prizrenit që të merren masat mbrojtëse në mënyrë urgjente”, thuhet në përgjigjen me shkrim të QRTK-së. QRTK gjithashtu ka njoftuar se Shtëpia e familjes Kasëmllari gjendet brenda kufirit të Qendrës Historike të Prizrenit, ku supozohet se është ndërtuar gjatë shekullit XIX dhe se posedon vlera arkitektonike, origjinaliteti, tipologjike dhe ambientale.

EC Ma Ndryshe përsërit qëndrimin se siguria e qytetarëve është prioritet. Në këtë linjë thekson se institucionet përgjegjëse në bashkëpunim me komunitetin duhet të ndërmarrin veprime adekuate me kohë që shtëpitë e vjetra tradicionale dhe ndërtesat tjera të trashëgimisë kulturore mos të degradojnë deri në masën sa të paraqesin rrezik për sigurinë e banorëve të tyre dhe qytetarëve tjerë.

Për këtë arsye, EC kërkon nga institucionet përgjegjëse që të rrisin vigjilencën për të monitoruar situatën dhe për të ndërmarrë veprime të duhura ligjore me kohë ashtu që ndërtesat e trashëgimisë kulturore mos të shndërrohen në rrezik për qytetarët, por të jenë aset i vërtetë i trashëgimisë kulturore dhe i zhvillimit të qytetit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Korrik 2020 - Mbahet mbledhja e dytë e rregullt për vitin 2020 e Kuvendit të Komunës së Prizrenit. (Salla e Kuvendit të Komunës në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Inaugurohen zyrat të reja të Bankës Qendrore të Kosovës në të cilen do të merr pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. (Tek ish-zyrat e Komunës së Prishtinës që gjenden mes objektit të BQK-së dhe parkingut nëntokësor tek Hotel Grandi, ora 10:00)

- Nataliya Apostolova, Udhëheqëse e Zyrës së BE-së në Kosovë do t’i dorëzojë Ministrisë së Shëndetësisë 6,000 komplete testimi për COVID-19, 90 shtretër spitalorë, mbi 67,000 maska të frymëmarrjes dhe pajisje të tjera mjekësore në mbështetje të sistemit shëndetësor. (Live stream në facebook.com/EuropeanUnionInKosovo, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të vizitojë Komunën e Gjilanit ku do te takohet me kryetarin Lutfi Haziri. (Objekti i Komunës së Gjilanit, ora 10:30)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës se Gjilanit, Lutfi Haziri vizitojnë stadiumin e qytetit në Gjilan si dhe vendosin gur-themelin e stadiumit ndihmës. (Gjilan, ora 11:00)
 
- Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Iniciativa për Progres me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it, do të mbajnë konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti i monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik: “E drejta për ujë, peng i prokurimit: Analizë e tenderit maratonik për ujësjellës në Komunën e Dragashit”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, përfaqësuar nga Ambasada Britanike, nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit. (Holli i Kuvendit të Kosovës​, ora 12:00)

- SKOPI Studentor organizon aksion simbolik për të treguar realitetin e krijuar nga emërimet e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. (Para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, ora 12:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në nënshkrimin e Memorandum Bashkëpunimit me Ambasadën Britanike për pozitat e larta drejtuese. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- IKD dhe INPO mbajnë konferencë për medie, në të cilën do publikohet raporti i monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik “E drejta për ujë, peng i prokurimit”. (Hotel “Sirius”, ora 14:30)

- Me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka ftuar të gjithë gazetarët e sportit, në takim me për të diskutuar mbarëvatjen e sportit në vendin tonë si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet sporti dhe gazetarët sportivë. (Kabineti i Ministres së MKRS-së, ora 15:15)