10 Dhjetor 2018

Qeveria në mbështetje të industrisë së drurit

Prishtinë, 5 dhjetor - "Linjat e prodhimit në tërësi në Kosovë, jo vetëm të drurit, janë të liruara nga taksat dhe lirimi i doganës në importin e lëndës së parë dhe kjo ka ndodhë me kohë", kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në  hapjen Konventës së Tretë të Industrisë së Drurit, që u bë sot në Prishtinë.

Kryeministri Haradinaj bëri të ditur se politika fiskale është e qëndrueshme dhe është ofertë e mirë jo vetëm për rajonin, pasi që tatimi në fitim është 10 për qind, në paga 10 për qind, në dividentë është zero dhe  lirimi nga TVSh në eksport.

"Në Kosovë janë krijuar parametrat që prodhuesit vendorë të mund të prodhojnë, përpunojnë, nxjerrin produkte, me të cilat mund të garojnë jo vetëm në tregun e vendit të tyre, por edhe jashtë", tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se vendimet për dhënien në shfrytëzim të pronave për Komunat kanë pas për qëllim ndihmën për zhvillimin e tyre.

“Elementi më i ri që është tani, është taksa e vendosur për produktet e dy vendeve, pra të Serbisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe dua të lidh vendimin e taksës për ju”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se taksa e  vendosur, është jo vetëm e drejtë, është e duhur dhe ka edhe një efekt, është Kosova e para, që domethënë se ata që jetojnë e punojnë në Kosovë, që paguajnë taksa në Kosovë, që marrin paga prej këtyre taksave, e kanë Kosovën të parën, do ta kenë dhe duhet ta bëjnë Kosovën të fortë, të zhvilluar, të mirë dhe këtë mund ta bëjnë, nëse secili nga perspektiva e vet, mbulon atë hapësirë në të cilën ndodhet.

Kryeministri Haradinaj, më tutje theksoi se prodhuesit e drurit, përpunuesit, duke zhvilluar kapacitetet e veta, garuar me çmim, ata ndihmojnë në hapjen e vendeve të punës dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik.

Duke falënderuar USAID-in, ambasadën suedeze për angazhimin dhe përkrahjen që u kanë dhënë prodhuesve dhe përpunuesve të drurit, jo vetëm në proceset direkt në prodhim e përpunim, por edhe të gjitha ato veprime tjera që ia mundësojnë sipërmarrësve tanë organizimin, brendimin e produkteve, plasimin e tyre, jo vetëm në treg të brendshëm, por edhe në eksport, kryeministri Haradinaj u bëri thirrje prodhuesve që në kuadër të këtyre parametrave të krijuar, të jenë ambicioz, të rrisin prodhimin, cilësinë, vendet e punës, të punojnë për brendimin e produkteve të tyre si brenda, po ashtu edhe jashtë vendit.

Lisa Magno, drejtoreshë e Misionit të USAID-it në Kosovë, tha se industria e prodhimit dhe përpunimit të drurit, është ndër më të suksesshmet dhe ndër më entuziastet në vend dhe po zhvillohet me shpejtësi të madhe dhe me potenciale të jashtëzakonshme që të rritet edhe më tutje.

Nga ana e saj, Nasrin Pourghazian, kryesuese për bashkëpunim dhe zhvillim, në Ambasadën e Suedisë në Kosovë, tha se ngjarja e sotme, nuk është vetëm një rast që të promovohen përpunimi dhe prodhimi i drurit, por edhe që të ngriten çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me ambientin e biznesit dhe reformat, sukseset, mësimet e nxëna, si dhe sfidat me të cilat përballet kjo industri.

Kryeministri Haradinaj, më pas, pa nga afër prodhimet e ekspozuara të prodhuesve dhe përpunuesve të drurit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 dhjetor 2018 - Organi Shqyrtues i Prokurimit fillon me transmetim të drejtpërdrejtë “live stream” të sesioneve të tij, një hap ky në drejtim të një qasjeje më transparente nga ana e këtij institucioni. (Zyra e Organit Shqyrtues të Prokurimit, ish-Banka e Lubjanës, kati i 5-të, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë tryezën e diskutimit me temë “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin legjislativ”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Shoqata “Miqtë e Amerikës” dhe Komuna e Gjakoves hapin Librin e Zisë, në nderim të Presidentit George H.W. BUSH. (Pallati i Kulturës "Asim Vokshi" në Gjakovë, ora 10:00)

- Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të organizohet aksion pastrimi në Komunën e Rahovecit. (Rruga kryesore në fshatin Zaqisht të Rahovecit, ora 10:00)

- Shefi i Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, do të diskutojë me nxënësit e shkollave të mesme me temë "Të mbështesë ndryshimin kulturor: roli i gjeneratave të reja për formësimin e vlerave të së nesërmes".  (Kafiteria Dit' e Nat', ora 10:00)

- Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës të mbajë konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve të sektorit privat. (Zyret te BSPK, së ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon ngjarjen vjetore të shpërblimeve në kuadër të projektit “Leja prindërore për barazi gjinore” që financohet nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze. (Libraria Dukagjini, ora 11:00)

- Mbahet tryeza në të cilën do të diskutohet për pakon ligjore kundër korrupsionit, si dhe për punën e institucioneve të drejtësisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C-405, ora 11:00)

- Asociacioni i Arkitektektëve të Kosovës dhe Komunës së Gjilanit bën prezantimin e “Bienales së Arkitekturës 2018”, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit dhe arkitektët në nivel Kosove dhe ata regjional. (Gjilan, ora 13:00)

- Instituti për Politika Zhvillimore organizon konferencën për shtyp me temë “Standardizimi i produkteve vendore: Shpërndarja dhe shitja e standardeve. (Resource Center Kosovo, në lagjen Pejton, në zyre të Forumit për Iniciativa Qytetare, ora 13:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të organizoj tryezen e diskutimit me temë “Zbatimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik në pushtetin ekzekutiv”. (Hotel Sirius, ora 14:00)

- Partia Socialdemokrate mban konferencë për media lidhur me çështjen e dialogut me Serbinë, për të cilën do të flasin nënkryetarët Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani. (Zyrat e PSD-së, në lagjen "Arbëria", ora 14:00)

- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në prag të përfundimit të vitit 2018, organizon ngjarjen vjetore për shënimin e të arriturave në vetëqeverisjen lokale në Kosovë si dhe të prezantojë orientimet për vitin e ardhshëm. (Sheshi 21, ora 18:00)