15 Tetor 2019

Projektet për ujëmbledhësit dhe trajtimin e ujërave të zeza, prioritet i qeverisë

Vjenë, 20 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Austri ka zhvilluar sot një takim me delegacionin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga zëvendës presidenti i parë i BERZH-it, Jurgen Rigterink.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar z.Rigterink për të arriturat e Kosovës dhe përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, për stabilitetin makrofiskal dhe për angazhimin e institucioneve të Kosovës në fuqizimin e sundimit të rendit dhe të ligjit.

Kryeministri Haradinaj ka falënderuar z.Rigternik dhe BERZH-in për përkrahjen e projekteve zhvillimore të Kosovës në fushat si zhvillimi i sektorit privat, zhvillimi i sektorit të energjisë dhe zhvillimi i ndërlidhjes infrastrukturore të Kosovës me vendet në regjion.

Më tej, kryeministri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të BERZH-it, në  projekte që do të fuqizonin zhvillimin e zonave industriale, për korporatat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të rritur produktivitetin dhe përmirësuar cilësinë, ndërmarrjet eksportuese dhe fusha tjera të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e mirëqenies sociale për qytetarët dhe stabilitetin e bizneseve në Kosovë.

Nga ana e tij, zëvendës presidenti i parë të BERZH-it, Jurgen Rigterink, ka vlerësuar progresin e Kosovës duke thënë se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në zhvillimin e projekteve dhe investimeve për të ardhmen.

Në këtë takim, të dyja palët u zotuan në implementimin e projekteve infrastrukturore, si rehabilitimi i rrjetit hekurudhor Hani i Elezit – Prishtinë, rruga Kijevë – Zahaq, ndërlidhja e Kosovës me gazsjellësin TAP, implementimi i projekteve për trajtimin e ujërave të zeza derisa në fokus të Qeverisë do të jetë ndërtimi i digave për rritjen e kapacitetit ujor të Kosovës dhe projekti Unaza e jashtme e qytetit të Prishtinës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 tetor 2019

-  Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media lidhur me zhvillimet në sektorin privat. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëorganizim me MASHT-in dhe OJQ – të mjedisore do të shënojë Ditën Ndërkombëtare të Ecjes së Lirë në Natyrë. (Parku “Germia”, ora 10:00)

- Shoqata Down Syndrome Kosova në bashkëpunim me GIZ-in gjerman organizon “Panairi i karrierës: takimi i punëdhënësve me punëkërkuesit” i cili zhvillohet në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Fakulteti Ekonomik i Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka” organizon takimin Fakultet-Biznese, ku do të diskutohet për të ardhmen e Fakultetit dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe praktikes per studentet. (Objekti i Universitetit të Gjilanit, ora 12:00)

- Hapet edicioni i dytë i Metamorphosis. Flirting with leftovers e cila është një  intervenim artistik, specifik për lokacionin,  konceptuar nga artistja Koja. (Ish Restorant Marsi, rr. Bedri Gjini - Kodra e Trimave, ora 18:30)