08 Maj 2024

Prodhuesit kërkojnë lehtësira fiskale në importimin e makinerive

Prishtinë, 4 tetor - Përfaqësuesit e ndërmarrjeve prodhuese në Kosovë kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që përveq pakos fiskale të ndërmerr edhe hapa të tjerë për krijimin e lehtësirave të tjera për prodhuesit.

Përfaqësuesit e kompanisë German Plast, një kompani që prodhon gypa të ujit, deklaruan se prodhuesit vendor kanë ende nevojë për reforma të reja fiskale.

Sipas tyre zgjerimi i listës për produktet esenciale që tatimohen me 8 për qind, do të ishte një shtysë zhvillimi për prodhuesit vendor.

Megjithatë në këtë kompani me seli në Junik  thonë se pakoja fiskale pas një viti të hyrjes në fuqi ka pasur efekte pozitive për ta.

“Hyrja në fuqi e pakos fiskale të re ka ndikime pozitive për zhvillimin ekonomik në kompaninë tonë. Përfitimet kanë qenë përmes lirimit të lëndës së parë nga TVSH-ja”, deklaruan përfaqësues të kompanisë. 

German Plast pret që të arrihet edhe lirimi nga pagesa e TVSH-së për makineritë prodhuese.  Sipas tyre kjo do të lehtësonte qasjen e prodhuesve vendor në teknologji moderne prodhuese.

Në anën tjetër Ernest Jusufi, drejtor menaxhues i Birrës Peja, tha se pakoja e re fiskale ka sjellur impakt tjetër tek bujqësia. , e sidomos prodhuesit e vegjël.

Ai tha se probleme tek prodhuesit e vegjël ka sjellë ulja e pragut të TVSH-së.

“Ulja e pragut të TVSH-së në 30.000 ka sjellë probleme te prodhuesit e vegjël të qumështit, të cilët është dashur të angazhojnë kontabilist profesional, e që në fund ka rezultuar me ngritje të kostos së qumështit të freskët. Ne anën e kundërt, prodhimet e qumështit që importohen, tani paraqiten me çmime më të ulëta për shkak të uljes së TVSH-së për qumështin nga 16 në 8 për qind”, tha ai.

Kujtim Gjevori, përfaqësues i ndërmarrjes “Scampa” , që merret me prodhimin e qeseve të plastikës tha se duhet të ndërrohet mënyra e pagesës së TVSH-së. Sipas tij shteti duhet ta obligojë që ta paguaj TVSH-në vetëm kompaninë  e fundit që e shet një mall.

 “Propozimi im për reforma të reja fiskale është që TVSH-ja brenda shitjeve kompani-kompani të mos parapaguhet respektivisht TVSH-në ta paguaj vetëm klienti i fundit, për çka edhe është i specifikuar ky detyrim”, tha Gjevori.

Ai tha se kjo do të sjellë efekte pozitive pasi që kompanitë do ta kenë më të lehtë menaxhimin e rrjedhjes së parave në biznese, si dhe do të ndihmojë në zhdukjen e informalitetit si dhe në rritjen e tatimit. 

Gjovori tha se hyrja në fuqi e pakos fiskale ka ndikuar pozitivisht në biznesin e tij duke mundësuar kësisoj  furnizim më të lehtë , si dhe rritje të eksportit .

Edhe Gjevori tha se do të ishte i mirëseardhur edhe lirimi i TVSH-së për makinat prodhuese.

Sipas tij edhe pakoja e lirimit të lëndës së parë nuk po implementohet në tersi dhe se ka mangësi në këtë proces.

“Ende kemi lëndë të parë të cilat jemi të detyruar të paguajmë 10 për qind doganë dhe kësisoj kjo taksë na bën padrejtësisht jo-konkurrent me vendet e CEFTA-së, pasi që prodhimet tyre me të njëjtën përbërje importohen në Kosove pa këtë detyrim”, tha ai.

Zbatimi i pakos së re fiskale ka filluar me 1 shtator të vitit 2015 . Sipas Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, janë përcaktuar dy norma të TVSH-së; normën standarde të TVSH-së, 18 për qind, si dhe normën e reduktuar të TVSH-së, 8 për qind. Norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar para këtyre ndryshimeve ka qenë 16 për qind për të gjitha produktet.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)