19 Tetor 2020

Kryeministri Hoti kërkon profesionalizëm në menaxhimin e kompanive të ujërave

Prishtinë, 23 shtator - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në takimin e Këshillit Ndërministror për Ujërat, në të cilin ishin të pranishëm edhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, si dhe ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë, Jan-Axel Voss.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, falënderoi vendet donatore, veçmas Zvicrën dhe Gjermaninë, që e kanë ndihmuar zhvillimin e sektorit të ujërave në vendin tonë.

Në këtë takim, kryeministri Hoti kërkoi profesionalizëm më të lartë nga bordet e menaxhimit të kompanive publike të ujërave në vend, duke theksuar se në disa kompani gjendja nuk është aspak e mirë sa u përket inkasimeve, ashtu edhe investimeve.

Në këtë kontekst, ai kërkoi që të bëhet një analizë e detajuar e investimeve të deritanishme në sektorin e ujërave, të shihet performanca e ndërmarrjeve publike në sektorin e ujërave, të shqyrtohet mundësia e krijimit të një trupi të përbashkët koordinues i kompanive të ujit, si dhe të rishikohet Rregullorja e Punës e Këshillit Ndërministror, pas zgjerimit të tij edhe me ministrin e Shëndetësisë dhe me atë të Bujqësisë.

Në kuadër të bashkërendimit të punës me institucionet e vendeve donatore, kryeministri Hoti ka pohuar se është e domosdoshme që komunat e Kosovës, konkretisht Komuna e Gjakovës dhe ajo e Prizrenit, t’i kryejnë obligimet e tyre financiare ndaj projekteve ekzistuese.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës Thomas Kolly dhe zëvendësambasadori i Gjermanisë Jan-Axel Voss, theksuan përkushtimin e vendeve të tyre për ta ndihmuar zhvillimin e sektorit të ujërave në Kosovë, porse kërkuan që krahas avancimit teknologjik, të ketë edhe shtim të profesionalizmit në menaxhimin e kompanive të ujërave.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Tetor 2020  - Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në shpërndarjen e lopëve për përfituesit nga thirrja e hapur nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. (Tregu i Kafshëve në Prizren, ora 9:30 - nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:00)   

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish-Ministrin e Ekonomisë dhe Financave Ali Sadriu. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme  do të organizojë ceremoni solemne me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore. (Ndërtesën e Qeverisë, salla P-38, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi fillon “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Mbrojtja e viktimave të krimit, mision ynë edhe gjatë pandemisë”. (Platforma zoom, ora 10:00)

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaqi dhe Kryeministri Avdullah hoti marrin pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P-38, ora 10:00)

- Aksioni për Nëna dhe Fëmijë organizon ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve mjekësore dhe mjeteve mbrojtëse kundër COVID-19, për Klinikën Infektive në QKUK, pajisje këto të siguruara nga bashkepunimi i AMC dhe LDS Charities. (Barnatorja Qëndrore e QKUK-së, ora 11:00)  

-  Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës voton kërkesën për pezullimin e lëshimit të lejeve të reja dhe rilicencimin e hidrocentraleve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303 Koha: 11:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban konferencë për media. (Oborri i Kuvendit të Kosovës, hyrja nga sheshi, ora 11:30)

-  Kryeministri Avdullah Hoti takon deputetët e komunitetit jo shumicë për të diskutuar planin për zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00 - vetëm pamje)

- Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të bëjë pranimin e 215 tabletëve nga OSBE-ja. (Ambientet e MASh, ora 12:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ishish kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Gjilanit në të cilen do te votohet propozim vendimi për ndarjen e 200 bursave për student të Komunës së Gjilanit për vitin akademik 2019/2020. (Salla e mbledhjeve të KK-Gjilan, ora 13:00)

- Mbahet takimi i radhës i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. (Ndërtesa e Qeverisë, Salla P38, ora 14:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 16:00)