21 Shtator 2018

Industria e ushqimit në Kosovë duhet të jetë baza e ekonomisë

Prishtinë, 30 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë sot pjesë në lansimin e ri brendimit të shtatë produkteve të Fabrikës “Frutti”, me ç ‘rast përgëzoi për punën dhe përkushtimin e kësaj kompanie.

Kryeministri Haradinaj tha se industria e ushqimit në Kosovë duhet të jetë baza e ekonomisë tonë, duke cilësuar të domosdoshëm garancat në sigurinë e ushqimit.

Kryeministri theksoi nevojën e prodhimit të koncentrateve që përdoren për lëngjet, duke theksuar se kjo ka ndodhur në të kaluarën në vendin tonë. Ai u shpreh i bindur se ky kapacitet mund të sjellë nesër një kooperim me ata që janë në prodhim dhe shprehu përkushtimin e Qeverisë për përkrahjen e prodhuesve vendorë që në hapat e tyre të parë e deri tek produkti.

“Ju e dini që ne kemi hequr disa taksa dhe akciza posa kemi ardhur në krye të Qeverisë dhe kështu do të vazhdojmë të jemi afër jush, por poashtu do të vazhdojmë të jemi edhe afër atyre që nesër do të prodhojnë lëndën e parë”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka kërkuar që prodhuesit të vazhdojnë të bëjnë produkte që janë konkurrente me kompani globale.

“Vendimi i ri brendimit ka qenë i drejtë. Sot është një prodhim që e sfidon çdo kompani globale dhe ka shanse që ky prodhim praktikisht të gjendet edhe në tavolinat më të sofistikuara evropiane. Duhet të jemi sa më kreativ në vend, të bëjmë prodhime cilësore dhe gjithmonë të jenë në trend me kohën” theksoi ai.

Drejtoresha ekzekutive e kompanisë, Rina Malsori, potencoi se dizajni i ri dhe sidomos qelqi, përmbush të gjitha standardet e cilësisë.

“Ky format i qelqit përmbush të gjitha standardet e cilësisë, me dizajn ndryshe duke u përshtatur me trendin e kohës dhe me cilësi”, theksoi ajo.

Duke qenë si njëri nga tatimpaguesit e rregullt, Besim Malsori, pronar i kompanisë, kërkoi që të punohet më shumë, të gjithë së bashku, prodhues dhe qeveri, në mënyrë që të fillohet të mbushet buxheti nga brenda, dhe jo nga jashtë.

 

Kalendari

Ngajrjet e datës 21 shtator 2018

- Kolegji “Tempulli” i mbeshtetur nga Oda Ekonomike Gjermane dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit organizojnë tryezë diskutimi për të shënuar Ditën Evropiane pa Viktima në Rrugë. (Ndërtesa e OEGJK, në Zonën Industriale në Fushë Kosovë, ora 9:00)

- Let’s Do It Kosova organizon aksioni i radhës në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”. (Pranë stadiumit “Fadil Vokrri”, ora 9:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në aksionin e pastrimit në kuadër të Task Forcës “Ta pastrojmë Kosovën”. (Deponia pranë Stadium “Fadil Vokrri”, ora 9:00)

- Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan organizon provimin pranues për studentë të rinj. (Universiteti i Gjilanit, ora 9:00)

-  Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën e titulluar “Disponueshmëria e Fuqisë Punëtore në Kosovë”. (Salla e Konferencave Orion, ora 10:00)

- Projekti rajonal "Rrjeti i Veprimit për Ndërtimin e Ripërtritjes Urbane në Evropën Juglindore" organizon një ceremoni nënshkrimi të Marrëveshjes Ndër - Komunale për themelimin e rrjetit "Ripërtëritja nga Fatkeqësitë për komunat e Istogut, Klinës, Malishevës dhe Pejës”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Në Kuvendin e Republikës së Kosovës bëhen homazhe me rastin e rivarrimit të Kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi. (Holli i Kuvendit, ora 10:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli bënë homazhe me rastin e rivarrimit të dëshmorit Ahmet Krasniqi. (Holli i Kuvendit, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj bënë homazhe pranë arkivolit të Dëshmorëve të Kombit, Kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi. (Holli i Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Ushtrues i Detyrës së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi  do të vizitojë Komunën e Prizrenit, ku së bashku me kryetarin e kësaj komune, Mytaher Haskuka do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e deponisë së mbeturinave inerte. (Ndërtesa e komunës se Prizrenit, ora 10:15) 

-  Promovohet raporti 'Stafi Akademik i UP-së - studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet e profesorëve dhe përpjesa staf-studentë e studentë-hapësirë', mes tjerash, do të publikohen rastet e 16 profesorëve të Universitetit të Prishtinës që ndër vite kanë kryer plagjiaturë. (Qendra Informative Kulturore e BE-së, ora 11:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në manifestimin për 20 vjetorin e rënies së Dr. Lec Gradica. (Fshati Gradicë në Drenas, ora 12:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Akademinë Përkujtimore për Dëshmorët e Kombit, Kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi. (Teatri Kombëtar, ora 12:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Rivarrimin e Dëshmorëve të Kombit, Kolonel Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi. (Varrezat e Dëshmorëve, ora 14:00)

- Mbahet ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe EuroMetal-it. (Rektorati i UPHP-së, ora 14:00)

- Academic English Center KS  organizon ngjarjen e promovimit të librit të parë me thënje në gjuhën angleze, botim i parë i këtij lloji me autor kosovar i lindur në Libi. (Ambientin e qendrës Academic English Center KS, afër sheshit “Zahir Pajaziti” , mbrapa bankës TEB, ora 19:00)