06 Dhjetor 2019

Gjakova traditë e industrisë prodhuese

Gjakovë, 6 dhjetor - Ekspozimi e promovimi i prodhimeve vendore ka vazhduar në Gjakovë, organizuar nga  Aleanca Kosovare e Bizneseve, në qendrën tregtare Nertili në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2018” me moto: Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU?.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se tash gjashtëmbëdhjetë vjet lëvizin nga një qytet e shtet në tjetrin për të promovuar e ngritur vetëdijen qytetare për të konsumuar prodhime kosovare.

Ai shtoi se  janë bashkë me zyrtarë nga niveli qendror e lokal  në këtë qendër, e cila asnjëherë nuk ka pasur në shitje prodhime serbe, pos atyre vendore.

"Kosova mund të  zhvillohet edhe pa produkte serbe, duke konsumuar vetëm prodhime vendëse", tha Shahini.

Vendimi i institucioneve për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe edhe pse i vonuar, është i rëndësishëm.

Sipas tij qendra tregtare Nertili, është shembull i mirë se si mund të zhvillohet një biznes pa prodhime serbe.

Kryetari i AKB-së shtoi, se Gjakova ka traditë të industrisë prodhuese dhe kjo duhet vazhdoi dhe ky moment pas vënies së masës është mundësi e mirë për të avancuar prodhimtarinë vendëse.

Bekim Jupa, zëvendës ministër i Tregtisë e Industrisë, tha se janë  gjithënjë pranë prodhuesve vendor, duke u ofruar mbështetje.

Krahas përkrahjes së prodhuesve,  i bëjmë thirrje edhe qytetarëve për të konsumuar prodhime vendëse.

"Vendimi i taksës 100 për qind ndaj produkteve  serbe,  nuk do te hiqet derisa ta njohin Republikën e Kosovës", tha zv.ministri i Tregtisë e Industrisë.

Ferdinant  Kolaj, drejtor i Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Gjakovës, bëri thirrje  qytetarëve jo vetëm të kësaj ane, por të gjithë vendit e më gjerë  që të kosnumojnë sa më shumë produkte vendore.

Lazer Ramaja, drejtor i ATK Gjakovë, tha se gjithë kjo qendër është zhvilluar pa prodhime serbe tash disa vjet dhe duhet të gjithë të konsumojnë prodhimet vendore.

Argjend Fetahu,  kryetar i AKB-së për regjionin e Dukagjinit, tha se  po arrijnë suksese të mëdha, duke tentuar të promovojnë prodhimet e  regjionit të Dukagjinit, duke joshur investitorë të huaj dhe duke promovuar prodhimet vendore në qendrat e ndryshne si mundësi e për t'i shitur ato e për të krijuar partneritet ndërmjet bizneseve prodhuese dhe qendrave tregtare. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 dhjetor 2019  - Administrata Tatimore e Kosovës organizon tryezën e konsultimeve publike me përfaqësues të bizneseve, lidhur me hartimin dhe zbatimin e “Planit për përmirësimin e integritetit” të ATK-së. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Open Data Kosovo në bashkëpunim me fondacionin ePanstwo, organizatë kjo që operon në Poloni organizojnë konferencën ndërkombëtare mbi të dhënat e hapura dhe iniciativat teknologjike në Kosovë dhe Evropë, titulluar “GOT_Data”. (Prishtinë, 9:30)

- Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës do të prezantoj raportin  e punës për vitin 2019 ku edhe do të bëhet prezantimi i planit të punës për SHSKUK-në  për vitin 2020. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media, gjatë së cilës do të shpaloset analiza “Konsensusi i brendshëm si parakusht për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi”. (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)  

- Unioni i Gazetarëve Shqiptarë organizon ndarjen e çmimeve "Vangjush Gambeta 2019”, për raportimin më të mirë ekonomik të publikuar gjatë këtij viti, nga gazetarë ekonomikë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. (Hotel Swiss Diamont, ora 11:00)

- Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mban konferencë të jashtëzakonshme për media ku do të shpalosen vendimet e fundit nga mbledhja e Bordit Ekzekutiv. (Auditoriumi i BQK-së, ora 11:30)

- Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë organizon panel diskutimin në temën: “Krimet e luftës – Sigurimi i provave, sfidat dhe përvojat me dëshmitarë”. (Hotel “Star Hill”, Rr. Prishtinë - Veternik, ora 14:00)

- Mbahet ceremonia e përvjetorit të 20-të të Radio K4. (Shtabi Qendror i KFOR-it në kampin “Film City”, ora 15:00)