25 Qershor 2018

Fillon shënimi i Javës së Minatorëve

Prishtinë, 20 shkurt - Shënimi i Javës së Minatorëve, 29 vjetorit të Grevës këtë vit u mbajt nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

E në fjalën e tij, para minatorëve Kryeministri Haradinaj tha se viti 1989 ishte një ngjarje e madhe që lëkundi drejtimin e proceseve të mëtejme, falë të drejtës që kërkuan 1300 minatorët e ngujuar në thellësi të horizonteve të Trepçës në atë kohë.

“Përpjekja për ta dëshmuar që Kosova është e menaxhueshme dhe mundesh me vepruar me të si të duash, ka dështuar atë ditë. I kanë dalë dore Minatorët, atë ditë i ka dalë dore Kosova."

"Të gjitha zhvillimet që kanë pasuar, janë pikërisht dëshmi që drejtimi që kish marrë Kosova ishte me mbrojtë të drejtën e vet. Të drejtën për të jetuar të lirë, për të punuar të lirë dhe për t’i aktivizuar resurset e veta për të zhvilluar jetën”, tha Kryeministri Haradinaj në fjalën e tij.

Në shënimin e Javës së Minatorëve dhe përvjetorit të 29-të të Grevës së Minatorëve, ishin pjesëmarrës përfaqësues të Institucioneve, Komunës, Sindikatës dhe Menaxhmentit të Trepçës. E pikërisht këtë moment Kryeministri Haradinaj e quajti dëshmi të përkushtimit që Trepça të rikthehet në funksion.

“Këtë vit e kemi shpallë vit të Trepçës. Aftësimin e Trepçës si kompani publike që të mund të operoj. Statuti i Trepçës është në hartim e sipër, Bordi i Trepçës është në përgatitje e sipër, ku do ta ketë edhe përfaqësuesin e punëtorëve, gjithashtu edhe Ligji i Trepçës. Jemi në punë që Trepça me qenë e aftë për të operuar vet dhe me gjet partner investiv. Është normale që kemi vështirësi por do t’i menaxhojmë me sukses. Do të punojmë kujdesshëm që aktivizimi i Trepçës në të gjitha kapacitetet e veta, mos me qenë fatkeqësi e asnjë qytetari të Kosovës, as i serbëve të veriut, pra nuk është fare aktivizimi i Trepçës i dedikuar kundër askujt, por për të gjithë”  ka shtuar Kryeministri Haradinaj.

Në fund të fjalës së tij Kryeministri Haradinaj bëri thirrje në ndihmë të të gjithë akterëve të përfshirë në këtë proces, në mënyrë që të aktivizohen resurset dhe Trepça të kthehet në misionin e saj, zhvillimin e Kosovës.

“Jam thellë i bindur që e kemi të drejtën që të lëvizim, që këto veprime të rezultojnë me mundësi, me kapacitetin veprues të Trepçës për operim, për partneritet, për zhvillim. Ky është lajm i mirë për të gjithë ata që e duan zhvillimin e Kosovës. Ta rikthejmë Trepçën si i takon, si i takon Kosovës”, përmbylli fjalën e tij Kryeministri Haradinaj.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Qershor 2018  - Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi Inject, organizon tryezën me temë 'Si ta parandalojmë dhunën ekonomike?', ku edhe do të prezantohet Iniciativa për Ndryshimin e Ligjit për Familjen, gjegjësisht saktësimi i dispozitave ligjore në lidhje me ndarjen e pasurisë së përbashkët bashkëshortore. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Komuna e Gjilanit dhe organizata “Let’s Do It Kosova' te mbështetur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor organizojn aksion pastrimi në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” në Gjilani. (Para teatrit të Gjilanit, ora 10:00)

- Mbahet ceremonia e diplomimit të kadetëve të Forcës  së Sigurisë së Kosovës. (Kazerma 'Skënderbeu’, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes,  në Ferizaj, ora 11:00)

- Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ministria e Integrimit Evropian organizojn takimin iniciues për nisjen e programimit të programeve kombëtare për Kosovën, IPA 2019 dhe IPA 2020, të financuara nga Bashkimi Evropian. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P-38, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet dhe Financa mban dëgjim publik lidhur me Projektligjin nr.06/L-072 për Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:30)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj e viziton Komunën e Klinës ku do te takohet me Kryetarin Komunës, drejtorët dhe asamblistët. (Objekti i Komunës se Klinës, ora 14:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj takohet me familjarë  të dëshmorëve, biznese lokale, persona nga fusha e artit, sportit, muzikës, OJQ, etj, të Komunës së Klinës. (Objekti i Komunës se Klinës, ora 15:00)