15 Nëntor 2019

Themelimi i NKEC sjellë shqetësime pë taksapaguesit

Prishtinë, 23 maj – Balkan Green Foundation (BGF), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme mbi themelimin e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës (NKEC) dhe kompensimit të stafit të po kësaj ndërmarrje e cila nuk ka kurrfarë funksioni para ndërtimit të TC ‘Kosova e Re’.

Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC), është themeluar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 07/47, të datës 15.06.2018. Pas kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për emërimin e Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes, me nr. 09/48, të datës 21.05.2018. Kurse, me vendimin nr. 02/68 të datës 09.10.2018 Qeveria e Kosovës ka vendosur për nivelin e kompensimit, ku lartësia e kompensimit për NKEC është vendosur të jetë sipas kategorisë së parë të ndërmarrjeve publike, duke u bazuar në pikën 1.1 të vendimit nr. 07/81 të datës 23.03.2016 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Aktualisht, NKEC ka pesë Anëtarë të Bordit dhe një Kryeshef Ekzekutiv. Gjatë këtij viti pritet që të punësohet edhe një Sekretar i Ndërmarrjes dhe një Zyrtar Kryesor Financiar dhe i Thesarit. Në total, të gjithë këta punonjës do të kompensohen me rreth 100 mijë euro në vit ani pse NKEC nuk do të kryejë asnjë punë deri në vitin 2023. “Për 4 vite, që është koha deri kur pritet të përfundojë ndërtimi i TC ‘Kosova e Re’, taksapaguesit kosovarë do të paguajnë rreth 400 mijë euro vetëm për stafin e NKEC”, tha Burim Ejupi nga INDEP.

Krijimi i shpenzimeve në një kohë kur garancia për projektin është e domosdoshme të votohet në Kuvendin e Kosovës përbën, ndër të tjera, edhe shpërfillje të autoritetit të Kuvendit. “Përveç themelimit të panevojshëm të NKEC, shpenzimet nga paratë e taksapaguesëve kosovarë janë skandaloze dhe në shpërputhje me realitetin e një projekti që është në pikëpyetje të madhe. Me këtë, ende pa qenë e qartë e ardhmja e projektit, Qeveria e Kosovës po krijon obligime financiare që shkaktojnë humbje dhe keq-menaxhim të fondeve publike nga buxheti i shtetit.” shtoi Agron Demi nga Instituti GAP.

Në vazhdën e shpenzimeve të njëpasnjëshme, gjatë fillimit të muajit Maj 2019, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) kishte hapur tenderin për “Shërbimet konsulente në formë të inxhinierit të pavarur të Qeverisë dhe konsulentit të pavarur mjedisor dhe social për TC Kosova e Re” në vlerë rreth 4 milionë euro për periudhën 6-vjeçare. Organizatat e lartcekura reaguan në lidhje me këtë çështje dhe po ky tender është anuluar pas opinionit të Agjencisë Kundër Korrupsionit e cila ka konstatuar shkelje të Ligjit të Prokurimit, përkatësisht pjesës që ka të bëjë me rregullat dhe udhëzuesit operativë për prokurim publik.

Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë të drejtë të krijojë shpenzime për qytetarët e  Kosovës për një projekt që dita ditës po refuzohet nga qytetarët, nga institucionet më kredibile ndërkombëtare, nga partitë politike dhe shoqëria civile. 400 mijë euro të këtyre pagave janë vetëm një pjesë e kostove të mëdha që buxheti ynë do t’i mbulojë nëse jetësohet kontrata për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të tërhiqet menjëherë nga kontrata për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’ dhe të mos shtojë barrën financiare të saj. I bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës që duke shfrytëzuar mekanizmat e mbikëqyrjes parlamentare, të ndërmarrë masa për të ndaluar rritjen e kostove të implementimit të kontratës deri sa e njëjta të votohet në seancë plenare. Në të kundërtën, çdo ditë e më shumë qytetarët po paguajnë koston për një kontratë dhe projekt për të cilin asnjëherë nuk u pyetën.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 nëntor 2019  - Klinika e Neonatologjisë dhe Shoqata e Neonatologëve të Kosovës, organizojnë Konferencën e I-rë nderkombëtare. (Hotel Garden, ora 9:00)

- Policia e Kosovës në shënim të ditës botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, në bashkëpunim me Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve , do të mbaj tryezë për shënimin e kësaj dite. (Salla Orion në Prishtinë në afërsi të Kino ABC, ora 9:30)

- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizon tryezën dhe punëtorinë me temën “Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë”, mbështetur nga Projekti HERAS i cili përkrahet nga Qeveria e Austrisë. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale mban punëtorinë lidhur me “Udhëzuesin për miradministrimin e aktiviteteve minerare dhe mjedisore. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, përmes projektit Interdev 2, organizon një panair me shoqatat e grave prodhuese për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Sipërmarrësisë së Grave. (Qendra Kulturore në Viti, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, gjenerata e dytë 2019. (Kazerma 'Adem Jashari' në Komandën e Forcave Tokësore në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuniteti artistik organizon takim përkujtimor për regjisoren Arzana Kraja. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizon ceremoninë e hapjes të minibibliotekës së lagjes Ulpiana. (Te fontana në lagjen Ulpiana, ora 12:00)

- Kryetarja e KQZ-së dhe anëtarët, presin në takim deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, anëtarë të Komisionit të Reformës Zgjedhore: znj. Rudina Hajdari, Myslim Murrizi dhe Ralf Gjoni. (Selia e KQZ-se, ora 12:00)

- Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, do të nënshkruajë gjashtë Udhëzime Administrative që avancojne fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës. (Zyret e Agjencisë Kadastrale të Kosoves, ndërtesa e Arkivit të Kosovës, ora 14:00)

- Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, do të mbajë një konferencë për media në të cilën do të prezantohet raporti nga muaji korrik deri në muajin tetor për Gjykatën Themelore të Gjilanit, së bashku me Degët e saja. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 14:30)

- Mbahet marsh përkujtimor në këmbë nga Lagja Arbëria, rrugës Fehmi Agani deri te Teatri Kombëtar ku do të bëhet ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor. (Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, ora 18:00)

- Mbahet stërvitja e Kombëtares së Kosovës. (Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, ora 18:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës organizn hapjen e ekspozitës individuale të autores Lumjetë Havolli, e titulluar "Is This Me...Or i Do it For You Only!?". (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social feston hapjen e Linjës telefonike për parandalim të vetëvrasjes "Linja e Jetës" në Kosovë! (Menza Ramiz Sadiku, ora 21:00)