20 Gusht 2019

TC “Kosova e Re” falimenton Kosovën, godet mjedisin dhe shëndetin e njeriut

Prishtinë, 17 prill - Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë ngritur shqetësimet e tyre të vazhdueshme mbi kontratën miliardëshe të Termocentralit Kosova e Re e cila veçse po jetësohet me ndihmën e kompanisë publike NKEC.

Qeveria e Kosovës ka themeluar kompaninë publike NKEC (Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës) e cila do të shërbejë si ndërmjetësuese në mes të ContourGlobal (investitorit privat) dhe tregut të energjisë në Kosovë.

TC Kosova e Re ka një çmim të garantuar prej 80 euro/MWh dhe NKEC detyrohet të blejë 100 përqind të kapacitetit të TC Kosova e Re i cili pritet të prodhojë afërsisht 3,370,000 MWh në vit edhe nëse tregu nuk e kërkon.

Kur i shumëzojmë 3,370,000 MWh në vit me çmimin e garantuar prej 80 euro/MWh del që qytetarët e Kosovës do të duhet t’ia paguajnë ContourGlobal 270 milionë euro në vit apo 5.4 miliardë euro për 20 vitet e ardhshme pas ndërtimit të termocentralit.

Financimi i ndërtimit të termocentralit parashihet të bëhet me një strukturë financiare ku 70 përqind e kostos pritet të mbulohet nga financimi përmes kredisë dhe 30 përqind nga investimi përmes kompanisë private ContourGlobal.

Me një strukturë të tillë të financimit, 910 milionë euro do të financohen përmes kredisë si dhe 390 milionë do të financohen përmes investimit privat. ContourGlobal parashihet që vetëm brenda një viti t’i arkëtojë 270 milionë euro apo 69 përqind të investimit të tyre privat.

Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kërkojnë tërheqjen e menjëhershme nga kontrata për ndërtimin e këtij termocentrali.

Ky projekt do të falimentojë Kosovën ekonomikisht, do të pamundësojë liberalizimin dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe paraqet një goditje vendimtare të mjedisit, shëndetit dhe të drejtave të njeriut.

"Duke ndërprerë këtë projekt të dëmshëm, Kosova ka mundësinë të ndërtojë të ardhme evropiane përmes tranzicionit të energjisë drejt burimeve të ripërtërishme, efiçiencës së energjisë dhe një tregu të integruar e liberal në funksion të përballueshmërisë së çmimeve dhe mbrojtjes së konsumatorit", thekson Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)