09 Dhjetor 2018

Në tetor do të dihen saktë ndotësit kryesorë në Kosovë

Prishtinë, 11 korrik - Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, sot ka mbajtur takim me përfaqësuesit e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), për të diskutuar rreth fazës së parë të projektit për Zhvillimin e Kapaciteteve për Kontrollin e Ndotjes së Ajrit.

Ministrja Reshitaj theksoi se rezultatet preliminare mbi ndotësit kryesorë në Kosovë do të jenë gati në tetor të këtij viti, pas studimit të hollësishëm një vjeçar nga ekspertët japonez.

“Projekti që po realizohet në bashkëpunim me JICA-n japoneze në fushën e mjedisit e posaçërisht në zvogëlimin e ndotjes së ajrit është shumë i rëndësishëm për shtetin e Kosovës, pasi që fusha e mjedisit mbetet ende problematike. Prandaj, me anë të këtij projekti katër milionësh, ne do të listojmë emetuesit e mëdhenj të gazrave dhe në këtë mënyrë do të dizajnojmë politikat zhvillimore për kontrollimin e ndotjes së ajrit”, tha ministrja Reshitaj.

Kreu i MMPH-së, deklaroi se në fund të këtij projekti do të ketë një plan të qëndrueshëm dhe efikas të monitorimit të ndotjes së ajrit.

Ndërsa përfaqësuesi i JICA-s, Yamanda Taizo, falënderoi Ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, për bashkëpunimin e deri tanishëm në implementimin e projektit për kontrollin e ndotjes së ajrit.

“Projekti ka për qëllim që të zhvillojë kapacitetet e palës kosovare për trajtimin e ndotjes së ajrit. Ky projekt ka filluar vitin e kaluar dhe për më pak se një vit, pala kosovare ka nisur shumë punë të rëndësishme për kontrollin e ndotjes së ajrit me ekspertët e JICA-s”, tha Taizo.

Në kuadër të këtij projekti katër milionësh, parashihet analizimi i cilësisë së ajrit, listimi i burimeve të mëdha të ndotjes dhe vlerësimi i masave të kontrollit të ndotjes së ajrit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 10 dhjetor 2018 - Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett së bashku me ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Francës,  të ngarkuarin me punë të ambasadës gjermane, Kryesuesen e Zyrës së BE-së në Kosovë, si dhe një përfaqësues të organizatës Iniciativa për Progres do të flasin gjatë hapjes së Javës kundër korrupsionit në Kosovë. (Sirius Hotel, ora 9:30)

- Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe shoqërinë civile të Kosovës organizojnë aktivitetin “Çohu për të Drejtat e Njeriut” për shënimin e 10  dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.​  (Teatri Kombëtar të Kosovës, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Protokollin Shtesë 5 të Marrëveshjes për Amendimin dhe Aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore si dhe shqyrtimi i vendimit të Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve organizon konferencën për avancimin e shërbimeve shëndetësore dhe rehabilituese për fëmijë. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbahet konferenca e Forumit të Rinisë së LDK-së me temën “Pa-siguria Sociale dhe Ekonomike e të Rinjve në Kosovë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbahen punimet e Forumit Kosovaro-Maqedonas të Sigurisë 2018, që organizohet nga Fondacioni “Konrad Adenauer Stiftung”, Kolegji AAB dhe Universiteti Kliement Ohridski, Fakulteti i Sigurisë, Shkup. (Kolegji AAB, ora 10:00)

- Klubi  Dëshira organizon promovimin e programit të Ndërmarrjes Sociale Dëshira. (Hotel Prishtina, ora 10:00)

-  Në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, Demokraci Plus organizon debatin publik në lidhje me gjetjet e monitorimit të prokurimit publik në Komunën e Vushtrrisë. (Restaurant Holiday, ora 11:00)

- Muzeu i Kosovës për nder të ditës ndërkombëtare të drejtave të njeriut do të bëjë promovimin e katalogut me imazhe taktile dhe të përkthyer në Brail në bashkëpunim me shoqatat e të verbërve në Kosovë. (Muzeu i Kosovës, ora 11:00)

- Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe shoqërinë civile të Kosovës organizojnë marshin “Çohu për të Drejtat e Njeriut”, i cili fillon nga sheshi “Skënderbeu” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”. (Sheshi “Skënderbeu”, ora 12:00)

 - Mbahet mbledhje e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të behët shqyrtimi në parim i Projektligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës(Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Me rastin e 10 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Kolegji AAB në bashkëpunim me KMDLNJ organizojn tryezë që i kushtohet Adem Demaçit, fitues i Çmimit Saharov dhe çmimeve të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. (Qendra Mediale e Kolegjit AAB, ora 14:00)

- Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc organizojn Javën e Filmit të Kosovës në Bujanoc. (Shtëpia e Kulturës në Bujanoc, ora 17:00)

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të çmimit që shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit për të falenderuar publikisht kontributet e gazetarëve të guximshëm të cilët zbulojnë rastet e korrupsionit dhe për të rritur ndërgjegjësimin përmes tregimeve të tyre. (Grand Hotel, ora 17:30)