18 Nëntor 2018

Matoshi zotohet se pa teknologjinë e fundit të filtrave nuk ka leje për TC Kosova e Re

Prishtinë, 18 tetor - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka marrë pjesë në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, që është realizuar në Komunën e Obiliqit.

Ministri Matoshi së bashku me kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashi kanë vizituar njërën nga deponitë ilegale të mbeturinave në  këtë komunë, e cila gjatë këtij aksioni është pastruar dhe do të shndërrohet në park për banorët e Obiliqit.

Me këtë rast, ministri Matoshi tha se Komuna e Obiliqit është prioritet i Qeverisë së Kosovës për shkak të ndotjes së ajrit që shkaktohet nga termocentralet.

“ Jemi duke bashkëpunuar me KEK-un dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për vendosjen e filtrave të ri në Kosovën B. Është një donacion nga Komisioni Evropian mbi 70 milion euro dhe shpresojmë shpejt që do të vendosen filtrat në Kosovën B. Jemi të përkushtuar dhe të vendosur që pa teknologjinë e fundit të filtrave të mos japim leje ndërtimore dhe leje mjedisore për termocentralin Kosova e Re”, deklaroi ministri Matoshi.

Matoshi po ashtu bëri të ditur se MMPH-ja është e fokusuar që të ndalojë edhe shitjen e thëngjillit në mënyrë ilegale.

Ndërsa kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, falënderoi ministrin Matoshi për mbështetjen e dhënë për përmirësim të mjedisit ndërsa tregoi se kjo komunë ka larguar 19 deponi ilegale.

“ Ne e kemi në fokus çështjen e ambientit në vazhdimësi, duke u bazuar që në komunën tonë janë ndotësit më të mëdhenj në Kosovë po mundohemi që deponitë inerte, deponitë ilegale t’i eliminojmë me qëllim që t’i shndërrojmë në pjesë të gjelbëruara”, deklaroi Gashi.

Aksionit për pastrimin  e Komunës së Obiliqit, i është bashkangjitur edhe drejtori i Shërbimeve të KEK-ut, Edmond Nulleshi si dhe vullnetarë nga organizata “Let’s do it Kosova”.

Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, ka filluar më 15 shtator për të përfunduar më 15 dhjetor 2018.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 nëntor 2018

- Për nder të Ditës Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor bëhët ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor. Teatri Kombëtar, ora 18:00)