04 Dhjetor 2020

Kosova me raportim mbi cilësinë e ajrit nga 12 stacione monitoruese

Prishtinë, 12 nëntor - U mbajt konferenca e parë me vendimmarrësit për cilësinë e ajrit, organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) dhe Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK). Mbledhja e të gjithë akterëve kryesorë u bë me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit më të mirë për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend.

Me këtë rast, u prezantuan elementet e fushatës përmes së cilave qytetarët do të kenë mundësi që rregullisht të kontrollojnë cilësinë e ajrit, si dhe të jenë në gjendje të marrin vendime në bazë të këtyre informatave të cilat do të jenë aktuale dhe të sakta, të siguruara nga 12 stacione për monitorimin e ajrit në tërë Kosovën.

Fushata mbarëkombëtare për vetëdijësim për cilësinë e ajrit është planifikuar të fillojë në fund të muajit nëntor në Kosovë me qëllim që të informojë publikun në lidhje me rreziqet ndaj shëndetit të shkaktuara nga ndotja e ajrit dhe masat që duhet t’i ndërmarrin për t’a mbrojtur veten, kështu duke ndryshuar shprehitë e tyre dhe duke bërë përpjekje për të zvogëluar nivelin e ndotjes, veçanërisht gjatë stinës së dimrit.

“Projekti për Cilësinë e Ajrit është një nga investimet tona konkrete për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe modern të të dhënave, për të rritur transparencën e institucioneve dhe komunikimin me publikun. Bashkëpunimi i ngushtë me IKSHPK dhe IHMK po luan rol të rëndësishëm në arritjen e këtij qëllimi.” – u shpreh gjatë fjalës hyrëse në konferencë Petrit Selimi, Drejtor Ekzekutiv i MFK.

Sarah Olmstead, Drejtoreshë e MCC për Kosovë, e veÒ«oi këtë projekt nga të tjerët duke u shprehur: “Ky është ndër projektet që më pëlqen më së shumti, jo vetëm që ndërlidhet me projektet e tjera të energjisë, por edhe për faktin që iu mundëson qytetarëve të kenë kontroll mbi nivelin e cilësisë së ajrit dhe të marrin vendime në përputhje me rrethanat.

Portali për Cilësinë e Ajrit, aplikacioni mobil dhe nënfaqja e CA në ueb-faqen e IKSHP janë disa nga mjetet interaktive, të zhvilluara nga projekti për cilësinë e ajrit, të cilat do të vihen në dispozicion të publikut në masë të madhe, duke iu mundësuar atyre kontrollimin e niveleve të ndotjes së ajrit.

Dr. Antigona Ukehaxhaj, e vlerësoi lartë mbështetjen që MFK po i ofron IKSHPK-së në kohën kur Kosova po përballet me cilësi shumë të dobët të ajrit. “Përmirësimi i qasjes së qytetarëve në informata të fushës së mjedisit është tejet e rëndësishme në rritjen e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, si dhe në cilësinë dhe zbatimin e tyre” shtoi ajo.

Gjithashtu edhe Letafete Latifi, Drejtore e Institutit Hidrometeorologjik (IHMK), shprehu mirënjohjen për përfitimet që sjellë projekti për Cilësinë e Ajrit: “Projektet e tilla sjellin afër njëri tjetrit të gjithë komponentet për të ndihmuar në trajtimin e ndotjes së ajrit, dhe përfitues te këtyre aktiviteteve nuk jemi vetëm ne Insitucionet e Kosovës nëpërmjet përmirësimit të performancës së punës tonë, por janë të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë përfitojnë nga Ò«do hap pozitiv i ndërmarrë në këtë drejtim.”

Akterët u dakorduan të jenë në koordinim të plotë në realizimin e aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit, duke bërë të ndërmerren masa konkrete si nga institucionet ashtu edhe nga vet qytetarët.

Ndër të tjera, do të angazhohen në promovimin e fushatës, përmes së cilës do të lansohen produkte që do të kontribuojnë në krijimin e një sistemi të besueshëm të informatave mbi ajrin në Kosovë, kështu duke iu mundësuar qytetarëve të kuptojnë më mirë dëmet shëndetësore që shkakton ndotja e ajrit, si dhe masat që ata duhet t’I marrin për të ndryshuar shprehitë e tyre në mënyrë që të zvogëlojnë nivelin e ndotjes së ajrit në vend.

Kjo fushatë është njëra nga aktivitetet kryesore brenda fushëveprimit të projektit “Furnizimi i Menaxhimit të Projektit, Menaxhimit të Informacioneve për Cilësinë e Ajrit, Ndryshimin e Sjelljes dhe Shërbimet e Komunikimit”, mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC) dhe MFK, implementuar nga NIRAS.

MFK mbetet e përkushtuar për t’a ndihmuar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) dhe Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) në mbledhjen dhe shpërndarjen e informacioneve për cilësinë e ajrit. Me emrin “CILËSIA E AJRIT”, projekti ka për qëllim përmirësimin e disponueshmërisë publike dhe përdorimin analitik të të dhënave mjedisore nga bizneset, qeveria, shoqëria civile dhe OJQ-të, duke promovuar në këtë mënyrë vendimmarrjen e nxitur nga të dhënat.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Dhjetor 2020 - Mbahet seanca fillestare për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamenti Special - krimet e rënda me c'rast avokati mbrojtës do te jep deklaratë për mediet pas seancës. (Gjykata Themelore në Prishtinë, ora 9:30)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti do të mbaj një takim virtual me presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Alexis Mourre dhe Drejtoreshën e Komisionit të Arbitrazhit për Evropë, Laetitia de Montalivet. (Takim virtual, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Emilja Redzepi, do të bëjnë nënshkrimin e kontratave me përfituesit e thirrjes për përkrahjen e OJQ-ve dhe individëve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:00)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime organizon aktivitetin “Tuneli i Fundit” në përkujtim të grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në pesë vitet e fundit në Kosovë, dita e dytë. (Përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton shkresën e Artan Qerkinit përfaqësues i Malcolm Simmons, ish kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, “Përgjigje në ftesën për të dëshmuar para Komisionit për Legjislacion” si dhe njoftohet me shkresën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Tomas Szunyong, për emërimin e Karin Hernmark Ahliny, Ambasador i Suedisë, anëtar i Bordit  Mbikëqyrës  të Agjencisë Kosovare për Verifikim dhe Krahasim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:15)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës Arban Abrashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit te Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Organizata Etea dhe Aleanca Franceze në Prishtinë me mbështetjen e Ambasadës Franceze do të mbajnë takimin e parë të huazimit të librave. (Tek objekti i Aleancës Franceze, ora 11:00)

- Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) mban konferencë për medie lidhur me një hetim ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e energjisë elektrike. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, ora 11:15)

- Kryetari i Delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë Veljko Odalovic do të mbajnë konferencë për media lidhur me varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. (Lokacioni i varrezës masive në Kizhevak  të Serbisë, ora 12:00)

- Shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarit N. M., i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, për veprën penale “vrasje e rëndë” pasi qe në  fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i pandehuri dyshohet që pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë - shufër metalike, godet bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtoren e Insitutit Hidrometeorologjik të Kosovës Letafete Latifi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë plotëson listën e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mban konferencë për media me rastin e dorëzimit të padisë për konflikt administrativ kundër vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji”. (Para Pallatit të Drejtësisë, ndërtesa A, ora 14:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla pret në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj ku pjesë e takimit do të jenë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. (Objekti i MPJD-së, ora 14:00)