23 Mars 2019

Kosova do të udhëheq dhe koordinoj fushatën botërore të pastrimit

Prishtinë 9 janar - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot është takuar me udhëheqësen e rrjetit Let's Do It World, Heidi Solba dhe anëtaren e Bordit, Anneli Ohvril.

Gjatë këtij takimi, ministri Matoshi tregoi se në vitin 2019, Kosova do të udhëheq dhe koordinoj fushatën botërore të pastrimit, ku do të jap mesazh ndërkombëtar për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit nga mbeturinat.

“Ne si vend, pra Let’s Do It Kosova me vendim të Let’s Do It Word dhe e mbështetur nga MMPH-ja në vitin 2019, do të koordinojmë dhe udhëheqim fushatën botërore të pastrimit për shkak të rezultateve që kemi arritur në fushatë për pastrimit të mjedisit. Ky do të jetë shembulli më i mirë për shkak se me 21 shtator, kur do të organizohet Dita Botërore e Pastrimit, ne do të dërgojmë mesazhe nga ky vend. Kjo është një mundësi e mirë për të promovuar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Por deri më 21 shtator ne kemi shumë punë për të bërë”, deklaroi ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, tha se gjatë këtij viti, Kosova do t’i jap fund çështjes së mbeturinave përmes investimeve dhe zbatimit të ligjit.

“Unë besoj që në vitin 2019 është viti ku ne do të ndahemi nga mbeturinat në tersi. Por për të ardhur deri te kjo, ne kemi edhe disa punë për t’i bërë duke mbështetur kështu komunat në infrastrukturë por edhe duke i pajisur me kontejner. Po ashtu ne kemi një memorandum me Qeverinë Gjermane dhe GIZ-in për ndarjen e 7 milion euro për grumbullim të mbeturinave nëpër komuna. Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë me zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore”, tha Matoshi.

Ministri Matoshi tregoi se Kosova është përgëzuar nga organizata Let’s Do It Word për punën e bërë gjatë aksionit tre mujorësh për pastrimin e vendit.

“Në takim ne u përgëzuam si vend, si task forcë, si Qeveri, si ministri, si organizata të Shoqërisë Civile për punën që e kemi bërë në kuadër të aksionit ‘Ta pastrojmë Kosovën’. U përgëzuam për numrin e madh të vullnetarëve që kanë marrë pjesë në këtë fushatë. Kjo na bënë të ndjehemi krenar si ministri, si vend, si shoqëri për organizimin që kemi bërë”, ka pohuar Matoshi.

Ndërsa udhëheqësja e Rrjetit të “Let’s Do It World”, Heidi Solba, ka lavdëruar institucionet e Kosovës për punën e bërë me projektin “Ta pastrojmë Kosovën”.

“Jeni duke udhëhequr si shembull në mesin e 158 shteteve që janë anëtare e ‘Let’s Do It World’. Për këtë arsye si rezultat të shkëlqyer që ka ofruar Kosova në këtë drejtim, ju ftojmë të jeni shtet udhëheqës në organizimin që do të ndodh në shtator në gjithë botën. Jemi të nderuar që ministri Matoshi do të jetë pjesëmarrës në konferencën që do të mbahet në Estoni” tha Solba.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe drejtuesi i organizatës “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj i cili vlerësoi të suksesshëm fushatën për pastrimin e mjedisit.

“Është kënaqësi që, më shumë se sa rezultati që është arritur në aksionin e pastrimit të Kosovës ku u larguan 900 deponi, po arrijmë që Kosovën ta bëjmë lajm ndërkombëtar. Kosova është lajm i mirë për shumë vende të botës andaj shpresojmë që të vazhdohet mbarë gjatë tërë vitit duke dhënë lajme të mira”, deklaroi Hasanaj.

Organizata Let`s Do It World me seli në Tallinn të Estonisë, si anëtar i akredituar në Programin Mjedisor të Kombeve të Bashkuara (UNEP), në dhjetor të vitit 2018, nga 158 shtete ka përzgjedhur Kosovën si fitues të çmimit për fushatën e pastrimit të tokës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 mars 2019 - Federata e pingpongut të Kosovës në bashkëpunim me Kpp Vitia nën patronatin e Komunës së Vitisë do të organizoj Turneun për senior Flakadani i Karadakut. (Salla e Shkollës së Mesme Teknike 'Jonuz Zejnullahu' në Vitiora, ora 9:30)

- Shoqata "Miqtë e Amerikës" do ta bëjë zëvendsimin e flamurit amerikan te shtatorja e Bill Clintonit në Prishtinë, me një të ri. (Shtatorja e Bill Clintonit, ora 11:00)

- Gjimnazi “Hasan Nahi”, në kuadër të Fondacionit për Arsim dhe Kulturë “Atmosfera”, organizon edicionin e gjashtë me radhë - Garën e Inteligjencës "Eureka 6". (Ambienti i Gjimnazit “Hasan Nahi” në Prishtinë, ora 11:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në shënimin e 30-vjetorit të demostratave të 23 marsit 1989 me nismëtare gratë dhe vajzat e Balajve. (Teatri “Adriana” - Ferizaj, ora 11:00)

- UBT dhe Raiffeisen Bank mbajnë garën më të madhe në vend “Data Science Hackathon”. (Kampusi i UBT-së në Lipjan, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj bënë homazhe te Pllaka Memoriale e ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë. (Sheshi “Nëna Terezë”, ora 12:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj bënë homazhe te Pllaka Përkujtimore me emrat e ushtarëve britanikë, që humbën jetën në shërbim në Kosovë. (Sheshi “Edit Durham”, afër Hotelit Grand, ora 12:10)