12 Nëntor 2018

Aprovohen Tarifat e reja të energjisë elektrike

Prishtinë, 30 tetor - Sot, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në mbledhjen e tij të VIII (tetë) për këtë vit, ka marrë vendim për tarifat e energjisë elektrike me pakicë që do të aplikohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU – KESCO). Sipas këtij vendimi tarifat e reja që do të aplikohen nga 1 nëntor 2018, për konsumatorët shtëpiak (amvisëri) do të mbesin të njëjta, përderisa ato të konsumatorëve industrial, komercial dhe për ndriçimin publik do të zbresin për 5%. Këto tarifa janë rezultat  i të Hyrave të Lejuara Maksimale (HLM) të aprovuara për operatorët e Transmetimit/Tregut (KOSTT), Shpërndarjes (KEDS) dhe Operatorin e Furnizimit të Shërbimit Universal (KESCO) si dhe  reflektojnë koston e shërbimit të ofruar për grupet përkatëse tarifore.

Tarifat e vendosura do të aplikohen sipas Strukturës tarifore të vendosur në mars të vitit 2017, sipas të cilës tek të gjithë konsumatorët fundorë aplikohen vetëm tarifat ditore – tarifa e lartë dhe e ulët (ditë- natë). Kjo Strukturë tarifore ka për qëllim nxitjen e konsumatorëve për të zhvendosur një pjesë të konsumit nga koha e pikut (ditën) në kohën jashtë pikut (natën) kur ngarkesa në sistem është më e ulët. Nga 1 tetori deri me 31 mars, tarifa e lartë do të aplikohet prej orës 07:00h – 22:00h dhe tarifa e ulët do të aplikohet prej orës 22:00h – 07:00h. Përderisa nga 1 prill deri me 30 shtator tarifa e lartë do të aplikohet prej orës 08:00h – 23:00h, ndërsa tarifa e ulët do të aplikohet prej orës 23:00h – 08:00h.

Gjithashtu në këtë mbledhje Bordi ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Rregullave të Tregut, amendamentimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut, amendamentimin e Marrëveshjes për Furnizim me Ngrohje e lidhur në mes të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe NQ “Termokos” Sh.A. dhe ka shqyrtuar një numër të ankesave të konsumatorëve si dhe çështje të tjera të menaxhimit të Zyres së Rregullatorit për Energji.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 nëntor 2018 - Ministri i Punës, Skender Reqica, Ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyçi, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi raportojn para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me zbatimin e Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës 2013 - 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 10:00)

- Qendra e Inovacionit  dhe Oda Ekonomike Amerikane shënojn Javën Globale e Ndërmarrësisë. (Salla plenare e Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në hapjen e Javës Globale të Ndërmarrësisë. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike mban konferencën për media në të cilën prezanton një propozim për “Minimumin e një Platforme për Dialogun e Fazës Finale në mes të Kosovës dhe Serbisë” (Grupi për Studime Juridike dhe Politike, përballë Kino ABC, mbi Maxi Market, ora 11:00)

- Qendra e Lëvizjes në Prishtinë mban konferencë për media. (Sheshi "Adem Jashari", ora 12:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit takohet me Kryeministrin, Ramush Haradinaj, Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Ministren e Integrimeve Evropiane znj. Dhurata Hoxha lidhur me bashkërendimin e veprimeve lidhur me pakon legjislative dhe procesin e liberalizimit të vizave. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  C-203, ora 13:00 - mediat mund të marrin pamje vetëm në fillim të takimit)

- Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq interviston ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 13:00)

- Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” do të zhvillohet aksion pastrimi në Prishtinë. (Përreth hapësirave të Shkollës “Model”, ora 13:30)

- Ministri i MPMS-së, Skender Reçica, bën lansimin në konsultime publike të Koncept Dokumentit për Rregullimin dhe Menaxhimin e Fushës së Pensioneve dhe Beneficioneve, të hartuara nga MPMS. (Salla e konferencave në MPMS, ora 14:00)

- Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, mban mbledhje me kryetarët e degëve të LDK-së. (Hotel Sirius, ora 16:00  - konferencë për medie, 17:30)