20 Qershor 2019

Rritja e ekonomike e Kosovës e lartë përderisa konkurrenca ende sfidë

Bruksel, 20 maj - Krahasuar me rajonin, normat e rritjes së Kosovës mbetën të larta në 2018, të mbështetura nga investimet publike dhe konsumi privat, thotë Programi i fundit i Reformës Ekonomike të Kosovës (ERP).

Në të njëjtën kohë, pengesat strukturore ndaj rritjes ende sipas ERP-se paraqesin sfidë.

ERP u diskutua të premten nga përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane, si dhe përfaqësuesit e bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në takimin e tyre vjetor të dialogut të politikës ekonomike në Bruksel.

Në takim u shqyrtua Programi i Reformës Ekonomike në Kosovë, duke u fokusuar në veçanti në konkurrencën, e cila mbetet temë kryesore në dialogun ekonomik BE-Kosovë. Është thelbësore që Kosova të rrisë përpjekjet e saj në luftimin e ekonomisë joformale, duke ruajtur disiplinën fiskale, duke siguruar rritje të shëndetshme të kredive, liberalizimin e plotë të tregut të energjisë dhe përmirësimin e kushteve të tregut të punës në veçanti për gratë dhe të rinjtë. Një temë e përbashkët në rajon, përfshi Kosovën, është nevoja për të adresuar korrupsionin dhe sundimin e dobët të ligjit dhe institucionet.

Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, nënvizoi se me ushtrimin e ERP-së, Kosova dhe Ballkani Perëndimor pasqyrojnë procesin Semestral Evropian.

"Zbatimi i masave të reformës të përshkruara në ERP do të kontribuojnë ndjeshëm në heqjen e barrierave ndaj rritjes dhe konkurrencës. Kosova është zotuar të shtojë përpjekjet në këtë drejtim, me mbështetjen e BE-së. Këto përpjekje jo vetëm që do ta afrojnë Kosovën më afër BE-së, duke ndihmuar në përmbushjen e kritereve ekonomike të Kopenhagës, por më e rëndësishmja, do të sjellin përfitime të prekshme për cilësinë e jetës së popullit të Kosovës".

U lavdërua puna e autoriteteve, në veçanti e Ministrisë së Financave dhe Zyrës Strategjike të Kryeministrit, në adresimin e disa prej këtyre çështjeve dhe është pranuar se nevojitet më shumë punë dhe bashkëpunim më të ngushtë për të vazhduar më tej me këtë agjendë sfiduese.

Këtë vit u dakorduan gjashtë masa specifike për reforma të synuara, të cilat duhet ta ndihmojnë Kosovën që të përparojë për të arritur parashikimin ambicioz të rritjes:

1.    Të përfundohet procesi i certifikimit dhe riklasifikimit të veteranëve të luftës në mënyrë që të ulën kostot e skemës pensionale për veteranët e luftës në pajtim me legjislacionin aktual. Të sigurohet, nëse është e nevojshme përmes legjislacionit dytësor në Ligjin për Pagat Publike, që buxheti i vitit 2020 të jetë në përputhje me rregullat ekzistuese fiskale, në veçanti me rregullat e ligjit të pagave. Të përmirësohet mbledhja e të ardhurave tatimore në mënyrë që parashikimet ambicioze të të ardhurave për vitin 2019 të përmbushen plotësisht.

2.    Të përmirësohet mbikëqyrja financiare dhe llogaridhënia e ndërmarrjeve publike. Të forcohen kapacitetet institucionale në nivel qendror dhe lokal të qeverisjes në planifikimin e investimeve shumëvjeçare dhe menaxhimin e projekteve të investimeve me qëllim të përmirësimit të ekzekutimit të shpenzimeve kapitale. Të përgatitet një dokument për themelimin e një organi të pavarur për mbikëqyrjen fiskale për konsultime të mëtejshme me palët e interesit, përfshi BE-në.

3.    Të vazhdohet me përmirësimin e instrumentit analitik të bankës qendrore, përfshi krijimin një studimi të pritjeve të inflacionit. Të adresohen më tej faktorët themelorë ligjorë dhe institucionalë që pengojnë qasjen në financa për NVM-të. Të monitorohet për së afërmi paraqitja e rreziqeve potenciale të stabilitetit financiar në lidhje me segmentin e kredive konsumuese, duke përdorur mjete të përshtatshme të politikave mikro dhe makro-prudenciale, nëse është e nevojshme. Vendimet në lidhje me mbajtjen e letrave me vlerë të qeverisë nga banka qendrore të bazohen mbi një politikë transparente të investimeve dhe gradualisht të ulet niveli i tyre për të shmangur shuarjen e aktivitetit të sektorit privat në tregun sekondar.

4.    Të rritën stimujt për efiçencë të energjisë për sektorin privat dhe amvisëritë; të miratohet një plan që përfshin përshtatjen graduale të tarifave të energjisë që pasqyrojnë rritjen e pritur të kostove dhe masat lehtësuese për konsumatorët e cenuar; të përmirësohen skemat mbështetëse për projektet e energjisë së ripërtëritshme me vendosjen e ofertimit/ankandeve konkurruese për mbështetjen e burimeve të ripërtëritshme.

5.    Të sigurohet zbatimi i Strategjisë së Re dhe Planit të Veprimit 2019-2023 për luftimin e ekonomisë joformale në pajtim me afatet e përcaktuara kohore, duke integruar veprimet e duhura për të trajtuar punën e padeklaruar.

6.    Të zhvillohen masa aktive për rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe punësim. Të rritet ofrimi i arsimit dhe aftësimit profesional për profesionet e kërkuara. Të rriten investimet në arsim, me fokus të veçantë në zgjerimin e arsimit të hershëm në fëmijëri.

Bedri Hamza, Ministër i Financave dhe Koordinator i Programit për Reformën Ekonomike të Kosovës, tha: "Programi i Reformës Ekonomike është një mjet i shkëlqyeshëm që na ndihmon të përmirësojmë menaxhimin e burimeve publike në mënyrë që të tejkalojmë pengesat strukturore, duke ruajtur disiplinën fiskale. Duam të sigurohemi që buxheti i Kosovës përdoret në mënyrën më të mirë të mundshme dhe t’i afrohemi çdo vit qeverisjes ekonomike të BE-së. Mbi të gjitha, përpiqemi të zbatojmë këto reforma në mënyrë që të krijojmë një mjedis më të favorshëm afarist që mund të sjellë rritje dhe punësim për popullin e Kosovës".

Programi i Reformës Ekonomike është një dialog për qeverisje ekonomike midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. ERP ka për qëllim të përgatisë rajonin për pjesëmarrje në të ardhmen në sistemin e koordinimit të politikës ekonomike të BE-së, i njohur si Semestri Evropian.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 qershor 2019 - Organizata Inject- Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi organizojn konferencën “Trajtimi Institucional i Rasteve të Dhunës në Familje”. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Open Data Kosovo organizon panelin e diskutimit me temën “Hapja e të Dhënave të Bizneseve dhe Kontributi i tyre në Zhvillimin Ekonomik të Kosovës”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Universiteti ''Kadri Zeka'' në Gjilan në bashkëpunim me Oden e Avokatëve të Kosovës dhe aktivitetin e USAID-it Drejtësia Vlen, do të organizojë Orët për Ndihmë Juridike pa Pagesë, ku do të ofrohen shërbime juridike pa pagesë për qytetarët me nevojë. (Universiteti ''Kadri Zeka'', ora 10:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Agjencinë e Kosovës për Forenzikë do të organizojë ceremoninë e pranimit të certifikatës së Ri-akreditimit të laborantëve. (Ambientet e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, ora 10:30)

- Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj nga Grupi Parlamentar i LDK-së mbajn konferencë për media. (Ndërtesa e Kuvendit, para sallës C301.  ora 10:30)

- Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, do të mbajë konferencë për media. (Objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ora 11:00)

- Fushata për Zhvillimin e Qëndrueshëm Ekonomik në Kosovë bën shpalljen e finalistëve dhe fituesit të konkursit "Tregojeni mendjen tuaj afariste". (Shtëpia e Evropës, ora 11:00)

- Federata Sindikate e Telekomit të Kosovës mban konferencë për media lidhur me qendrimet rreth kontrates se Z-Mobile dhe hapave qe do të nderrmiren diteve në vijim. (Objekti Qendror i PTK-së në Dardani, ora 11:00)

- Mbahet seanca solemne me rastin e 20 Qershorit  Ditës së Çlirimit të Istogut. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Drejtori i Arsimit i Komunës së Gjilanit, Nazim Gagica mban konferencë për media për 5 mujorin e punës dhe planifikimin për tre-mujorin e ardhshëm. (Zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit, ora 11:00)

- Partia Socialdemokrate mban konferencë për media. (Zyrët qendrore në lagjen Arbëria, ora 11:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim themeluesin e shoqatës bamirëse, “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00)

- Me rastin e 20 Qershorit  Ditës së Çlirimit të Istogut bëhën homazhe dhe vendosje kurora lulesh tek Lapidari i Dëshmorëve në Istog. (Qendra e qytetit në Istog, ora 12:00)

- Mbahet ceremonia e përurimit të projektit të Adresave, ku do të marrin pjesë Kryetari i Komunës së Klinë, Prof. Dr. Zenun Elezaj, Ambasadori Norvegjez në Kosovë, Per Strand Sjaastad, zv. Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Gjergj Beka dhe Avni Ahmeti, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale  të Kosovës dhe qytetarë Klinas. (Oborri i Komunës së Klinës, ora 13:45)

- Ambasadori amerikan Philip Kosnett do të jetë prezent në përurimin e punëtorisë kreative të tipit “makerspace” në Komunën e Gjilanit, të financuar nga USAID-i. (Shkolla Xhavit Ahmeti në Gjilan, ora 14:15)

- Bëhet përurimi i qendrës së tretë të qëndrimit ditor për të moshuarit. (Lagjja Pejton, përballë Katedrales "Nëna Terezë", ora 15:00)

- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do të mbajë tryezën e radhës me temën “Roli i medieve në raportimin e problemeve ndëretnike”. (Hotel Sirius, ora 16:30)

- Aksion për Nëna dhe Fëmijë do të bëj lansimin e Librit 'Ditari i Nënës' udhërrëfyesi për hapat e prindërimit, libër ky i shkruar nga Albiona Beselica Beha. (Libraria Dukagjini në sheshin Nënë Terezë, ora 17:00)

- Me rastin e 20 Qershorit  Ditës së Çlirimit të Istogut mbahet turniri në futboll të madh ku do të marrin pjesë ekipet nga komuna e Istogut, Klinës ,Deçanit dhe Pejës. (Fshati Banjë, ora 17:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj viziton komunitetin egjiptian në Fushë Kosovë, në kuadër të Javës së Egjiptianëve. (Amfiteatri përballë komunës së vjetër në Fushë Kosovë, ora 18:00)

- Me rastin e 20 Qershorit  Ditës së Çlirimit të Istogut mbahet programi festiv me këngë e valle. (Shtëpia e Kulturës në Istog, ora 18:00)

- Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Kino Armatën për nder të njëzet vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës organizon Javën e Filmit me shfaqjen e filmave "Tisa" nga Valter Lucaj dhe "Përtej Rrugës" nga Yll Çitaku. (Kino Armata, ora 20:00)