26 Maj 2018

Qeveria rrit pagat për 4 për qind për shërbyesit civil

Prishtinë, 12 janar - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e 24-të të radhës, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendime nga kompetencat e saja kushtetuese dhe ligjore.

Bazuar në Ligjin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, për përzgjedhjen e kandidatëve për Guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës ka miratuar listën të cilën do ta procedojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me kandidatët si në vijim: Fehmi Mehmeti; Shkëndije Himaj Besnik Bislimi, dhe Safet Merovci.

Qeveria e Kosovës ka miratuar shfuqizimin e vendimit nr.06/98 të Qeverisë së Kosovës të datës 29 qershor 2016, për emërimin e zëvendësdrejtorit për Shërbime të Navigacionit Ajror për çështje operative dhe zëvendësdrejtorit të Agjencisë për Shërbime të Navigacionit Ajror për çështje financiare administrative.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka aprovuar kërkesën për miratimin e buxhetit për komunën e Lipjanit pas aprovimit të buxhetit për vitin 2018 nga Kuvendi Komunal i Lipjanit, me datë 18.12.2017. Ky aprovim i buxhetit ka qenë i nevojshëm, pasi që Asambleja Komunale e Lipjanit është vonuar në aprovimin e buxhetit brenda afatit ligjor.

Qeveria ka aprovuar vendimin për rritjen e pagave, duke filluar nga 1 janar 2018 për të gjitha kategoritë e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i Republikës së Kosovës prej 4% mbi pagën bazë duke përfshirë mjetet financiare prej 30 euro për punëtorët e Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës si dhe 44 euro për punëtorët shëndetësorë. Rritja aplikohet edhe në shpërblimin e anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në këtë ngritje nuk do të përfshihen të gjithë ata që kanë përfituar ngritjen e pagave sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 20 dhjetor 2017.

Me vendimin e miratuar në mbledhje të Qeverisë së Kosovës janë ndarë mjete financiare në shumë prej 54,850,00 (pesëdhjetë e katërmijë e tetëqind e pesëdhjetë) euro, për mbulimin e shpenzimeve për manifestimin multikulturor “Flaka e Janarit” 2018, në Komunën e Gjilanit.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për themelimin e Bordit Këshillëdhënës të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës. 

Me vendimin e miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Qendrat për Punë Sociale në komunat e Republikës së Kosovës caktohen si institucione përgjegjëse për vlerësimin e kategorive sociale që do të lirohen nga pagesa e premiumeve dhe bashkë pagesave, nëse identifikohen si të varfra sipas kritereve të Testit të Varfërisë.

Është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, Zonat Kadastrale Nikaj dhe Soponicë, Komuna e Kaçanikut dhe Zona Kadastrale Hani i Elezit, Komuna Hani i Elezit.

Është miratuar edhe vendimi për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Qendra Multifunksionale” sh.a Mitrovicë, me 100% pronare të aksioneve nga KK Mitrovicë.

Qeveria e Kosovës ka formuar komisionin ndërministror për shënimin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Komisioni është i mandatuar t’i bëj të gjitha parapërgatitjet si dhe agjendën e shënimit të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Kryeministri Haradinaj ka informuar kabinetin qeveritar me procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë, dhe ka propozuar që të emërohet shefi i delegacionit të Kosovës për negociata me Serbinë. Qeveria ka aprovuar propozimin e kryeministrit që Avni Arifi të jetë shef i delegacionit kosovar në këto bisedime me ndërmjetësimin e Brukselit.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka informuar kabinetin qeveritar rreth procesit të përmbylljes së Misionit të EULEX-it në Kosovë, si dhe hapat që janë marr për plotësimin e vakumeve ligjore. Janë evidentuar 8 ligje që duhet të plotësohen dhe ndryshohen në këtë proces. Ministri i Drejtësisë ka propozuar edhe plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për përbërjen e Komitetit drejtues për implementimin e Strategjisë Kombëtare për të drejtat pronësore.

Kabineti qeveritar i ka dhënë mbështetje propozimit të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, për ndarjen e mjeteve në shumën prej 65 mijë euro, për të mbështetur funksionimin e Qendrave për strehimin e viktimave të dhunës në familje. Gjithashtu me propozimin e ministrit Reçica është marrë vendim për ngritjen e shumës së kompensimit për skemat e ndihmave sociale për 20 për qind, sipas numrit të anëtarëve të familjes, duke filluar nga 01.01.2018.

Me propozimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, janë miratuar: Udhëzimi Administrativ për mënyrën e vënies në dispozicion të pasurive të paluajtshme në pronësi të ndërmarrjeve publike për zhvillimin dhe realizimin e projekteve për investime strategjike, dhe Udhëzimi administrativ për mënyrën dhe metodat e verifikimit të përmbushjes së kritereve për përcaktimin e statusit të investitorit strategjik.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Maj 2018

- Komisioni për Rekrutim i Këshillit Gjyqësor të Kosovës organizon mbajtjen e testit kualifikues për kandidatet të cilët kanë aplikuar për pozitën e gjyqtarit në gjykatat Themelore të Kosovës. (Hapësirat e Akademisë Policore në Vushtrri, ora 9:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, merr pjesë në “Lutjet e Mëngjesit” në kuadër të Takimit të Evropës Juglindore “Love Your Neighbor”, të organizuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. (Hotel Plaza, Tiranë, ora 10:30)

- Instituti ATOMI organizon ceremonin e shpërbilimit të më të mirëve të Garës Ndërkombëtare të Matematikës Kangaro. (Salla e Kuqe të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ora 14:00)