03 Korrik 2020

Popullsia në Kosovë për vitin 2019 është 1 782 115 banorë rezidentë

Prishtinë, 26 qershor - Vlerësimi i numrit të popullsisë është domosdoshmëri, praktikë dhe standard, që kërkohet të bëhet çdo vit nga institucionet zyrtare të statistikave të një vendi. Kjo, për faktin se në periudhën ndërmjet dy regjistrimeve (periudhë dhjetëvjeçare) ndodhin ndryshime të theksuara në popullsinë e një vendi, një komune a një vendbanimi.

Të dhënat vjetore statistikore mbi popullsinë (demografinë) janë themelore për studimin dhe përcaktimin e një game të gjerë analizash. Sidomos, analiza për çështjet sociale dhe ekonomike në nivele të caktuara: komunale, kombëtare dhe rajonale. Të dhënat mbi popullsinë përbëjnë komponentin thelbësor për vlerësimet e llogarive kombëtare, punësimit dhe çështjeve të tjera socio – ekonomike.

Gjatë vitit 2019, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 15 294 persona.  Është vlerësuar se gjatë këtij viti kanë: ndërruar vendbanimin (komunën) e tyre, 9 132 persona; imigruar (përfshi të kthyerit) në Kosovë, 6 066 persona; emigruar 34 911 persona. 

Kurse bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) për vitin 2019 ishte -28 845 banorë. Kurse, popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar – 31 dhjetor 2019, u zvogëlua për -13 551 banorë.

Popullsia në Kosovë për vitin 2019 vlerësohet të jetë 1 782 115 banorë rezidentë.

Për më shumë informata, lidhur me Vlerësimin e Popullsisë 2019, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/sociale/vleresimi-i-popullsise

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Korrik 2020

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, viziton Republikën e Shqipërisë ku do të zhvillojë takim me kryeministrin Edi Rama. (Pallati i Brigadave në Tiranë, ora 10:00)

- Ministri  i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, viziton Komunën e Deçanit, ku pritet në takim nga kryetari Bashkim Ramosaj. (Salla e Asamblesë Komunale, Deçan, ora 10:00)

- Ambasadori hungarez në Kosovë, Laszlo Markusz, viziton Komunën e Gjakovës. (Ndërtesa e Komunës, ora 10:45)

- Lëvizja FOL organizon konferencë për media, me ç’rast do të publikoj raportin “Pagesat e Vendimeve Gjyqësore nga Komunat - Vitet 2017, 2018, 2019”. (Zyret e Lëvizjes FOL, ora 11:00)

- Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama mbajnë konferencë e përbashkët për shtyp. (Pallati i Brigadave në Tiranë, ora 11:15)

- Hapet ekspozita “Ditarët e Depresionit” e realizuar nga Ferdi Limani. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë, ora 12:00)

- Banorët e lagjes ”Qendra” protestojnë, të pakënaqur me shërbimet komunale. (Rr.“Rexhep Luci”, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media në të cilën flasin deputetët Arbërie Nagavci dhe Hajrulla Çeku. (Oborri i Kuvendit të Kosovës, ora 13:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. (Presidenca e Shqipërisë, ora 13:10)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. (Zyra e Kryetarit të Kuvendit, ora 14:00) 

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. (Zyra e Kryetarit të Bashkisë, ora 14:45)
 
- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. (Zyra e Kryetarit të PD-së, ora 15:30)