02 Shkurt 2023

Kosova merr më shumë se 100 milionë euro fonde nga BE-ja dhe Gjermania

Prishtinë, 8 dhjetor - Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Qeveria e Kosovës nënshkruan dje në Prishtinë dy marrëveshje të mëdha financiare që do t'i mundësojnë Kosovës të marrë më shumë se 100 milionë euro për zbatimin e projekteve të trajtimit të ujërave të zeza dhe menaxhimit të mbeturinave të ngurta në tërë Kosovën nga viti 2023 deri në vitin 2027.

Të dy projektet, të cilat tregojnë solidaritetin e fortë të BE-së dhe shteteve anëtare me Kosovën, do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe do të rrisin përputhshmërinë e Kosovës me standardet mjedisore të BE-së, si një nga kërkesat e anëtarësimit në BE.

Qëllimi është të zgjidhen problemet akute të mbeturinave në komunat e Kosovës dhe të ndihmohet në krijimin e kushteve më të sigurta dhe më të mira të jetesës. 

Projekti i trajtimit të ujërave të zeza i zbatuar në rajonin e Prishtinës do të përfshijë ndërtimin e linjave të reja kryesore të kanalizimit nga Prishtina në Fushë Kosovë dhe Obiliq, dhe në drejtim të Graçanicës dhe Jugperëndimit, si dhe rehabilitimin e rrjeteve rajonale të kanalizimeve dhe lidhjeve të shtëpive dhe të sistemit të ndarjes së ujërave të stuhishme.

Ky projekt do të plotësojë ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza, që do të financohet nga Franca, duke e bërë këtë përpjekje të përbashkët të BE-së, Gjermanisë dhe Francës, investimin më të madh në këtë sektor në Kosovë.

Gjermania do të sigurojë 48.8 milionë dhe BE-ja 20 milionë euro për projektin e ujërave të zeza, ndërsa komunat e Prishtinës dhe Fushë Kosovës do të bashkëfinancojnë projektin me 9 dhe 2 milionë euro respektivisht.

Projekti për menaxhimin e mbeturinave të ngurta do të zbatohet në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe Pejës dhe do të përfshijë ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta.

Për këtë projekt, Gjermania do të sigurojë 20 milionë dhe BE-ja gjithsej deri në 24 milionë euro, ndërsa Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 8 milionë euro dhe Komuna e Pejës me 3 milionë euro të tjera.

BE-ja dhe shtetet e saj anëtare mbeten ofruesi më i madh i ndihmës financiare për Kosovën.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 shkurt 2023

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft-planin e punës për sesionin pranveror 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, N303, ora 9:00)

Paneli i Gjykatës së Apelit bën shpalljen e aktgjykimit të apelit në çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. (Hagë, ora 9:30)  

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 10:00)  

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)  

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shënon Ditën Globale të Zgjedhjeve me temën “Pjesëmarrja në zgjedhje në Republikën e Kosovës dhe roli i institucioneve”. (Hotel Sirius, ora 10:00)  

-Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Ferizajt ku do të takohet me kryetarin Agim Aliu. (Ferizj, ora 10:30)

- Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Redžepi organizon tryezë të rrumbullakët me rastin e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:00)