01 Korrik 2022

Guvernatori Mehmeti u takua me drejtues të Agjencionit Bankar të Turqisë

Stamboll, 25 maj - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, gjatë vizitës në Stamboll të Turqisë ka takuar Udhëheqësin e Agjencionit Mbikëqyrës dhe Rregullativ Bankar të Turqisë, Mehmet Ali Akben.

Guvernatori Mehmeti ka informuar Akben lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin financiar, i cili vazhdon të jetë likuid dhe stabil, si dhe angazhimin e BQK-së për zhvillimin e mëtejmë të sektorit bankar dhe ekonomisë së vendit.

Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti e njoftoi Akben lidhur me gjendjen e bankave me kapital turk, të cilat operojnë në sektorin bankar të Kosovës.

Guvernatori falënderoi Akben për përkrahjen dhe bashkëpunimin e deritashëm, si dhe shprehu gatishmërinë dhe kërkesën për vazhdim të bashkëpunimit në fushën e trajnimit dhe zhvillimit të mëtejmë të stafit të BQK-së, pjesëmarrjen në kolegjet mbikëqyrëse dhe kryerjes së ekzaminimeve të përbashkëta.

Nga ana tjetër, Udhëheqësi i Agjencionit Mbikëqyrës dhe Rregullativ Bankar të Turqisë, Mehmet Ali Akben, vlerësoi të arriturat e deritashme të sistemit financiar të Kosovës dhe angazhimin e BQK-së për avancimin e sistemit financiar, si dhe shprehu përkushtimin për angazhim në avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes të dyja institucioneve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 korrik 2022 - Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri mban Konferencë për media. (Para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, ora 9:30)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremonin e diplomimit të kadetëve të Gjeneratës 2022 të Akademisë së Mbrojtjes - Qendrës për Studime Universitare të FSK-së “Wesley Clark”. (Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Nën organizimin e Federatës Sindikale te Sektorit Privat te Kosovës shoqata e autobusëve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë do të protestojnë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për mos krijimin e kushteve për punë. (Para Ministrisë së Infrastrukturës, ora 10:00)

- Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale mban konferencën me temën “Ndikimi i ndryshimeve të Kuvendeve Komunale në kualitetin e politikave lokale” ku do të prezantohet hulumtimi mbi pasqyrimin e përbërjes së Kuvendeve Komunale. (Hotel Sirius, nga ora 10:00)

-OJQ AKTIV dhe platforma OPEN organizon prezantimin e rezultateve të hulumtimit “Regjistrimi i popullsisë nga këndvështrimi i komunitetit serb në Kosovës”. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitrovicën e Veriut, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 voton listën e dëshmitareve qe do të ftohen për intervistim si dhe shqyrton CV-te për angazhim të eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)