27 Prill 2024

Gastronomët në 'luftë' me qeverinë

Prishtinë, 23 korrik - Ekonomia kosovare që nga paslufta nuk ka qenë shumë e zhvilluar, por, me arritjen e pandemisë COVID19 në muajt e fundit, ajo ka pësuar rënie akoma më të madhe.

Stina e verës me arritjen e mërgimtarëve shënonte rritje në ekonomi, mirëpo, mungesa e tyre këtë vit, ka bërë që bizneset të mos këndellen nga goditja që i erdhi nga pandemia.

 Një nga fushat më të goditura po vazhdon të jetë gastronomia.

Masat e Qeverisë Hoti që të mos lejohet puna e restoranteve pas orës 21:00, ka bërë që puna në këto lokale të bie dukshëm.

Për Syri.net Kosova këtë gjë e ka konfirmuar edhe menaxheri i kafiterisë ‘Cozy’, Sulejman Limani.

    “Qe prej masave që ka marrë qeveria, puna ka rënë dukshëm. Kjo gjë ka bërë që të përgjysmohet edhe stafi, por, mund të them se diku mbi 60-70% ka rënë puna” tha ai.

Po ashtu, Limani shtoi se këto masa që janë marrë për sektorin e gastronomisë nuk janë të duhura, pasi, shumë familje varen nga përfitimi që vjen përmes kafiterive.

    “Njerëzit mbajnë familje me këto punë. Shteti njëherë i ka vendosë në xhirollogari nga 170 euro, por kjo ka ndodhë vetëm për një muaj. Nëse qeveria nuk paguan prapë, ne detyrohemi t’i paguajmë vet punëtorët e kjo gjë na shkakton dëm, pasi as punë nuk po ka siç ishte më përpara” tha ai.

Nëse situata vazhdon të mbetet e tillë, Limani tha se mendon që 50% e bizneseve të gastronomisë mund të falimentojnë dhe të mbyllen.

E për këtë pjesë, ai tha se do duhej të protestohej dhe nëse bëhet një organizim i tillë, në protestë do merr pjesë gjithsesi.

Se puna ka rënë në përqindje të madhe, e thotë edhe një menaxher tjetër i njërës nga kafetë që gjendet te pjesa e quajtur “kafetë e rakisë”.

Ai për Syri.net Kosova tha se lokali ku ai punon frekuentimin më të madh e ka gjatë natës, prandaj, masat e tilla po e dëmtojnë shumë këtë biznes dhe se puna ka të paktën 60%.

    “Kjo pjesë e lokaleve në tërësi punën e kanë gjatë mbrëmjes. Prandaj, është shumë e dëmshme për neve që pikërisht në kohën kur duhet ta nisim punën, ne duhet ta mbyllim” shtoi menaxheri, emër i njohur për redaksinë.

I pyetur se si i komenton masat e qeverisë, menaxheri tha se kjo ka ardhur për shkak të ngutisë së tyre dhe joinformimit të duhur.

    “Vendim i pabazë. Keqmenaxhimi, informata të mangëta dhe strategjia e gabuar ka bërë që të vijnë në vendime të tilla, shumë të dëmshme për neve” shtoi tutje ai.

Punët hiç më mirë nuk i ka asnjë kafiteri tjetër në Prishtinë.

Menaxheri i kësaj kafiterie B.L, që është në qendër të Prishtinës, për Syri.net Kosova tha se përpos këtyre masave, punën e ka ulur edhe mungesa e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Diasporë.



    “Siç po e sheh, restoranti është në shesh dhe nëse e krahasojmë me vitet tjera, sivjet kemi shumë pak punë. Tash një vit nuk ke mundur të shohësh tavolina të lira, por, tash siç po e shihni ka vend të lirë sa të duash. Sivjet nuk po ka as mërgimtarë e kjo është dëshpëruese për neve. Po shpresojmë mu bë mirë” tha ai.

Kujtojmë që të hënën gastronomët do marrin pjesë në një protestë para qeverisë, madje, do t’i mbyllin edhe lokalet në shenjë pakënaqësie.

Për këtë veprim të gatshëm janë edhe menaxherët të cilët folën për Syri.net Kosova.

Shoqata e gastronomëve ditë më parë kanë dorëzuar kërkesat e tyre në organet kompetente ku kërkuan riprogramimin e kësteve të kredisë; lehtësira për qasje në financa; përkrahje për pagat dhe qiratë, së paku edhe për tre muaj dhe shtyrje të deklarimeve dhe pagesave të tatimeve, së paku edhe për tre muaj.

Nëse këto kërkesa nuk merren parasysh, protestat e tyre do vazhdojnë akoma.

Nga ana tjetër, në sheshet e Prishtinës, por, edhe në kafiteri numri i personave është i pakët dhe nëse e krahasojmë me korrikun e viteve tjera, mund të themi se numri i shëtitësve është simbolik.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)