26 Prill 2024

Ekonomia turke përballë sproves me fuqizimin e Erdoganit

Ankara, 24 korrik - Vëzhguesit ndërkombëtarë e konsiderojnë takimin e sotem të Bankës Qendrore të Turqisë si një provë kritike për pavarësinë e këtij institucioni nga presioni i Presidentit Recep Tayip Erdogan dhe kontrollit të tij në rritje që shihet si pjesë e një axhende islamiste.

Monedha turke ka pësuar rënie të ndjeshme ndërkohë që rriten shqetësimet se qeveria e Erdoganit do të ndjekë politika ekonomike të pazakonta ndaj bankës.

Erdogan, i cili synon që bankat islamike të përfaqësojnë 1/4 e institucioneve financiare në vend, kundërshton me forcë interesat bankare që i cilëson si “nëna dhe babai i të gjitha të këqijave”. Ai i kundërvihet parimit ekonomik që me rritjen e interesave, bie inflacioni.

Investitorët presin që Banka Qendrore e Turqisë të rrisë interesat për të vënë nën kontroll inflacionin, që aktualisht përllogaritet në rreth 15%, ndër më të lartit në botën e zhvilluar.

“Nëse nuk rritet norma e interesit, tregjet do ta shohin këtë si një sinjal shumë negativ,” tha ekonomisti Inan Demir i firmës Nomura Securities.

Lira turke ka rënë rreth 30% që nga fillimi i vitit. Një shqetësim tjetër janë masat e gjera ekzekutive që ka marrë Erdogani që nga zgjedhjet e muajit të kaluar.

Gjatë fushatës udhëheqësi turk u zotua të ushtrojë kontroll më të fortë mbi ekonominë, përfshirë mbi Bankën Qendrore, që është institucion i pavarur.

Me emërimin e dhëndrit të tij si ministër i financave, Ergogani i ka acaruar shqetësimet ndërkombëtare.

Investitorët presin të shohin vendimet që do të dalin nga takimi i Bankës Qendrore nesër. Një ndër shqetësimet është se Ankaraja mund të miratojë masa të forta që pengojnë daljen e kapitalit jashtë vendit. Analistët e shohin kontrollin mbi lëvizjen e kapitalit si vetëvrasje për ekonominë turke. Kjo do të rezultonte në rënien e kredibilitetit financiar të Turqisë gjë që i heq vendit mundësinë për të marrë borxh pesë miliardë dollarë në muaj që i duhen për të mbuluar mungesat aktuale në buxhet.

Një tjetër problem ekonomik janë shpenzimet e larta publike. Investitorët thonë se edhe nëse Ankaraja nuk merr masa drastike për të kufizuar kapitalin, gjendja nuk do të përmirësohet nëse nuk kufizohen shpenzimet buxhetore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)