26 Shkurt 2021

Diskutohen mundësitë për zgjatje të orarit të lëvizjes

Prishtinë, 18 dhjetor - Përfaqësuesit e komiteteve të Kujdesit Shëndetësor dhe atij për Gastronomi dhe Turizëm brenda Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, u takuan sot me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, si dhe Zëvendësministrin e Shëndetësisë, Luan Gola, për të diskutuar çështje që ndërlidhen me masat e Qeverisë së Repulbikës së Kosovës për mbrojtje nga pandemia COVID-19, si dhe për mundësitë për bashkërendimin për zbatim të tyre në dobi të qytetarëve dhe bizneseve.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, theksoi se Oda Amerikane ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që orari i kufizimit të lëvizjes të zgjatet, gjithnjë duke i respektuar masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për mbrojtjen e shëndetit publik.
 
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, u shpreh se marrë parasysh fragjilitetin e ekonomisë së vendit, ministria që ai drejton është kundër mbylljes totale.

Ai theksoi se tash e disa herë brenda komitetit për vlerësim të situatës me COVID-19 ka avokuar për marrjen e masave strikte, por jo edhe për mbylljen e ekonomisë në tërësi.

Krasniqi gjithashtu tha se marrë parasysh fluksin e madh të mërgimtarëve, të cilët kanë rol kyç në buxhetin e vendit përmes remitencave, do t’i trajtojnë kërkesat e bizneseve për zgjatje të orarit, gjë që bëhet e mundur përmes vendosjes së rendit përmes inspektoriatit dhe policisë, si dhe përmes zbatimit të masave strikte për mbrojtjen e shëndetit publik nga ana e bizneseve.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Luan Gola, theksoi se Ministria e Shëndetësisë bashkë me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, çdo masë e ka propozuar duke i marrë parasysh kapacitetet e limituara spitalore për t’u përballur me numër më të madh të të infektuarve.

Më tutje, ai theksoi se kuadri mjekësor është lodhur për shkak të punës shumë të madhe që është bërë gjatë këtyre 9 muajve, ndërsa shprehu shqetësimin e tij mbi situatën shumë serioze.

Derisa përmendi se vendi duhet të përgatitet edhe për periudhën pas pandemisë, Gola tha se ekziston një numër i madh i pacientëve të diagnostifikuar me sëmundje të tjera, të cilët tashmë po i evitojnë trajtimet dhe kontrollat për shkak të mundësisë për infektim.

Sipas Golas, ekziston një varg i tërë masash të cilat duhet të trajtohen me shumë kujdes në mënyrë që të mbahet situata nën kontroll.

Erëmal Bajrami, kryesues i Komitetit të Odës Amerikane për Gastronomi dhe Turizëm, theksoi se një ndër kërkesat kryesore të këtij komiteti ka qenë të lejohet shërbimi i shpërndarjes edhe gjatë orëve kur lëvizja është e kufizuar, meqë një shërbim i tillë nuk paraqet rrezik për shëndetin publik, si dhe i njëjti po implementohet edhe në shtetet e tjera.

Ai tha se diçka e tillë duhet të implementohet sa më parë, sepse çdo vonesë rezulton në humbje për ekonominë.

Vullnet Kusari, përfaqësues i Komitetit të Odës Amerikane për Kujdes Shëndetësor, tha se në rast të aplikimit të kufizimeve më të gjera të aktivitetit fizik, duhet të konsiderohet rritja e udhëtimeve jashtë vendit, të cilat edhe ndikojnë në shtimin e rasteve të të infektuarve, por edhe në humbjen e potencialit ekonomik.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Shkurt 2021

- Mbahet mbledhja e dytë e rregullt e Kuvendit Komunal të Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 10:00)

- Këshilli Organizues ''Pranvera Shqiptare 81'' do të bëj nderime dhe do të vendos lule te varri i varri i Adem Demaçit. (Velani, ora 11:00)

- Organizata Etea, përmbyllë fazën e parë të projektit “Biblioteka Qarkulluese me strategjitë e lexim kuptimit”. (Kino Armata, ora 11:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë kulturore. (Parku arkeologjik "Ulpiana", ora 12:00)

- Këshilli Organizues ''Pranvera Shqiptare 81'' organizon tryezëm përkujtimore për Adem Demaçin në 85 vjetorin e lindjes. (Instituti Albanologjik në Prishtinë, ora 13:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj një aktivitet pranë objektit të Komunës së Prishtinës. (Objekti i Komunës së Prishtinës, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike mban konferencën për media me rastin e dorëzimit të Padisë për Konflikt Administrativ kundër Lejes Ujore për Hidrocentralin Brezovica në Shtërpcë të Lëshuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. (Para Pallatit të Drejtësisë, Ndërtesa A, ora 14:00)

- Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi mban konferencë lidhur me progresin në procesin e rinumërimit dhe të aktiviteteve tjera që po zhvillohen në këtë qendër. (Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ora 15:00)