02 Qershor 2020

Buxheti për shëndetësi është rritur lehtë ndërsa ai për arsim ka rritje të theksuar

Prishtinë, 21 maj - Instituti GAP publikoi raportin “Prioritetet e buxhetit të Kosovës para pandemisë COVID-19.”

Qëllimi i këtij raporti është që të bëjë një analizë të ndarjeve të miratuara buxhetore për vitin 2020, para goditjes nga pandemia COVID-19.

Duke pasur parasysh vonesat në formimin e qeverisë, buxheti i Kosovës për vitin 2020 ishte miratuar jashtë afateve të rregullta ligjore.

Ngjashëm sikurse viteve të kaluara, shumica dërmuese e projekteve kapitale qendrore janë vazhdime apo obligime nga vitet e kaluara, duke lënë pak hapësirë për projekte të reja.

Gjithashtu, edhe prioritetet sipas fushave kanë mbetur të njejta me vitin e kaluar, ku më shumë se gjysma e shpenzimeve orientohen për çështjet ekonomike, mbrojtje sociale dhe arsim.

Buxheti për shëndetësi është rritur lehtë ndërsa ai për arsim ka rritje të theksuar krahasuar me vitin paraprak.

Tek Inspektorati i Punës është ndarë buxhet vetëm për 90 persona, ndërsa në programin e qeverisë, stafi i këtij departamenti parashihet të jetë 400 persona.

Sa i përket shpenzimeve rrjedhëse, ato kanë mbetur pothuajse të njejta me vitin e kaluar. Mirëpo, në rast të hyrjes në fuqi të Ligjit për pagat në sektorin publik, atëherë nuk dihet sa sa mund të rriten këto shpenzime, duke pasur parasysh se kostoja e saktë e ligjit nuk dihet ende.

Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit kemi një rënie të theksuar të buxhetit për ndërtim të autostradave dhe rehabilitim të rrugëve, por megjithatë Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit do ta menaxhojë gati gjysmën e buxhetit qendror për investime kapitale.

Sa i përket investimeve kapitale nga niveli qendror në atë lokal, edhe këto investime kapitale në pjesën më të madhe janë vazhdimësi nga viti i kaluar. Mirëpo, këtë vit shihet një shpërndarje më e balancuar e këtyre investimeve në komuna.

Instituti GAP do të bëjë një analizë të ndarë sa i përket ndryshimeve në buxhetin e Kosovës si pasojë e krizës nga COVID-19.

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Qershor 2020 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën do të shqyrtohet kërkesa e 61 deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  C-301, ora 10:00 - mbledhja do të mbahet pa prezencën e mediave)

- Lëvizja Vetëvendosje nisë mbledhjen e nënshkrimeve për peticion “Duam Zgjedhje” (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 10:00)

- Mbahet seanca e tretë e Kuvendit të Komunës së Gjilanit. (Holli i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, ora 10:00) 

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve në lagjen Dardania. (Lagja Dardania, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, shqyrton Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, C203, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ku pas mbledhjes, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 16:30)