02 Korrik 2020

Bruto Produkti Vendor shënon rritje reale për 1.29 për qind

Prishtinë, 26 qershor - Agjencia e Statistikave te Kosovës (ASK) ka publikuar “Bruto Produktin Vendor” (BPV) për tremujorin e parë (TM1) 2020, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe konstante.

BPV në TM1 2020 shënon rritje reale për 1.29%, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM1 2019).

Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon: aktivitetet financiare dhe të sigurimit (5.72 %); aktivitetet profesionale dhe administrative (4.20%); industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, furnizimi me ujë (4.12%); informacioni dhe komunikacioni (1.47%); aktivitetet e pasurive të paluajtshme (1.17%); tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor (0.30%).

Ndërkaq, rënie reale në këtë tremujor kishte te aktivitet ekonomike të: arteve, argëtimit dhe çlodhjes dhe aktivitetet e tjera të shërbimit (-26.84%); ndërtimit (-12.40%); bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit (-0.15%); administrimit publik, arsimit dhe shëndetësisë (-0.10%).

Kurse, BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve, në këtë tremujor, ka pasur rritje te: eksporti i mallrave dhe shërbimeve (29.54%); importi i mallrave dhe shërbimeve (4.12%); dhe te shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe IJPSHESH (0.22%).

Ndërsa, rënie kishte në të dhënat e: formimit të bruto kapitalit (-9.35%) dhe shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (-1.04%).

BPV-ja tremujore (TM1 2020), sipas aktiviteteve ekonomike, është paraqitur në nivelin A*10 të agregimit të llogarive kombëtare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Korrik 2020 - Mbahet mbledhja e dytë e rregullt për vitin 2020 e Kuvendit të Komunës së Prizrenit. (Salla e Kuvendit të Komunës në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Inaugurohen zyrat të reja të Bankës Qendrore të Kosovës në të cilen do të merr pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. (Tek ish-zyrat e Komunës së Prishtinës që gjenden mes objektit të BQK-së dhe parkingut nëntokësor tek Hotel Grandi, ora 10:00)

- Nataliya Apostolova, Udhëheqëse e Zyrës së BE-së në Kosovë do t’i dorëzojë Ministrisë së Shëndetësisë 6,000 komplete testimi për COVID-19, 90 shtretër spitalorë, mbi 67,000 maska të frymëmarrjes dhe pajisje të tjera mjekësore në mbështetje të sistemit shëndetësor. (Live stream në facebook.com/EuropeanUnionInKosovo, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të vizitojë Komunën e Gjilanit ku do te takohet me kryetarin Lutfi Haziri. (Objekti i Komunës së Gjilanit, ora 10:30)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Kryetari i Komunës se Gjilanit, Lutfi Haziri vizitojnë stadiumin e qytetit në Gjilan si dhe vendosin gur-themelin e stadiumit ndihmës. (Gjilan, ora 11:00)
 
- Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Iniciativa për Progres me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it, do të mbajnë konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti i monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik: “E drejta për ujë, peng i prokurimit: Analizë e tenderit maratonik për ujësjellës në Komunën e Dragashit”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, përfaqësuar nga Ambasada Britanike, nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit. (Holli i Kuvendit të Kosovës​, ora 12:00)

- SKOPI Studentor organizon aksion simbolik për të treguar realitetin e krijuar nga emërimet e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. (Para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, ora 12:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në nënshkrimin e Memorandum Bashkëpunimit me Ambasadën Britanike për pozitat e larta drejtuese. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- IKD dhe INPO mbajnë konferencë për medie, në të cilën do publikohet raporti i monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik “E drejta për ujë, peng i prokurimit”. (Hotel “Sirius”, ora 14:30)

- Me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka ftuar të gjithë gazetarët e sportit, në takim me për të diskutuar mbarëvatjen e sportit në vendin tonë si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet sporti dhe gazetarët sportivë. (Kabineti i Ministres së MKRS-së, ora 15:15)