19 Korrik 2019

Bizneset amerikane të interesuara për investime në Kosovë

Prishtinë, 14 maj - Një delegacion i bizneseve amerikane qëndroi sot në Odën Ekonmike Amerikane në Kosovë ku u takua me disa përfaqësues të bizneseve që operojnë në Kosovë. Qëllimi i takimit të tyre ishte informimi lidhur me mundësitë që ofron Kosova për investitorët amerikanë.

Kryetari i Bordit të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, njoftoi të pranishmit me mundësitë e shumta për investime të cilat i ofron Kosova në sektorë të ndryshëm. Ai tha se numri i madh i bizneseve të suksesshme është dëshmi e vullnetit dhe punës së madhe të bizneseve vendore për t'u rritur më tutje. Ibrahimi tha se rrjetëzimi mes bizneseve vendore dhe atyre amerikane është ndër mënyrat më të mira për të forcuar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe për të siguruar numër më të lartë të investimeve amerikane në vend.

Njëri nga biznesmenët amerikanë pjesë e delegacionit, Michael Stoltzfus, u interesua lidhur me kualitetin e arsimit në vend si dhe zhvillimin e ndërmarrësisë si disa nga shtyllat kyçe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Stoltzfus përmendi rininë e Kosovës si një aset mjaft të vlefshëm i cili mund të rezultojë në rritje më të qëndrueshme të vendit duke reflektuar në themelimin e një numri më të madh të ndërmarrjeve të reja gjë që pastaj përkthehet në vende të reja pune.

Më tutje, përfaqësuesit e bizneseve diskutuan rreth mundësive të bashkëpunimit me bizneset amerikane në projekte konkrete në fusha të ndryshme duke u dakorduar për vazhdim të komunikimit mes tyre.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 korrik 2019 - Ekipi i Luftimit të Brigadës së Këmbësorisë së 44-të, Garda Kombëtare e Ushtrisë së New Jersey do të marrë komandën e MNBG-E nga Ekipi i Luftës së Brigadës së 29-të të Mbrojtjes së Këmbësorisë, Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Hawaii ku menjëherë pas ceremonisë do të mbahet një konferencë shtypi. (Camp Bondsteel, ora 9:00)

- Klinika e Kirurgjisë Vaskulare, në bashkëpunim me Katedrën e Kirurgjisë dhe Fakultetin e Mjekësisë mbajnë mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së Prof.dr. Gazmend Shaqiri. (Amfiteatri i Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, ora 9:00)

- Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës do të mbajë dëgjim publik për Projektligjin e Punës. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit të Auditimit të Kompanisë Regjionale 'KRU Prishtina', të Ndërmarrjes Publike ,,Posta e Kosovës", etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion prej 56 studentësh të programit Akademia Verore, nga 28 shtete të ndryshme. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00)

- Grupi i Aktivisteve protestojnë para policisë në Fushë Kosovë për të mos lejuar që përdhunimet e vrasjet të fshihen brenda mureve të Policise dhe Prokurorise që sipas tyre më së paku i mbrojnë. (Marrshimi nis nga lagja Meshari te pazari për të vazhduar drejt stacionit policor në Fushë Kosovë, ora 14:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 15:00)
 
- Matt Taylor, regjisor i “Rick & Morty Exquisite Corpse”, prezanton filmat e animuar në kuadër të Festivalit Ndërkombëtarë të Filmit të Animuar - Anibar. (Kinema “Jusuf Gërvalla” në Pejë, ora 14:00)

- Në kuadër të aktiviteteve "Ditët e Diasporës 2019" në përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në Deçan behët hapja e Panairit Verorë 2019. (Qendra e qytetit të Deçanit, ora 16:00)
 
- Fondacioni Lumbardhi prezanton ekspozitën 'Kino e artistit' Vladimir Miladinović. (Kinema Lumbardhi, ora 19:30)

- Fondacioni Lumbardhi organizon koncertin e këngëtares kroate te pop dhe jazz, Vesna Pisaroviç Quartet: "The Great Yugoslav Songbook". (Kinema Lumbardhi, ora 21:00)