30 Maj 2020

BE propozon 100 miliardë euro për të shpëtuar vendet e punës

Bruksel, 3 prill - Komisioni Evropian propozoi një paketë të re financiare për të kontribuar në rimbursimin e pagave të punonjësve për kompanitë që po luftojnë me efektet ekonomike të pandemisë së koronavirusit.

Skema e quajtur SURE do të siguronte gjithsej 100 miliardë euro kredi për vendet anëtare të BE-së për të parandaluar që miliona njerëz të humbin vendet e tyre të punës.

Bazuar në idenë e sistemit gjerman «Kurzarbeit» (orar i shkurtuar i punës), punëtorët do të punonin me orare të reduktuara për shkak të ndryshimit të mjedisit ekonomik, por ende do të mund të merrnin paga të plota, ndërkohë që diferenca rimbursohet nga sistemi kombëtar i sigurimeve shoqërore.

Sipas propozimit, Komisioni Evropian (KE) do të merrte hua në tregjet financiare ndërkombëtare dhe do t'ua huazonte vendeve anëtare.

Për dallim nga fondi i investimeve prej 27 miliardë eurosh për t’u përdorur gjatë pandemisë së koronavirusit, që kanalizon një shumë të paravendosur për secilin shtet anëtar, nisma e re për vendet e punës nuk zbaton kuota për shtetet.

Shtetet mund të aplikojnë, ndërsa Komisioni Evropian do të vendosë për masën e ndihmës financiare.

BE-së i duhet një garanci prej 25 miliardë eurosh nga të gjitha vendet anëtare për kredinë. Kontributet për kolateralin do të bazohen në madhësinë dhe pasurinë e vendit.

Javën e kaluar, vendet anëtare të BE-së u përplasën rreth idesë së ngjashme për lëshimin e eurobonove për të financuar garancinë për vendet në nevojë.

Është e pasigurt nëse vendet si Gjermania ose Holanda, që tradicionalisht kanë kundërshtuar bashkimin e borxhit, do ta miratonin apo jo propozimin e fundit të Komisionit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 Maj 2020

- Instituti Demokratik i Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media ku do të shpalosen gjetjet preliminare nga monitorimi i aktiviteteve të prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë. (Hotel Sirius, ora 11:00)

 

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media. (Zyret e qendrore të Vetëvendosje, ora 17:00)