04 Gusht 2020

BB do të vazhdojë të mbajë në nivel të lartë bashkëpunimin me BQK-në

Prishtinë, 7 korrik - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti ka zhvilluar takim virtual me drejtorin e ri të Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut z. Massimiliano Paolucci.

Me këtë rast Guvernatori Mehmeti uroi z. Paolucci për pozitën dhe i uroi sukses në rolin e ri si drejtor i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Guvernatori Mehmeti e informoi z. Paolucci lidhur me masat që BQK-ja ka ndërmarrë gjatë kohës së pandemisë, si dhe e informoi lidhur me zhvillimet në sektorin financiar në Kosovë.

Guvernatori Mehmeti njoftoi ekipin e Bankës Botërore për performancën e mirë të  sektorit financiar në Kosovë, e në veçanti atij bankar dhe potencoi rëndësinë e këtij sektori në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit.

Guvernatori Mehmeti po ashtu shpalosi pikëpamjet e Bankës Qendrore lidhur me perspektiven e zhvillimit ekonomik në përgjithësi dhe rolin e sektorit financiar si kontribuues kyç në financimin e ekonomisë, në veçanti.

Guvernatori Mehmeti falënderoi Bankën Botërore për ndihmën dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe shprehu gatishmërinë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje.

Nga ana tjetër, drejtori i ri i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci theksoi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të mbajë në nivel të lartë bashkëpunimin me BQK-në, në realizimin e projekteve që për qëllim kryesor kanë zhvillimin e vazhdueshëm të sektorit financiar dhe të ekonomisë së Kosovës në përgjithësi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Gusht 2020

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raportin vjetor të Akademisë së Drejtësisë, Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. (Salla e seancave plenare, ora 9:00)

 

- Riccardo Serri, Ushtrues i Detyrës së Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë do të dorëzojë 30 Ventilatorë të ICU, 200 Pulse Oximeters dhe 20 makina elektrokardiografike Ministrisë së Shëndetësisë në mbështetje të sistemit shëndetësor. (Live stream on facebook.com/EuropeanUnionInKosovo, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së Prizrenit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

-  Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e auditimit për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Mbahet takimi konsultativ rreth procesit për përgatitjen e programit të reformave në ekonomi 2021 - 2023. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P 38, ora 13:30)