27 Janar 2023

Arbitrazhi ndërkombëtar njohu vendimin e drejtë të BQK-së

Prishtinë, 19 nëntor - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se fitorja e procesit të arbitrazhit ndërkombëtar ndaj institucionit financiar Iute Credit, ka vërtetuar se BQK-ja ka qenë dhe mbetet e sigurt në ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e vendimeve, në raport me këtë institucion dhe të gjitha vendimeve të nxjerra nga organet ekzekutive të saj.

Në konferencën për media, Guvernatori Mehmeti shpalosi historikun nga regjistrimi i këtij institucioni mikrofinanciar më datë 27 tetor 2017 e deri në vendimin e marrë nga Bordi i BQK-së për revokimin e licencës dhe inicim të procedurave të likuidimit.

Me këtë rast Guvernatori Mehmeti ka thënë se përmes politikës së saj të licencimit, BQK-ja në vazhdimësi synon që të ofrojë kushte sa më të mira për qasje në financa në Kosovë, duke mundësuar operimin në tregun tonë financiar vetëm të institucioneve, të cilat i kontribuojnë stabilitetit dhe zhvillimit të sistemit financiar,  rrjedhimisht edhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

“Gjatë periudhës së operimit të Iute Credit në Kosovë, ky institucion në vazhdimësi ka devijuar nga plani i biznesit, në bazë  të të cilit kishte marrë licencën për të operuar, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishte premtuar. Konform detyrave dhe përgjegjësive lidhur me mbikëqyrjen e institucioneve financiare, BQK-ja ka kryer dy ekzaminime të fokusuara në këtë institucion mbi pajtueshmërinë e tij lidhur me operimin krahas planit të biznesit të aprovuar me rastin e regjistrimit nga BQK."

"Ekzaminimet e BQK-së kishin evidentuar një varg shkeljesh të mëdha dhe se normat e interesit që kishte aplikuar ky institucion janë jashtë çdo standardi, qoftë nëse i krahasojmë me vetë projeksionet e këtij institucioni, qoftë në raport me normat e interesit në kredi, që aplikohen nga institucionet tjera financiare në vend. Ky devijim ishte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe se, me veprimtarinë e tij kishte rrezikuar aftësinë paguese të huamarrësve dhe me këtë ka paraqitur rrezik edhe për stabilitetin financiar të vendit”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Bazuar në shkeljet e evidentuara nga ekzaminimet e njëpasnjëshme, Bordi Ekzekutiv i BQK-së, me 6 dhjetor 2019 bazuar në kompetencat që i garanton neni 36 paragrafi 1, nën paragrafët 1.11 dhe 1.12, si dhe neni 67 paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe në pajtim me nenin 105, paragrafi 1, nën paragrafi 1.10 të Ligjit për Bankat, Institucionet Financiare dhe Institucionet Financiare Jobankare, kishte vendosur që të revokojë regjistrimin dhe të iniciojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar “Iute Credit Kosovo” Sh. A.

Ai ka thënë se BQK-ja ka qenë dhe mbetet e sigurt në ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e vendimeve, në raport me këtë institucion dhe të gjitha vendimeve të nxjerra nga organet ekzekutive të saj.

Institucioni në fjalë, konform të drejtës së tyre ligjore, kishte iniciuar padi në Arbitrazhin Ndërkombëtar, për të kontestuar ligjshmërinë e vendimit të Bordit Ekzekutiv të BQK-së.

“BQK falënderon Qeverinë e Republikës së Kosovës për inicimin e ndarjes së mjeteve monetare për mbrojtjen e Republikës së Kosovës në arbitrazh. BQK po ashtu falënderon Ministrinë e Drejtësisë dhe Avokaturën e Shtetit për vendosjen e kontaktit të drejtpërdrejtë ndërmjet BQK-së dhe firmës mbrojtëse për Republikën e Kosovës. Që në fillim, kam vendosur ish zëvendësguvernatorin Sokol Havolli si bartës të këtij procesi, i cili në bashkëpunim me vartësit e tij, kanë realizuar me sukses çdo fazë në mbrojtje të Republikës së Kosovës, duke qenë edhe dëshmitari kyç në arbitrazh. Gjithashtu, shfrytëzoj rastin të përgëzoj edhe të gjithë punonjësit tjerë në BQK të cilët përgjatë gjithë procesit të punës dhe mbrojtjes kanë qenë në krye të detyrës. Besimi ynë në profesionalizmin e punonjësve në BQK nuk është luhatur asnjëherë."

 Si rrjedhojë e gjithë këtij angazhimi dhe procesi profesional nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, kemi arritur që të kemi një epilog 100% në favor të vendit. Si bartës i të gjitha përgjegjësive brenda institucionit që drejtoj, ndjehem i lumtur me këtë rezultat dhe me të gjitha rezultatet e arritura përgjatë viteve. Po aq e rëndësishme sa edhe rezultati, është edhe fakti se kostot e asociuara me këtë proces do të barten nga pala paditëse. Ndjej krenari të veçantë që kam arritur përgjatë gjithë kësaj kohe, në bashkëpunim me të gjithë kolegët në BQK, të mbrojë shtetin, qytetarin, institucionin dhe stabilitetin financiar. Në kohë të ndryshme, jemi ballafaquar me sfida dhe sulme të orkestruara si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, të cilat kanë pasur qëllim të dëmtojnë proceset e BQK por edhe reputacionin tim, reputacionin e BQK-së dhe të Republikës së Kosovës. Në disa raste më kanë bërë të ndjehem keq. Por asnjëherë nuk jam ndjerë se nuk po zbatoj ligjin”.  

Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të krijojë kushte për rritjen e konkurrencës së shëndoshë në tregun tonë financiar, duke mundësuar një konkurrencë të drejtë ndërmjet institucioneve financiare të cilat sigurojnë rritje të qasjes në financa dhe përmirësim të kushteve, por nuk do të lejojë asnjëherë operimin e atyre institucioneve të cilat nuk zbatojnë kërkesat rregullative dhe ligjore të vendit dhe të cilat shfrytëzojnë kushtet e vështira financiare në të cilat mund të gjendet një pjesë e qytetarëve tonë, duke sjellë shërbime të cilat i varfërojnë dhe e vështirojnë edhe më tepër jetën e tyre.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2023

 - Mbahet dita e dytë e konferencës Ndërkombëtare për Siguri Siguri Kinernetike “Cyber Zero” në të cilën diskutohet sulmet online dhe kërcenimet në sigurinë kibernetike. (Klan Arena, ora 9:00)
    
- Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me vendimin për lirimin nga obligimi për rentën minerare për ndërmarrjen “Ferronikeli”. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione takohet me përfaqësues të OJQ-së “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve”. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)
    
- Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, raporton në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora 13:30)
    
- Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 42 të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Merr pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu etj. (Ndërtesa e re e Fakultetit të Sigurisë Publike në AKSP, Vushtrri, ora 13:30)
    
- Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan do të nderojë me çmimin “Doctor Honoris Causa” anëtarin e Parlamentit Evropian, Lukas Mandl. (Teatri i Qytetit, Gjilan, ora 15:00)