01 Maj 2024

Aprovohet raporti financiar për ekzekutimin e buxhetit prej 2,204 milionë euro

Prishtinë, 4 shkurt - E drejtuar nga Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, është mbajtur mbledhje elektronike, mbledhja e 61-të me radhë e Qeverisë, në të cilën janë miratuar vendime dhe dokumente nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë.

Pas shqyrtimit është aprovuar Raportit preliminar financiar për ekzekutimin e buxhetit dhe bilancin e fondeve për vitin 2020.

Sipas Raportit pranimet gjatë vitit 2020 kapin shumën prej 2,204.68 milionë euro, që janë 85% të pranimeve vjetore të planifikuara dhe në krahasim me vitin paraprak ka një ulje prej 1%.

Ndërsa pagesat gjatë këtij viti kanë qenë 2,329.87 milionë euro dhe paraqesin 83% të pagesave të planifikuara, ndërsa në krahasim me vitin paraprak shënojnë një rritje prej 8%.

Qeveria ka miratuar një vendim për ndarjen e mjeteve financiare për rindërtimin e Kalasë së Ulqinit, pas dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në Mal të Zi. Sipas vendimit janë ndarë mjete financiare në shumë prej 10,000 (dhjetë mijë) euro.

Kabineti qeveritar ka ndarë gjithashtu mjete financiare në vlerë prej dyqind mijë euro (200,000,00 €), për sanimin e dëmeve nga vërshimet në Komunën e Bujanocit.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin për emërimin e Komisionit  Përzgjedhës  për rekomandimin e  kandidatëve për anëtar në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit në këtë përbërje: Izedin Bytyqi, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, kryesues; Iber Alaj, u.d. Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, anëtar; Besim Kamberaj, u.d. Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, anëtar; Kujtim Gashi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Shoqëri të Informacionit, anëtar dhe Lulzim Ejupi, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, anëtar.

Pas shqyrtimit është aprovuar edhe vendimi për aprovimin e ndryshimeve në Tabelat 3.1, 3.2, 4.1 dhe 4.2 të Ligjit Nr. 07/L-041 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, për përmbushjen e obligimeve të pakryera financiare nga viti paraprak për projekte kapitale shumëvjeçare në bazë të paragrafit 2 të nenit 9 të këtij Ligji.

Vendimi obligon komunat dhe ministritë e ndikuara nga ky vendim, për zbatim të tij. Vendimi do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për informim.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 06/58, të datës 14.01.2021. Sipas vendimit ndryshohet dhe plotësohet nën-paragrafi 1.7. (MASA 7) i Vendimit të Qeverisë Nr. 06/58, të datës 14 janar 2021, ashtu që riformulohet si në vijim: “Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në nën-programin Departamenti i Politikave Bujqësore, do të ndahen mjete në shumë prej 12,000,000 € (dymbëdhjetë milionë euro) sipas kritereve dhe procedurave të Programit për Pagesa Direkte për vitin 2020”.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme është ndryshuar dhe plotësuar edhe  Vendimi i Qeverisë Nr. 01/37 i datës 24.10.2020 për emërimin e Bordit të Përkohshëm të N. P. “Korporata Elektroenergjetike e Kosovës – KEK” Sh. A.

Sipas këtij ndryshimi dhe plotësimi z. Muhamet Lama është emëruar anëtar në Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve në këtë ndërmarrje publike, deri në përzgjedhjen e Bordit me mandat të plotë.

Në mbledhje është miratuar vendimi për autorizimin e Klinikës së  Ortopedisë në SHSKUK që në koordinim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe me Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, të bëjë furnizimin dhe rregullimin e protezave dhe ofrimin e shërbimeve të tjera që ndërlidhen me çështjen e protezave për nevoja të invalidëve të luftës së UÇK-së. Të gjitha shpenzimet për realizimin e këtyre shërbimeve do të mbulohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Pas shqyrtimit nga kabineti qeveritar është miratuar edhe vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme, e cila preket nga Restaurimi dhe Konservimi i Objektit ‘’Shtabi i UÇK-së në Kosterc’’ në Komunën e Skenderajt.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme vendimin për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e trembëdhjetë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Për punën e Këshillit Organizativ për shënimin e trembëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës ndahen mjete financiare në vlerë prej 70. 000 (shtatëdhjetëmijë) euro.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)