27 Prill 2024

Vlerësohet lartë mbështetja e SHBA-ve për bujqësinë e Kosovës

Prishtinë, 18 tetor - Në takimet e djeshme të delegacionit të MBPZHR-së të kryesuar nga ministri Stavileci, me drejtoreshën e zyrës për çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore të departamentit të shtetit të SHBA-ve, Jennifer Brush dhe me zv.koordinatoren, Sandra Klark, u vlerësua lartë mbështetja e deritanishme e realizuar nëpërmjet fondeve të USAID-it në Kosovë.

Në këtë takim, delegacioni kosovar ka prezantuar gjendjen aktuale, sfidat zhvillimore të sektorit të bujqësisë dhe prioritetet për vitin 2012, si dhe është diskutuar për fokusin e mbështetjes së USAID-it gjatë viteve të ardhshme.

Në po të njëjtën ditë, delegacioni i MBPZHR-së ka mbajtur takime edhe me Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore, Konstantin Huber, me koordinatoren e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, Jane Armitage, me drejtoreshën e ardhshme të USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket dhe me zyrtarin e lartë të Qendrës për Marrëdhënie Transatlantike në Universitetin “John Hopkins”, Daniel Serwer.

Në takimin me përfaqësuesit e Bankës Botërore është diskutuar për kredinë e aprovuar në vlerë prej 20.15 milionë dollarësh nga Banka Botërore për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë, si dhe për situatën aktuale ekonomike, me theks të veçantë në sektorin e bujqësisë.

Qëllimi kryesor i këtij projekti zhvillimor, për të cilin Banka Botërore ka aprovuar kredinë është t’ju ndihmojë fermerëve dhe agropërpunuesve të Kosovës të rrisin prodhimtarinë dhe të nxisin konkurrencën në nënsektorët e blegtorisë dhe hortikulturës nëpërmjet zbatimit të masave të zgjedhura nga Plani për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2007-13.

Ndërsa, në takimin me drejtoreshën e ardhshme të USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket, delegacioni i MBPZHR-së ka diskutuar për programin mbështetës të planifikuar për vitin 2012, për realizimin e programit për kreditë bujqësore në Kosovë, bashkëfinancimin e qendrave grumbulluese për produktet bujqësore dhe për avancimin e shërbimeve këshillimore.

Ministri Stavileci dhe delegacioni i MBPZHR-së gjatë këtyre ditëve do të takohen edhe me zyrtarë të tjerë shtetëror të SHBA-ve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)