02 Dhjetor 2020

U mbajt manifestimi "Dita e Patates" në Vushtrri

Prishtinë, 1 tetor - Nën organizimin e Ministrisë së Bujqësisë, Kuvendit Komunal të Vushtrrisë dhe kompanisë “Pestova”, sot u mbajt manifestimi tradicional “Dita e Patates”, e cila organizohet çdo vit në kohën e nxjerrjes së patateve. Ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Blerand Stavileci, tha se patatja është një produkt që në Kosovë ka kapacitet të kultivohet dhe do të ndihmohen edhe në të ardhmen kultivuesit e kësaj kulture.

“Gjatë gjithë kohës jam munduar të nxjerri në pah shembuj të mirë të punës dhe të jap modele frymëzuese për sektorin nga fermerët dhe bizneset, të cilat me punën e tyre të palodhshme, me dijen, njohuritë dhe përdorimin e teknologjive të reja kanë treguar suksese të dukshme, duke e rritur sasinë, cilësinë, si dhe duke i zgjeruar tregjet dhe hapur perspektiva të reja në çdo vit për sektorin”, tha ministri Stavileci.

Ai tha se nëse të gjithë i ndjekim këto praktika dhe modele, nëse jemi afër njëri-tjetrit për t’i kuptuar problemet dhe nëse secili prej aktorëve që janë protagonistë në zhvillimin e sektorit e kryejnë punën e vet në mënyrën më të mirë të mundshme, atëherë shkallët tona për t’u ngjitur në përpjetën zhvillimore të bujqësisë do të jenë më lehtë të kalueshme, përfundoi ministri.

Ndërkaq, pronari i kompanisë “Pestova”, Bedri Kasumi, tha se puna e palodhshme e shumë fermerëve që merren me kultivimin e patates ka dhënë rezultatet e veta, ngase Kosova tash e disa vite i plotëson nevojat e veta për konsum dhe është eksportuese e kësaj kulture.

“Tashmë besoj se të gjithë e dimë se pas shpalljes së pavarësisë, vendi fqinjë Serbia është duke i bojkotuar të gjitha produktet kosovare dhe nuk po lejon të kalojnë as tranzit nëpër territorin e saj. Moslejimi i kalimit transit nëpër Serbi ka sjellë pasoja të mëdha, sepse ne jo vetëm që e kemi humb tregun e Serbisë, por edhe atë të Rumanisë dhe Kroacisë, të cilat për ne nuk janë tregje të panjohura ngaqë kemi qenë prezent 2-3 vite”, tha ai.

I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe ministri i MEF-it, Ahmet Shala, i cili ndër të tjera tha se bujqësia do të gjendet në top agjendën e MEF-it dhe Qeverisë së Kosovës në të ardhmen e afërt. “Pas realizimit të objektivave tona prioritare si, infrastruktura, energjia dhe arsimi, do të fokusohemi në bujqësi dhe nuk do të mbetet asnjë ide dhe iniciativë pa u mbështetur”, tha Shala.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Dhjetor 2020

- Sindikata e Infermierëve të Kosovës do të zhvilloj një takim me Minsitrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj lidhur me kërkesat për rritje të pagesës së ndërrimeve të natës për infermier, pagesë të orëve shtesë dhe punës gjatë vikendeve si dhe për pagesë të rrezikshmerisë në punë. (Ndërtesa e Ministrisë, ora 8:30)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë cakton datat e intervistave për dëshmitarë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë Komunale e Arsimit, Xhemile Thaçi - Vezgishi, do të marrin pjesë në përurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e aneksit të objektit shkollor “Naim Frashëri” në fshatin Vlashnje. (Vlashnje, ora 10:00 - Nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:30)

- Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës do të mbajë seancë dëgjimore publike në të cilën do të shqyrtohet kërkesa KO95/20, që për objekt të shqyrtimit ka: “Vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr.  07/V-15, të miratuar më 3 qershor 2020, përkitazi me zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës”. (http://gjk-ks.org/live-streaming/, ora 10:00)

- Lëvizja FOL organizon diskutim online ku do të publikohet raporti “Dështimet e Kuvendit në Funksionalizimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi”. (Diskutimi mbahet online përmes platformës ZOOM, ora 10:00)

- Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrton raportin vjetor financiar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionit për Ndihmë Shtetërore si dhe Raportit të Ndihmës Shtetërore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Me rastin e 76 vjetorit të lindjes së ish-Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, kryesia e LDK-së bën homazhe te varri i tij. (Velani, ora 10:30)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim publikon raportin "Integriteti akademik, publikimi shkencor dhe justifikimi i titujve akademikë në Universitetin e Gjakovës". (Zyra e ORCA-s afër Librarisë Buzuku, ora 11:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Kompleksit Memorial ‘’Dr. Ibrahim Rugova’’. (Istog, ora 12:00)

- Baleti Kombëtar i Kosovës mban konferencë për media me rastin e Premierës së shfaqjes “Sisters”. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 13:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban konferencë për media në të cilen do të flasë shefi i Grupit Parlamentar, njëkohësisht, anëtari i Kryesisë, Bedri Hamza. (Zyret e Selisë Qendrore, ora 13:30)  

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës interviston drejtoreshën e Barnatores Qëndrore në SHSKUK-së, Gezime Pllana. (Ndertesa e Kuvendit, salla N303, ora 14:00)

- Mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëfinancimit në lidhje me “Thirrjen publike për subvencionim të NMVM-ve me pronësi të grave ndërmarrëse”, ku prezent do të jetë edhe ministri Vesel Krasniqi. (objekti i MTI-së, ora 14:00)

- Me rastin e fushatës "16 ditë aktivizëm për dhunën ndaj gruas", në bashkëpunim me UNDP-në do të bëhet ndriçimi i Shtëpisë së Bardhë ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka dhe përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko. (Shtëpia e Bardhë në Pirzren, ora 16:00)