06 Tetor 2022

Qeveria në gjendje gatishmërie që t'u përgjigjet kërkesave të qytetarëve

Prishtinë, 17 shtator - Qeveria e Republikës së Kosovës, me vëmendje po e përcjellë situatën në terren pas reshjeve të shumta të shiut. Për këtë kemi ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit koordinues dhe reagues, me qëllim të reagimit ndaj situatës së krijuar nga të reshurat.

Ministri i Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçla, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Elbert Krasniqi, dhe Zëvendësministri i Ministrisë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z.Imri Demelezi, bashkë me kryetarët e komunave dhe zyrtarë të institucioneve përgjegjëse po vizitojnë komunat e prekura, për të parë gjendjen dhe për të koordinuar veprimet për ofrimin e mbështetjes së nevojshme.

Niveli qendror është në gjendje gatishmërie që t'u përgjigjet kërkesave të qytetarëve.

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe ka përcjellur njoftimin për ngritje të nivelit të gatishmërisë dhe bashkë po e monitorojnë gjendjen. AME është duke e përcjellur gjendjen në vazhdimësi dhe është e gatshme për reagim me Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Komuna.

Vërshimet kanë prekur disa fshatra të Gjakovës dhe Rahovecit dhe lagjet në qytetin e Gjakovës. Më e rënduar ka qenë gjendja në lagjet “Shote Galica”, “ Yllka Domi”, “Dergut Vokshi”, “Permet Vula"  dhe disa lagje tjera në qytetin e Gjakovës.

Ministria e Punëve të Brendshme/Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka ofruar kontributin me zjarrfikës të cilët janë angazhuar në evakuim në lagjen “Shote Galica” dhe në lagjet tjera.

Është ngritur niveli i gatishmërisë dhe nga Prishtina është nisur një njësi me pompa për tërheqje të ujit me kapacitet të madh.

Një njësi e kërkim shpëtimit të AME-së është në gatishmëri, nëse duhet të shkojë për mbështetje, por aktualisht nuk ka nevojë për një veprim të tillë.

Policia e Kosovës gjatë tërë kohës po qëndron pranë qytetarëve në këto komuna.

Qytetarët mund ta bëjnë informimin në Qendrën Operative Emergjente, përmes numrit unik (të integruar) emergjent – 112 (këtë numër emergjent – 112 mund ta thirrni dhe merrni, pa prefiks, nga cilido vend në Republikën e Kosovës).

Gjithashtu mund të thirrin edhe në këta numra:

• Njësinë më të afërt Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, në numrin e telefonit 193,

• Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192,

• Ndihmën e shpejtë , në numër të telefonit 194.​



Kalendari

Ngjarjet e datës 6 tetor 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raporti me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Byroja Kosovare e Sigurimit shënon 11 vjetorin e themelimit. (Hotel Venus, ora 9:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe UNDP Kosova do të organizojnë  fillimi e fushatës për ndërgjegjësimin e publikut  “Festo me zemër, jo me armë” që synon ngritjen e vetëdijes për rrezikun e posedimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KEK-ut, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Oda Amerikane po organizon tryezën e rrumbullakët me titullin "Ndërtimi i partneritetit për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve në Kosovë", për të diskutuar lidhur me këtë temë dhe sfidat e tjera në fushën e kujdesit shëndetësor, me ekspertë eminentë nga Kroacia. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës interviston Jeton Mehmetin Kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjime publike përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ora 10:00)

- Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të mbajë konferencë për media me temë 'Masat për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët'. (Ministria e Ekonomisë, salla e takimeve, ora 11:00)

- Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës raporton para Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal lidhur me punën 6 mujore të vitit 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 12:00)

- Me rastin e vdekjes së ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Deli Lekaj, Komuna e Deçanit organizon mbledhjen komemorative. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 13:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KOSTT-it, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:00)