27 Prill 2024

Mustafa shprehu përkrahjen e Qeverisë për Fermerët Kosovarë të Qumështit

Prishtinë, 8 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në themelimin e Shoqatës “Fermerët Kosovarë të Qumështit”.

Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe deputetët Muhamet Mustafa dhe Rrustem Berisha, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë për të përkrahur këtë shoqatë në realizimin e synimeve të tyre.

“Unë e di që keni shumë kërkesa të arsyeshme. Ballafaqoheni po ashtu me mjaft shumë probleme, disa prej të cilave ne mund t’i zgjidhim si Qeveri dhe ju garantoj se do t’ju përkrahim dhe t’i zgjidhim.\"

\"E kërkojnë po ashtu edhe deklarimet dhe kërkesat tuaja që bashkërisht të ulemi dhe të shohim se çfarë Qeveria mund të bëjë, në mënyrë që prodhuesve tanë të qumështit t’ju krijojmë kushte shumë më të mira sesa që i kanë, sepse ne jemi të interesuar të kemi prodhim vendor, të mbulojmë tregun me prodhim vendor dhe atë prodhim burimor ashtu siç e përfaqësoni sot ju këtu. Unë ju garantoj se do të bëjmë çfarë mund të bëjmë dhe do të mundohemi që maksimalisht t’ju përkrahim”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa me këtë rast iu ka uruar atyre suksese jo vetëm në tregun vendor por edhe evropian.

“Uroj suksese dhe dëshiroj që të arrini jo vetëm të mbuloni tregun tonë por edhe të depërtoni në tregun regjional dhe tregun evropian”, tha kryeministri.

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi i ftoi fermerët që së bashku të gjejnë zgjidhje në avancimin e kësaj ekonomie.

“Ju ftoj që kjo ekonomi të avancohet edhe më shumë në mënyrë që prodhimet tuaja të jenë sa më masovike dhe sa më kualitative, duke i plotësuar kërkesat e grumbulluesve dhe prodhuesve tjerë të qumështit që bazojnë produktet e tyre në qumësht”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami e quajti të rëndësishëm krijimin e shoqatës, si një vend për të artikuluar në mënyrën më të mirë sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen qumështarët.

“Besoj se ne si kabinet qeveritar, duke nisur nga kryeministri Mustafa, ajo që na ka karakterizuar gjatë gjithë bashkësundimeve që i kemi pas qoftë me fermerët qoftë me komunitetin e biznesit, është që kur ju keni thënë se kemi probleme, ne e kemi pranuar që ju keni probleme dhe kemi ofruar që ato t’i zgjidhim së bashku, andaj njëjtë do të veprojmë edhe me shoqatën e juaj”, tha ministrja Bajrami.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Fermerëve, Besim Kuqi, e quajti këtë ditë të madhe për fermerët dhe sektorin e qumështit në Kosovë, sepse për herë të parë interesat e fermerëve do të mbrohen dhe artikulohen nga vetë fermerët. 

“Krijimi i shoqatës së re, erdhi si nevojë për të përfaqësuar  në mënyrë dinjitoze kërkesat dhe nevojat e fermerëve të qumështit. Ne duam të kemi një treg, ku çmimi minimal të jetë i garantuar. Shpresojmë që me bashkëpunim dhe mirëkuptim të arrijmë tek zgjidhjet e problemeve, të cilat po e rëndojnë këtë sektor”, tha Kuqi.

Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, theksoi përkrahjen që duhet t’u jepet fermerëve, duke thënë se ata janë të rëndësishëm për ekonominë dhe mirëqenien e familjeve.

Ramadan Memaj, nga Shoqata e Qumështoreve të Kosovës, tha se më shumë se kurrë më parë fermerët kanë nevojë që zëri i tyre të dëgjohet.

“Anëtarësimi kaq i madh dhe kaq i shpejtë në Shoqatën e re, tregon për një vetëdije të re në mesin e fermerëve dhe kjo sigurisht se do të thotë një besim shumë i madh për ju dhe për ne si industri e përpunimit të qumështit në përgjithësi”, tha Memaj.

Vllaznim Osmani, në emër të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, theksoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e Klubit për Shoqatën e Fermerëve.

Në fund, kryeministri Isa Mustafa mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës dhe Shoqatës së re të Fermerëve Kosovarë të Qumështit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)