01 Dhjetor 2020

Ministria e Bujqësisë edhe këtë vit do t’i subvencionojë bujqit

Prishtinë, 7 mars - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) sivjet ka planifikuar t’i rrisë masat subvencionuese për bujqit, por se sa do të jenë ato, do të dihet vetëm pas miratimit të buxhetit.

Zyrtari për Informim në MBPZHR, Adil Behramaj, ka theksuar se buxheti i MBPZHR-së tani është mbi 11 milionë dhe do të vazhdojë të rritet edhe në të ardhmen.

“Bujqësia mund të zhvillohet shumë shpejt, mirëpo fillimisht duhet të krijohen parakushtet që i sigurojnë qëndrueshmëri zhvillimit të saj, duhet të hapën korridore dhe të gjenden tregje të reja, duhet të krijohen ura lidhëse me rajonin”, ka theksuar ai, duke shtuar se ky sektor është mjaft tërheqës edhe për investitorët dhe komunitetin e donatorëve.

Sipas tij, në kuadër të përkrahjes financiare për sektorët kyçë të bujqësisë, do të vazhdohet subvencionimi i sektorit të drithërave dhe qumështit, si dhe me grande investive për ristrukturimin e potencialit fizik të fermave dhe me përkrahjen e projekteve të Grupeve Lokale të Veprimit (GLV).

“Sa i përket përkrahjes financiare nga donatorët për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, këtë vit do të implementohet projekti i Bankës Botërore në shumën e planifikuar prej 10 milionë eurosh, pastaj Komisioni Evropian do të vazhdojë edhe një projekt tjetër për përmirësimin e përpunimit dhe marketingut bujqësor në shumën prej pesë milionë eurosh etj”, ka bërë me dije ai.

Për më shumë, përveç përkrahjes nëpërmjet subvencioneve dhe grandeve investuese, Behramaj ka deklaruar se MBPZHR-ja do të vazhdojë ta mbështesë sektorin bujqësor edhe me investime kapitale dhe shërbime profesionale. “Në kuadër të adaptimit të politikave fiskale pritet të vazhdohet krijimi i lehtësirave të reja fiskale edhe për disa inpute dhe pajisje bujqësore, si dhe pritet të bëhet përshkallëzimi i TVSH-së për prodhuesit vendorë të cilët e furnizojnë industrinë përpunuese dhe tregun. Shumica e inputeve dhe mekanizmave bujqësorë janë të liruar nga TVSH-ja dhe tarifat doganore”, ka potencuar ai.

Behramaj ka shtuar se MBPZHR-ja aktualisht është duke e implementuar projektin e subvencionimit të mbjelljeve vjeshtore. “Tanimë komisionet janë në procesin e shqyrtimit të aplikacioneve dhe hartimit të listës së përfituesve potencialë, që do të verifikohen nga komisioni kontrollues”, ka deklaruar ai.

Edhe bujku Ilaz Krasniqi nga rrethi i Ferizajt ka theksuar se duhet të ketë më shumë subvencionim, pasi në të kundërtën nuk do të mund t’i mbjellin tokat. “Ne si bujq kërkojmë të përkrahemi me subvencione, pasi është në të mirë të shtetit dhe të zhvillimit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Vitet e kaluara Qeveria e Kosovës ka bërë pagesën edhe të derivateve të naftës për 1 200 pronarët e kombajnerëve. Deri tani Kosova i ka plotësuar kërkesat për grurë vetëm 53 për qind. Shtetet e rajonit buxhetin e bujqësisë e kanë mbi 1.5 për qind, kurse buxheti i Bashkimit Evropian për bujqësinë shkon deri mbi 10 për qind.

 

/Gazeta Epoka e Re/

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Dhjetor 2020 - Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë në të cilën do të behët plotësimi i listës së dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)

- Drejtorit të AKI-së raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë lidhur me gjendjen e sigurisë në vend. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 9:30)

- Campus France, Ambasada Frnceze në Kosovë, Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Universiteti i Prishtinës organizojnë Panairin e tretë Universitar Francez në Kosovë. (online -https://tourneebalkanskosovo.com, ora 10:00)

- Mbahet edicioni i 5-të virtual i Green Business Expo. (Businessexpo.greenkosovo.com, ora 10:30)

- Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2019, për Ministrinë e Shëndetësisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike diskuton lidhur me rekomandimet e dala nga “Raporti për vendin për vitin 2020, i Komisionit Evropian” me të ftuar ministrat dhe përfaqësuesit e agjencive të pavarura. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtorin e Departamentit të mjedisit dhe ujërave Muhamet Malësiu dhe drejtorin e Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, Gani Berisha lidhur me lejet e lëshuara për operimin e dy hidrocentraleve nga kompania “Kelkos Energy”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 11:00)

- Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëkohësisht, kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, i shoqëruar nga deputetja Eliza Hoxha, mbajnë konferencë për media në të cilën do të flasin për shtatoren e re të Skënderbeut, punën e dobët artistike dhe lokacionin jo adekuat. (Zyret e PDK-së në Prizren, ora 11:00)  

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 13:00)

- Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, do të mbajë konferencë për medie. (Te stacioni i autobusëve urbanë “Katedralja”, ora 13:00)

- Zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë raportojn para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis rreth importimit të vajit të palmës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) mban diskutimin “Rimëkëmbja nga viti 2020: Si të rindërtojmë ekonominë dhe politikat sociale në vitin 2021?”. (Hotel Sirius, ora 17:00)