04 Dhjetor 2020

Ministri Mustafa vizitoi Komunën e Ferizajt

Prishtinë, 30 tetor – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa zhvilloi vizitë pune në Komunën e Ferizajt, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu.

Ministri Mustafa u njoftua nga kryetari Aliu për situatën në komunë, duke venduar theksin në sektorin e bujqësisë. Ministri i MBPZhR-së tha se, përmirësimi i kushteve për fermerët e Ferizajt dhe atyre të tërë Kosovës mbetet fokus i tij si Ministër.

Gjithashtu, gjatë vizitës takoi fermerë të zonës, blegtorë, gjedhtarë, përpunues të qumshtit dhe të frutave të imëta nga të cilët së afërmi u informua mbi situatën e tyre. Ai njoftoi fermerët se, Ministria e Bujqësisë ka vendosur t’i paguajë dy herë subvencionet, që fermerët sa më lehtë ta përballojnë situatën e shkaktuar nga Covid-19.

Pos kësaj, ministri Mustafa tha që, ai dhe ekipi i tij pandërprerë kanë punuar që shpërndarja e subvencioneve të bëhet si duhet. Në këtë aspekt, tha se, sistemi i evaluimit për grante dhe subvencione është përditësuar deri aty sa gjasat për të manipuluar janë të barabarta me zero.

"Kemi punuar ditë e natë që të arrijmë deri në këtë sistem i cili ka krijuar një fushë me kushte të barabarta për secilin fermer", përfundoi ministri Mustafa.

Fermerët mes tjerash falënderuan ministrin Mustafa për përkrahjen e vazhdueshme, sidomos për pagesën e subvencioneve e cila sivjet po bëhet dy herë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Dhjetor 2020 - Mbahet seanca fillestare për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamenti Special - krimet e rënda me c'rast avokati mbrojtës do te jep deklaratë për mediet pas seancës. (Gjykata Themelore në Prishtinë, ora 9:30)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti do të mbaj një takim virtual me presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Alexis Mourre dhe Drejtoreshën e Komisionit të Arbitrazhit për Evropë, Laetitia de Montalivet. (Takim virtual, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Emilja Redzepi, do të bëjnë nënshkrimin e kontratave me përfituesit e thirrjes për përkrahjen e OJQ-ve dhe individëve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:00)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime organizon aktivitetin “Tuneli i Fundit” në përkujtim të grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në pesë vitet e fundit në Kosovë, dita e dytë. (Përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton shkresën e Artan Qerkinit përfaqësues i Malcolm Simmons, ish kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, “Përgjigje në ftesën për të dëshmuar para Komisionit për Legjislacion” si dhe njoftohet me shkresën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Tomas Szunyong, për emërimin e Karin Hernmark Ahliny, Ambasador i Suedisë, anëtar i Bordit  Mbikëqyrës  të Agjencisë Kosovare për Verifikim dhe Krahasim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:15)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës Arban Abrashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit te Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Organizata Etea dhe Aleanca Franceze në Prishtinë me mbështetjen e Ambasadës Franceze do të mbajnë takimin e parë të huazimit të librave. (Tek objekti i Aleancës Franceze, ora 11:00)

- Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) mban konferencë për medie lidhur me një hetim ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e energjisë elektrike. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, ora 11:15)

- Kryetari i Delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë Veljko Odalovic do të mbajnë konferencë për media lidhur me varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. (Lokacioni i varrezës masive në Kizhevak  të Serbisë, ora 12:00)

- Shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarit N. M., i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, për veprën penale “vrasje e rëndë” pasi qe në  fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i pandehuri dyshohet që pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë - shufër metalike, godet bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtoren e Insitutit Hidrometeorologjik të Kosovës Letafete Latifi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë plotëson listën e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mban konferencë për media me rastin e dorëzimit të padisë për konflikt administrativ kundër vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji”. (Para Pallatit të Drejtësisë, ndërtesa A, ora 14:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla pret në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj ku pjesë e takimit do të jenë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. (Objekti i MPJD-së, ora 14:00)