03 Mars 2021

Ministri Mustafa monitoron nga afër mbjelljet pranverore

Prishtinë, 27 mars - Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka vizituar sot kultivuesit e patates në Pestovë, për të parë nga afër të mbjellat pranverore.

“Këto të mbjella pranverore, si patatja, rrisin sasinë dhe cilësinë e ushqimit të prodhuar nga bujqit tonë, nga toka jonë, për familjet tona, prandaj është inkurajuese të shoh bujqit duke punuar tokat e tyre, me kujdes të shtuar duke respektuar udhëzimet e organeve të shëndetit publik” u shpreh ministri Mustafa.

Njëkohësisht, së bashku me Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë z. Xhafer Tahiri, ministri Mustafa vizitoi edhe kompaninë prodhuese dhe përpunuese të patates “Pestova”.

Gjatë kësaj jave ministri Mustafa ka riorganizuar programet mbështetëse të Ministrisë ashtu që, brenda buxhetit të miratuar, të ketë përqendrim tek të mbjellat pranverore që rrisin prodhimin vendor të ushqimeve, duke ofruar mbështetje të plotë bujqve prodhues në kohën e mbjelljeve pranverore, që të mos ketë ngecje në sektorin prodhues dhe përpunues në vend.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Mars 2021 - Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë inauguron projektin “Fuqizimi i autonomisë universitare dhe rritja e llogaridhënies e transparencës së universiteteve të Ballkanit Perëndimor”. (Selia e Kolegjit IBCM, ora 9:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Enis Ramadani për vepren penale 'Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Avokati i Popullit, Naim Qelaj viziton ekspozitën për fëmijët e vrarë gjatë luftës “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”. (Biblioteka “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, lagjja Dardania, ora 10:00)

- Parlamenti i dytë rural shqiptar organizon konferencë për të diskutuar sfidat dhe veprimet konkrete për mirëqenien e banorëve të zonave rurale. (Platforma Zoom, ora 10:00)

- Pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Gjilan, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, mban konferencë për media pas takimit të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19. (Zyra e krytarit Haziri, ora 10:30)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e shpërndarjes së librave të botuar dhe të blerë me financimin e Departamentit të Kulturës në MKRS. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 11:00)