07 Korrik 2020

MBPZhR mbështetë përmes subvencioneve dhe granteve përpunuesit e mishit

Prishtinë, 22 qershor - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa priti në takim kryetarin e Shoqatës së Përpunuesve të Mishit, Naser Rusinovci ku diskutuan për gjendjen e këtij sektori dhe problemet me të cilat ata po përballen.

“Do të vazhdoj të angazhohem që çdo sektor i bujqësisë të ketë përkrahjen tonë, e sidomos sektorët të cilët janë më të ndikuar dhe të prekur nga pandemia COVID-19, ku përfshihet edhe sektori i përpunimit të mishit, në mënyrë që t’i tejkalojnë këto sfida dhe të vazhdojnë të fuqizojnë punën e tyre edhe më tej”, ka thënë ministri Mustafa.

Gjithashtu, ministri Mustafa gjatë vizitave të tij në terren kishte parë nga afër problemet me të cilat po përballen prodhuesit dhe përpunuesit e mishit, ku edhe ka theksuar se do të vazhdojë përkrahja e MBPZhR-së përmes programeve mbështetëse të subvencioneve dhe granteve.

Në anën tjetër, Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Mishit, Naser Rusinovci ka falënderuar ministrin Mustafa për gatishmërinë dhe e ka njoftuar më hollësisht për situatën në të cilën ndodhet ky sektor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 Korrik 2020

- Dr. Basri Sejdiu do të mbajë konferencë për media lidhur me vendimin e Bordit Drejtues për shkarkimin nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK. (QKUK, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë Selim Selimi do të vizitoje Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Komunës së Prishtinës, ora 11:00)

- Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi do të mbaj takim me Ministren e financave, znj. Hikmete Bajrami me të cilën do të bisedoj lidhur me pagesën e pagave të  punëtorëve nga pakoja emergjente, tërheqjen e mjeteve për punëtorë nga fondi i kursimeve si dhe eliminimin e gabimeve teknikeve gjatë  aplikimit për pakon fiskale emergjente. (Kabineti i ministres Bajrami, ora 11:00)

- Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi pas takimit me Ministren e financave, znj. Hikmete Bajrami do të mbaj konferencë për shtyp, ku do të ju njoftojë lidhur me këtë takim. (Zyret e Sindikatës në objektin e ish Gërmisë, ora 11:45)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media në të cilën flet nënkryetari Besnik Bislimi. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 12:00)

- Me hapjen e ekspozitës multimediale në hapësirat e SENSE Qendrës në Pulë, Qendra për Drejtësi Tranzicionale në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë nisin kampanjën me titull: Srebrenica 25: Së bashku kundër virusit të mohimit në ditën kur në vitin 1995 ka rënë Srebrenica. (Transmetim direkt livestream http://srebrenica.sensecentar.org, ora 17:00)

- Komuna e Rahovecit mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Malësi e Vogël dhe Gexhë. (Objekti i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Skender Kastrati” në fshatin Malësi e Vogël, ora 19:00)

- Komuna e Rahovecit mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Ratkoc, Dejnë, Vrajak dhe Bratotin. (Objekti i Shkollës  Fillore të Mesme të Ulët “4 Dëshmorët” në fshatin Ratkoc, ora 20:00)