26 Prill 2024

LDK: Bujqësia në Kosovë në gjendje shumë të vështirë

Prishtinë, 28 shtator - Bujqësia në Kosovës vazhdon të mbeten në gjendje shumë të vështirë, edhe pse ky sektor është një nga më të rëndësishmit në ekonominë e Kosovës. Kjo po vjen si rezultat i keqmenaxhimit të këtij sektori nga ana e qeverisë si dhe trajtimi jo i duhur brenda ndarjeve buxhetore.

Këto vlerësime të LDK-së mbështeten edhe nga shumë raporte të ndryshme, siç është raporti i Bankës Botërore i vitit 2010. Sipas këtij raporti, bujqësia në Kosovë është bërë zgjedha e fundit si aktivitet ekonomik nga ana qe qytetarëve të Kosovës për shkak të mungesës së perspektivës të këtij sektori.


1.    Gjendja e bujqësinë kosovare sot karakterizohet:
a.    Me bujq të dëshpëruar,
b.    me ara të pavjelura nga kulturat e ndryshme bujqësore,
c.    me shumë  qytetarë që lëshojnë fshatrat dhe vijnë e regjistrohen si të papunë në zyrat e punësimit në qytete;
d.    me import enorm të produkteve ushqimore në ndërkohë që kulturat bujqësore mbesin të pavjelura,


2.    Injorimi që ju bëhet fermerëve nga qeveria me rastin e ndarjeve buxhetore është i papranueshëm. Me një buxhet prej 7.4 milion euro për subvencione në bujqësi, që është vetëm 0.5%  e buxhetit total për vitin 2011, nuk mund të paramendohet zhvillimi i bujqësisë. Ky është tregues i qartë i moskujdesit që ka kjo qeveri për rreth gjysmën e popullsisë që jeton në zonat rurale. Në mungesë të vizionit të qartë dhe politikave afatgjate zhvillimore për bujqësi, politikat dhe mbështetjet ad-hoc që ju jepen fermerëve, më shumë kanë për qëllim që të fashitin pakënaqësitë e fermerëve që janë në rritje e sipër.


3.    Është për keqardhje keqmenaxhimi dhe ngulfatja e MBPZHR nga individë të ndryshëm. Punësimi në këtë resor qeveritar po bëhet plotësisht në baza partiake. Vendosja në pozita udhëheqëse e njerëzve në bazë të përshtatshmërisë politike, pa u përfillur kurrfarë kriteri profesional, është bërë dukuri e përditshme e punës së kësaj ministrie. Brenda vitit janë punësuar rreth 50 persona me kontratë mbi vepër, që janë kryesisht militantë partiak. Këta persona paguhen nga vija  buxhetore që nuk janë të parapara për këtë - nga vija buxhetore për mallra dhe shërbime, që është një shkelje në vete e procedurave të shpenzimit të buxhetit. Për këtë shkelje, kjo ministri ka edhe miratimin e atij që duhet të jetë përgjegjës për respektimin e mënyrës së shpenzimit të buxhetit – Ministrit të Financave.


4.    Ajo që përfaqësuesit e kësaj ministrie e paraqesin si suksesin më të madh të saj, që janë subvencionet dhe grantet, njëkohësisht përbën shkeljet më të mëdha. Kjo ministri nuk ka ndërtuar mekanizma funksional për mënyrën e  ndarjes së këtyre subvencioneve. Në rastet tjera edhe kur ndahen këto subvencione, ato vonohen së tepërmi saqë nuk prodhojnë asnjë efekt për bujqit. Përveç që efektet e tyre nuk duken askund, ne jemi të shqetësuar me keqpërdorimin masiv të subvencione.


a.    Janë mbi 100,000 Euro nga buxheti për subvencione që kjo Ministri ju ka ndarë kompanive dhe OJQ-ve të ndryshme në vlera që sillen nën 10,000 Euro për një kompani ose OJQ. Kjo është bërë me qëllim që t’ju iket procedurave të prokurimit, të cilat kërkojnë që shumat mbi 10,000 euro të shkojnë përmes prokurimit. Këto ndarje janë bërë vetëm në bazë të disa “Memorandumeve të Mirëkuptimit”.


b.    Ministria po mashtron fermerët. Edhe pse në opinion deklarojnë se kanë subvencionuar fermerët për vitin e kaluar me nga 50 Euro/krerë të gjedheve, në realitet fermerët kanë marrë vetëm nga 30 Euro/krerë. Në këtë vit ka gjasa që kjo vlerë të jetë edhe më e ulët.


c.    Rast i njëjtë është edhe këtë vit me bagëti të imëta, për të cilat kanë premtuar nga 10 Euro/krerë, ndërsa fermerëve ju janë dhënë nga 5 Euro për krerë.


d.    Subvencionimi i kombajnerëve, gjithashtu është përcjellë me shkelje dhe keqpërdorime të mëdha. Komisioni për verifikim ka konstatuar shkelje të mëdha në këtë drejtim.


i.    Këtë vit janë subvencionuar 1,450 kombajna (me nga 1000 l naftë, me nga 25% të vlerës së naftës, apo në vlerë financiare prej rreth 250 euro). Në bazë të analizave tona, në Kosovë janë rreth 850 kombajna që janë në gjendje të rregullt dhe që kanë mundur të shfrytëzohen gjatë këtij viti. Nga këto të dhëna del se janë “subvencionuar” apo thënë ndryshme janë keqpërdorur mjete për gjoja subvencionimin e rreth 600 kombajna që nuk ekzistojnë fare (apo që nuk mund të shfrytëzohen për korrje). Nisur nga fakti se një kombajnë është subvencionuar me rreth 250 Euro, del se janë vjedhur para të taksapaguesve në vlerë prej 150,000 euro.


ii.    Në anën tjetër ky  “subvencionim” i kombajnerëve nuk ka pasur asnjë ndikim në uljen e çmimit të korrje/shirjeve. Deri sa në vitin e kaluar çmimi ka qenë 90 euro për hektarë, këtë vit çmimi ka qenë 100 euro për hektar. Pra krahasuar me vitin e kaluar vetëm sa ka pas ngritje të çmimit.


e.    Skandali tjetër është se subvencionet e dedikuara për bujqësi po përdoren për emisione televizive të cilat nuk janë emituar fare, ose për raste të promovimit të trashëgimisë kulturore. Janë disa raste kur Ministria ka nënshkruar Memorandume Mirëkuptimi për financime të tilla të paligjshme.


f.    Bujqit gjithandej nëpër Kosovë duhet ta dinë se subvencionet për bujqësi janë në fakt subvencione politike. Ne ju inkurajojmë juve gazetarëve që të hulumtoni se si subvencionet po shpërndahen mbi baza të përkrahjes politike që ka PDK në komuna.


g.    Edhe pse është premtuar disa herë subvencionimi i kamatave për kredi bujqësore, nuk është bërë asnjë hap konkret në këtë drejtim.


5.    Sektori i vreshtave dhe verërave me një traditë tepër të gjatë në Kosovë, është para falimentimit të tërësishëm. Ndihma e përkohshme për vreshtarë vitin e kaluar po shihet se ka qenë vetëm një mashtrim për ta.  Qeveria nuk e ka zgjidhur problemin në afat të gjatë. Në këtë vit situata e prodhuesve të rrushit është edhe më e keqe se sa vitin e kaluar. Si rezultat, shumë prodhues kanë filluar edhe shkuljen e vreshtave.


6.    Ministria e Bujqësisë nuk ka ndërmarrë asnjë hap të vetëm për mbrojtjen e prodhuesve vendor,  madje as për ata sektor që kjo Ministri i  “trajton” si prioritar. Si rezultat i kostos së lartë të inputeve bujqësore, mungesës së përkrahjes institucionale edhe prodhuesit e perimeve janë në gjendje tepër të vështirë. Çdo kush që viziton regjionet prodhuese të perimeve mund të vërej sipërfaqe të tëra me domate e perime tjera, që janë të pa vjelura,  pasi që prodhuesit nuk kanë llogari as ti vjelin ato. Në anën tjetër Kosova harxhon miliona euro për importin e perimeve.


7.    Sektori i prodhimit të qumështit, pas disa përpjekjeve që kanë bërë fermerët me iniciativa individuale apo të përkrahur nga donatorë të ndryshëm, vitet e fundit po ballafaqohet me probleme mjaft serioze. Situatë e ngjashme është edhe në sektorët tjerë.


8.    Në vend që Ministria të merret me zgjedhjen e këtyre problemeve, ajo vazhdon të  bëjë propagandë të stilit komunist se gjoja janë arritur rendimentet e duhura, siç ishte rasti me deklaratat e Ministrit se është arritur për herë të parë të përmbushen 80% të nevojave tona me grurë. Konstatimet e këtilla janë aq të pakuptimta, në rastin kur importi i produkteve bujqësore çdo vit po rritet. Deri sa në vitin 2007 importi i prodhimeve bujqësore ka qenë rreth 384 milion euro, në vitin 2010 ka arritur në 487 milion euro, pra një rritje për 27%. Rritja kaq e madhe e importit të produkteve ushqimore ilustron më së miri politikat katastrofale të kësaj qeverie ndaj bujqësisë dhe zhvillimit rural në përgjithësi. Këto të dhëna ilustrojnë më së miri, jo përparimin, por shkatërrimin në vazhdimësi të këtij sektori.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)