03 Tetor 2022

Komuna e Mitrovicës dhe IADK mbështesin 18 fermer me pajisje bujqësore

Mitrovicë, 6 tetor - Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK) në kuadër të projektit "Mbështetja e punësimit të të rinjve dhe grave në zonat rurale përmes zhvillimit të bujqësisë" kanë bërë shpërndarjen e pajisjeve bujqësore për 18 përfitues të komunës sonë.

Në këtë takim të pranishëm ishin kryetari i komunës, Agim Bahtiri, Zenel Bunjaku, drejtor ekzekutiv i IADK, Luigi Brusa, Shef i Sektorit për Bashkëpunim nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku.

Në fjalën e tij, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, falënderoi IADK-në dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen e tyre në zhvillimin e bujqësisë dhe subvencionimin e fermerëve.

“Falënderoj IADK- në për bashkëpunimin e shkëlqyer me komunën tonë ne realizimin e disa projekteve në sektorin e bujqësisë, ndërsa përgëzoj të gjithë fermerët përfitues të cilët me këto pajisje do të mund të kultivojnë më shumë produkte të freskëta vendore në tregun tonë, do të përmirësojnë produktivitetin dhe do të rrisin efikasitetin e fermës së tyre”, ka theksuar kryetari Bahtiri.

Ai më tutje ka shtuar se mbetet prioritet i qeverisjes zhvillimi i bujqësisë sepse kështu do të përmirësohet edhe standardi i jetës në komunën tonë.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i IADK –së, Zenel Bunjaku shprehu falënderime për donatorin për kontributin e dhënë që ka mundësuar përkrahjen e përfituesve të projektit si dhe komunës së Mitrovicës si bashkëfinancues i projektit.

Në anën tjetër, shefi i Sektorit për Bashkëpunim nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, uroi të gjithë përfituesit dhe falënderoi organizatën IADK për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë dhe përkrahjen e fermerëve të vegjël në sektorë të ndryshëm të bujqësisë.

Kurse, 18 përfituesit  të cilët janë pajisur me freza, spërkatëse, mullinj për bluarje të drithërave, mbledhëse bari, makina mbjellëse, janë shprehur mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të treguar nga komuna e Mitrovicës në lehtësimin dhe zhvillimin e veprimtarive të tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)